Qytetarët duhet të bashkohen që ta mbajnë përgjegjëse këtë Qeveri për çdo punë që bënë, derisa të ndodh ndryshimi dhe të dyja partitë në koalicionin aktual qeverisës t’i dërgojnë në opozitë. Lideri i Nisma për Kosovën Fatmir Limaj, thotë se vendi ka pësuar me vazhdimin e qeverisjes nga PDK-ja, sepse është parë, sidomos në tri vitet e fundit se kjo nuk ishte Qeveri për qytetarët, por Qeveri klienteliste, e cila ka menaxhuar me situatën por jo edhe zhvillimin e vendit. Derisa, dënimin atyre që e pamundësuan implementimin e projektit të Bllokut do t’ua jap qytetari.
Limaj thotë se nuk u bënë bashkë me PDK-në sepse do ta mashtronin votuesin e tyre, meqë votën e morën duke u premtuar ndryshim në qeverisje dhe shkuarja me PDK-në do të thoshte vazhdim i qeverisjes së kaluar, të cilën qytetarët kërkuan ta ndryshojnë.
Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Kryesisë së Nisma për Kosovën Fatmir Limaj, thotë se viti 2014 ka shpërfaqur defektet, problemet e gjithë asaj qeverisje katër vjeçare, e cila ka qenë pa program, pa prioritete, pa objektiva që është tentuar të menaxhohet nga dita në ditë, nga java në javë me vendime e veprime ‘ad hoc’.
“Ne për katër vite nuk kemi pasur qeverisje strategjike, por kemi pasur qeverisje që ka menaxhuar në funksion të votës, qeverisje klienteliste, jo qeverisje ekonomike, zhvillimore që hap perspektivën dhe rrugën drejt zhvillimeve në vend. Po ashtu, ju jeni dëshmitarë që në fushatën elektorale kemi pasur premtime të panumërta. Shembull, ky koalicion që sot qeverisë Kosovën ka premtuar 200 mijë vende të punës, ka premtuar rritje të pagave, ka premtuar rritje të investimeve në sektorin privat, shikojeni buxhetin, buxhet i përgatitur nga kjo Qeveri, del që edhe atëherë kur e kanë premtuar para qytetarëve e kanë thënë të pavërtetën, kanë gënjyer’, tha Limaj.
Limaj thotë se pas zgjedhjeve në cilat qytetarët votuan për ndryshimin e qeverisjes dhe rotacion politik. Kreu i Nismas shton se krijimi i Bllokut pas zgjedhor mes LDK-AAK-Nisma, ishte vullnet i qytetarëve, por që ky vullnet i qytetarëve u shpërpushë, sepse vazhdoj qeverisja e kaluar të cilës qytetarët i thanë jo më 8 qershor.
Por, sipas Limajt, për mos realizimin e projektit të Bllokut, dënimin atyre që ia pamundësuan këtë projekt duhet t’ia japin qytetarët.
“Jo, shikoni, këtu është një vendim politik që kanë marr dy forca politike dhe ai vendim është, thash ma herët është në shpërputhje me vullnetin e qytetarëve, dhe u takon votuesve të tyre, sepse është vullnet legjitim, dhe koston e saj e paguan vet, askush s’mund t’i thotë se është fajtor sepse s’ka fajtor këtu, sepse fajtor në politikë është kosto, e paguan koston e veprimit të vet politik. Tani dënimin duhet t’ia japin votuesit e tyre kur të vije koha sepse nuk ka asnjë dilemë se kjo është në kundërshtim me vullnetin e atyre që i kanë votuar. Po si do të vlerësohet nga votuesit kjo mbetet të shihet”, thekson ai.
Kurse, mundësia që Nisma të hynte në koalicion me PDK-në, ishte i pamundshëm, sepse, sipas Limajt qytetarët ia dhanë votën subjektit që ia drejton nga fakti se kërkonin ndryshimin dhe nuk mund të shkonin me atë që do të vazhdonte qeverisja e njëjtë.
“Kur ju kërkoni votën për ndryshime nuk mund të jeni pjesë, që pas zgjedhjeve të shkoni me një subjekt politik që nuk paraqet ndryshimin por është vazhdimësi. Sepse pastaj ke problem moral, politik me votuesin tënd, është mashtrim për votuesit tuaj, dhe këtë ne nuk kemi mundur ta bëjmë për kundër ofertave që kemi pasur, Nisma për Kosovën përtej këtyre dëshirave, këtyre situatave të politikave ditore, jo kanë dashur jo s’kanë dashur, thjesht për shkak të parimeve tona nuk kemi qenë të gatshme t’ia zgjasim jetën një qeverisje që kemi kërkuar të ndryshohet”, tha Limaj.
Megjithatë, Limaj thotë se në parim nuk përjashtojnë asnjë subjekt politik për koalicion, por me PDK-në,jo në këtë fazë, sepse nuk janë pajtuar që të vazhdohet qeverisja e kaluar.
Madje, thotë se nuk ka asgjë të personale me kreun e PDK-së Hashim Thaçi, por që nuk ka pi kafe që prej para zgjedhjeve të 8 qershorit kur edhe i kanë ndarë rrugët. Limaj thotë se ka shumë miq në ish subjektin e tij për të cilët ai ende ka respekt.
Megjithatë, Limaj që dikur ishte njëri prej drejtuesve të PDK-së, thotë se çdo gjë e mirë që do të vije në Kuvend nga kjo Qeveri e koalicionit PDK-LDK, ata do ta mbështesin, sikurse nuk do të heshtin për çdo gjë të keqe që sjell kjo Qeveri.
“Ajo që mund të ju them unë sot juve,e dhe e kam thënë në ditën e parë në Kuvend është që çdo gjë të mirë që do të bëjë të mirë kjo qeverisje, Nisma do ta njeh, do ta mbështesë. Ne nuk jemi hielist, nuk do ta luajmë rolin e një hielisti, ne jemi një subjekt politik serioz dhe do t’ia njohim çdo rezultat, sepse çdo gjë të mirë që sjell kjo qeveri i sjell të mira Kosovës. Sikurse nuk do të heshtim së kritikuari ose marrjes se iniciativave për të ndryshuar çdo gjë të keqe që mund të vije nga qeverisja, gabimet, situatat të cilat nuk janë në interes të vendit, Nisma do të ngit zërin, duke ofruar edhe propozim zgjidhje për situata të caktuara”, shton ai.
Tani duket e konfirmuar nga liderët e opozitës se veprimet e subjekteve të tyre do të jenë unike në veprimet ndaj koalicionit qeverisës. Edhe Limaj thotë se janë të gatshëm të mbështesin iniciativat, propozimet e forcave tjera opozitare që janë në të mirën e vendit.
Limaj shton se do të mundohen që si opozitë mungesën e numrave t’i kompensojnë me veprime kualitative.
“Ajo çka do të bëjmë ne tani është koordinimi i aktivitetit opozitarë sepse ka një numër të kufizuar të fuqisë politike atje por ne do ta kthejmë këtë në kualitet opozitarë. Do të thotë mungesa e numrit kuantitativ do ta kthejmë me rolin tonë opozitarë. Shikoni kualiteti i parlamentarëve i zërit parlamentar është nga opozita, sepse ka shumë njerëz me përvojë parlamentare, institucionale, të cilët mund të ngrisin zërin për shumë tema me kompetencë për tema të ndryshme në Parlament dhe kjo qeverisje nuk do ta ketë lehtë, nuk do ta ketë lehtë për faktin se do të përballet me njerëz që kanë një eksperiencë të madhe në jetën institucionale e politike në Kuvendin e Kosovës dhe besoj se kualiteti do ta kompensoj çështjen e numrave në opozitë, ose më mirë me thanë pozita duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mos jetë arrogante”, thotë Limaj.
Kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj i cili është gjykuar edhe në Gjykatën e Hagës, por edhe nga EULEX-i për krime të luftës, thotë se në parim nuk janë kundër gjykimit të çfarëdo krimi që është bërë secili, por jo në mënyrë selektive.
“Ne nuk jemi asnjëherë kundër hetimit, gjykimit të të gjitha atyre krimeve të supozuara që kanë ndodhur në territorin e Kosovës gjatë kohës së luftës. Ama kjo nënkupton nga të gjitha palët, nga kushdo, dhe krimi nuk ka bazë nacionale, kushdo që ka bërë krime duhet të përgjigjet ose duhet të fillohen procedurat dhe të hetohen. Mirëpo kjo nuk guxon të bëhet për një grup njerëzish dhe të amnistohet tjetri. Dhe e dyta, së pari duhet një përgjigje, çka ndodhur në Kosovë nga 1999 deri metani, cili është vlerësimi i gjykatave që kanë gjykuar pandërprerë pjesëtarët e UÇK-së, të kohës së EULEX-it, të Gjykatës së Hagës. Kosova në fakt gjykatë speciale ka pasur prej ditës që është çliruar sepse asnjëherë gjyqtarët tanë nuk kanë gjykuar, por kanë gjykuar gjithmonë ndërkombëtarët, qoftë brenda Kosovës qoftë jashtë Kosovës”, thekson Limaj.
Kreut të Nisma për Kosovën, skenat e ikjes së qytetarëve nga Kosova në drejtim të perëndimit i ngjasojnë me skenat e viteve të 90-ta.
“Nga informacionet që ne kemi vetëm në dy muajt e fundit 10 njerëz kanë kaluar në Hungari. Njerëzit po shesin shtëpi, toka, gjithçka. Skenat që po shohim janë skena të viteve 90-ta, është e njëjtë, dhe kjo është gjëja më e dhimbshme që i ka ndodh këtij vendi. Dhe kjo nuk ka ardhur për një muaj, as për dy muaj, por për shkak të një qeverisje afatgjate e cila nuk ka arritur të krijoj premisa ekonomike shpresëdhënëse për qytetarët e këtij vendi dhe sot ka shpërthyer kjo situatë me emigrant”, thotë Limaj.
Kurse, në fund Limaj ka një mesazh për gjithë qytetarët e vendit për vitin 2015.
“Mesazhi im për qytetarët është që të mblidhemi të gjithë së bashku dhe të kërkojmë llogari dhe përgjegjësi nga qeveritarët, derisa ne nuk ngritemi bashkë për të ngritur zërin pavarësisht çfarë ngjyre politike keni qenë, pavarësisht cilës parti i keni takuar, nëse ndiheni të tradhtuar në qoftë se ndiheni të gënjyer, nëse jeni mashtruar nga ata që e keni votuar, atëherë të rreshtohemi dhe Nisma për Kosovën është parti politike, ose edhe të organizatat qeveritare, të gjithë së bashku që këtë qeveri ta bëjmë të përgjegjshme, të kërkojmë llogari dhe mos t’ia lehtësojmë këtë keqeverisje ose të qeverisë pa dhënë llogari dhe përgjegjësi”, thotë Limaj.
Në vitin 2015, Limaj nuk pret zhvillim ekonomik, madje sheh thëllim të gjendjes në vend, por thotë se qytetarët duhet të mos u besojnë premtimeve të cilat i kanë marrë edhe në zgjedhjet e 8 qershorit./gazeta express/