Botuesi nga Prishtina “Jakup Ceraja” i ka botuar dy përzgjedhje nga krijimtaria letrare e shkrimtarit të ndjerë, Ragip Sylaj: vëllimin e parë që përfshinë përzgjedhjen me poezi “Shakullinë përpëlitjesh” (përgatiti Anton Nikë Berisha) dhe vëllimin e dytë që përfshinë prozën, “Rrëfime për kohën e vdekur” (përgatiti Arben Veselaj).

Këtyre dy përzgjedhjeve botuesi ia ka bashkëngjitur edhe vëllimin e tretë, “Me Anton Nikë Berishën”, ku përfshihen shkrime të pabotuara të autorit të ndjerë, si vështrime librash, biseda, letërkëmbime etj.

Në parathënien e vëllimit të parë, “Shakullinë përpëlitjesh”, Anton Nikë Berisha shkruan se përpëlitjet dhe tundimet shpirtërore, dhuna e jetës, rrënjët kulturore dhe etnike, poezia si art i fjalës, dashuria etj., janë tema që bëhen objekt në poezinë e Ragip Sylajt.

“Ragip Sylaj, ashtu si ishte në jetë, skajshmërisht i sinqertë dhe fisnik, ashtu është edhe në poezi: e thotë atë që e ndien dhe e mendon. Përmes poezisë ai përballet, para së gjithash, me vetveten, me shqetësimet, me brengat, me mirësinë e me fisnikërinë e tij. Poezia e Ragip Sylajt është zëri i shpirtit dhe i ndërgjegjes së tij; fryt i mendjes dhe i dijes”, ka shkruar Berisha.

Ndërkaq, në tekstin hyrës të përzgjedhjes me prozë, “Rrëfime për kohën e vdekur”, Arben Veselaj shkruan se proza e Ragip Sylajt është kryesisht eseistike, prozë ku shkrihen shumë gjini letrare, si eseja, tregimi, shkrimi publicistik, dijet filozofike etj.

“Në prozën e Ragip Sylajt lexuesi nuk do të gjejë aspak ngjarje e histori, por vetëm ndjenjësime dhe përjetime që kanë shkaktuar ngjarjet dhe historitë. Monopatit narrativ të prozës së Sylajt prin një personazh që ironizon me vetë autorin – personazhi vetëironik”, shkruan Veselaj.

Vëllimi i tretë, me titull “Me Anton Nikë Berishën”, i përgatitur nga Labinot Berisha dhe Arben Veselaj, ndërkaq, synon për ta bërë sa më të njohur krijimtarinë e Ragip Sylajt si shkrimtar e gazetar; për ta ndriçuar atë që nuk është botuar më parë nga ky autor. Ky vëllim përfshinë tetë vështrimet e Ragip Sylajt kushtuar disa veprave të Anton Nikë Berishës, me të cilin ai ka qenë shumë i afërt dhe ka bashkëpunuar vite me radhë, pastaj tekstin e tri bisedave me Antonin të bëra nga ai dhe të botuara në kohë të ndryshme si dhe 11 letra të Ragipit dërguar Antonit dhe dy letra të Antonit dërguar Ragipit.rtklive