Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj ish-drejtorit të Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, aktualisht drejtor rajonal i kufirit perëndimor, që përfshin rajonet e Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit, si dhe ndaj Xhevat Sallaukës, Ramadan Paçarizit dhe Liman Sallaukës, u saktësuan komunikimet me të dëmtuarin.
Aksionin e arrestimit dhe hetimet i ka udhëhequr kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Gjykata Themelore në Prizren, përmes vendimit të 6 gushtit 2025, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Liman Sallaukës, Xhevat Sallaukës, Nexhmi Krasniqit dhe Ramadan Paçarizit, të arrestuar nën dyshimin për detyrim, armëmbajtje pa leje dhe shmangie nga tatimi.
Për arrestimin e katër të dyshuarve, Betimi për Drejtësi kishte raportuar me 4 gusht 2025.
Në vendimin e Themelores thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi kanë kryer veprën penale Detyrimi, ashtu që gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 2024 në Prizren, duke vepruar si anëtarë të grupit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përdorën kanosjen serioze për të detyruar të dëmtuarin E.M. të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që, pasi i dëmtuari ka pasur një pjesë të pronësisë në ngastrën kadastrale me nr. 749 ZK Lubizhdë dhe ka pasur autorizim gjeneral nga personat “Svetozar Nekic, Stanimir Nekic dhe Zvonimir Nekic” që këtë parcelë ka të drejtë t’ua shesë personave të tjerë, në këtë situatë, i pandehuri Liman Sallauka në vazhdimësi ka kontaktuar të dëmtuarin, ku më pas kanë ndërhyrë edhe vëllai i tij Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe dëshmitari Enes Elezi, duke i bërë presion të dëmtuarit që, si pronar i një pjese të ngastrës, të tërhiqet nga kjo parcelë, në dobi të të pandehurit Ramadan Paçarizi.
I dëmtuari, nga frika dhe presioni, është tërhequr në dobi të Ramadan Paçarizit, i cili më pas e blenë këtë parcelë nën çmimin e tregut për 250.000 euro, pronë e cila realisht kishte vlerë prej 400.000 deri në 500.000 euro.
Tutje, në vendimin e Themelores thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Ramadan Paçarizi ka kryer veprën penale Shmangie nga tatimi, pasi që në muajin dhjetor të vitit 2024 në Prizren, me qëllim të shmangies nga pagesa reale e tatimit, nuk ka deklaruar në ATK qarkullimin real ekonomik të cilin e ka pasur në kuadër të blerjes së paluajtshmërisë, ashtu që i pandehuri, përveç pjesës së të hollave prej 120.000 euro të lëshuara për blerjen e paluajtshmërisë, kishte dhënë 130.000 euro të tjera “cash” të dëmtuarit E.M. për blerjen e kësaj prone dhe nuk ka paguar detyrimet tatimore të përcaktuara me ligj, kështu duke iu shmangur tatimit për vlerën e 130.000 eurove, duke i shkaktuar dëm Administratës Tatimore të Kosovës, përkatësisht buxhetit të Republikës së Kosovës.
Në vendim thuhet se Gjykata ka konstatuar se është plotësuar kushti për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ka arsye për të besuar se nëse të njëjtit lihen në liri, do të pengojnë rrjedhën normale të procedurës, pasi që nga shkresat e lëndës vërehet se të pandehurit kanë vepruar në grup me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete.
Gjithashtu, Gjykata gjeti se është plotësuar kushti për caktimin e masës së paraburgimit ngase pesha e veprave penale, e në veçanti vepra penale e detyrimit, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, si dhe karakteristikat personale të të pandehurve, tregojnë se të njëjtit, duke shfrytëzuar autoritetin dhe lidhjet që kanë me të dëmtuarin, në mënyrë të vendosur dhe konsistente e kanë detyruar të dëmtuarin E.M. të tërhiqet nga shitja e pronës në dobi të të pandehurit Ramadan Paçarizi.
“… qëndrimi i të pandehurve tani për tani nën masën e paraburgimit është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për zbatimin me sukses dhe efektiv të procedurës penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është e justifikueshme dhe e bazuar në ligj, në kuptim të dispozitave përkatëse ligjore”, thuhet në vendimin e Themelores.
Gjykata po ashtu analizoi edhe të gjitha pretendimet e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, si dhe deklarimet lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, por konstatoi se ka dyshim të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe të dëmtuar. Gjithashtu, duke marrë parasysh peshën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, e në veçanti vepra penale e detyrimit, sipas Gjykatës masa e paraburgimit është e domosdoshme.
Ndryshe në njoftimin e Prokurorisë thuhet se gjatë kontrollit u sekuestruan përveç armëve edhe telefona mobil e elektroshok../BetimipërDrejtësi