21.9 C
Prizren
E martë, 20 Maj, 2025

Prizren, aktakuzë për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Prizren të martën ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë lidhur me veprat penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë, vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, për një rast që ka ndodhur në janar të këtij viti.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve:

E.K për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” e mbetur në tentativë, nga neni 173 par.1 pika 1.5 e lidhur me nenin 28, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 i KPRK-së.
V.H., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 i KPRK-së.

A.H.(1), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367 par.1 i KPRK-së.

A.H.(2), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367 par.1 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., me datë 29.01.2025 rreth orës 01:57 min në Prizren, në rrugën “Tranziti i Ri”, në hapësirat e parkingut të njërës prej pikave të karburantit, me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarit V.H, A.H.(1), dhe A.H.(2), dhe me atë rast kanë vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit F.T.

“I njëjti, pas një mosmarrëveshje paraprake e cila kishte ndodhur me datë 28.01.2025 rreth orës 23:00min në afërsi të lokalit të të dëmtuarit F.T., në mes të pandehurit E.K dhe dëshmitarit Gj.Sh., në një anë dhe të dëmtuarve V.H., A.H.(1), dhe F.T., në anën tjetër, në momentin kur i pandehuri E.K.,dhe dëshmitari Gj.Sh., arrinë me automjet tek pika e karburantit, vërejnë se aty ishte duke i pritur i dëmtuari V.H., i afrohen të njëjtit, bëjnë me gjeste në drejtim të të dëmtuarve A.H.(1), A.H.(2), dhe F.T., që të vijnë në afërsi të tyre, e më këtë rast dëshmitari F.H., arrin te kjo pompë e derivateve dhe takohet rastësisht me ta, kur aty vijnë edhe të dëmtuarit A.H.(1), A.H.(2), dhe F.T., i pandehuri E.K., nxjerrë nga brezi pistoletën e tipit “TT”, fillon të tërhiqet prapa dhe në një distancë nga 1-2 metra, shtie në drejtim të të dëmtuarve V.H., A.H.(1), dhe A.H.(2), me ç’ rast nga të shtënat, të dëmtuarit A.H.(1), dhe A.H.(2), marrin plagë të rënda, njëkohësisht i rrezikohet jeta edhe të dëmtuarit F.T. Me këto veprime, E.K., ka kryer veprën penale “Vrasja e Rëndë” e mbetur në tentativë sipas KPRK-së”, ka bërë të ditur Prokuroria e Prizrenit.

Tutje është theksuar se i pandehuri E.K., deri me datë 12.02.2025 në Prizren, në kundërshtim me Ligjin për Armët e Republikës së Kosovës, ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën – pistoletën e tipit “TT” të kalibrit 7.62mm, M75 prodhim jugosllav, me të cilën ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve të lartcekur dhe se me këto veprime, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së

“I pandehuri V.H., në vend dhe kohë të njëjtë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin E.K. I njëjti, në momentin kur vëren se nga të shtënat që kishte shkrepur E.K., goditet i dëmtuari A.H.(1), dhe A.H.(2), nxjerrë pistoletën e tij të llojit “Sig Sauer” 9x19mm dhe shtie disa herë në drejtim të të dëmtuarit E.K. Me këto veprime, ka kryer veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, i pandehuri A.H.(1), sipas Prokurorisë deri me datë 29.01.2025 në Prizren, në kundërshtim me Ligjin për Armët të Republikës së Kosovës, ka mbajtur në pronësi dhe posedim një pistoletë e llojit “Pietro Beretta”, cal. 7.65.

“Po ashtu, në momentin kur ka ndodhur rasti me të pandehurin E.K., i pandehuri A.H.(1), e nxjerrë armën nga brezi dhe me të njëjtën ka shkrepur 6 herë.

Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se i pandehuri A.H.(2), deri me datë 29.01.2025 në Prizren, në kundërshtim me Ligjin për Armët të Republikës së Kosovës, ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën, një pistoletë e llojit “TT” me 7 fishekë në karikator, të cilën armë e ka mbajt në brez në momentin kur ka ndodhur rasti me të pandehurin E.K., i pandehuri A.H.(2), e nxjerrë armën nga brezi dhe në momentin kur rrëzohet për toke shkrepë armën njëherë.

“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas KPRK-së”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurve të lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Më Shumë

Prizreni bashkon trevat shqiptare në Festën e Abetares

Në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren sot u mbajt “Festa e Abetares”, një manifestim gjithëkombëtar që bashkoi shkolla nga të gjitha trojet shqiptare,...

Shqipëria kualifikohet në finalen e Eurovision 2025

Shqipëria është kualifikuar në natën finale të Eurovision 2025, ku “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm” u kualifikua mes 10 shteteve fituese të natës së...

Lajmet e Fundit