13.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Ai po tallet me ne, me viktimat tona!

Imer MushkolajImer Mushkolaj

Ministri Aleksandar Jablanovic po na fyen dhe po tallet me ne. Jo nga Beogradi dhe qeveria e Aleksandar Vucic’it, por nga Prishtina dhe qeveria e Isa Mustafës. Ai dhe gjuha e tij fashiste duhet të ndalen. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë na ka fyer dhe është tallur me ne gjithë qeveria. Edhe kryeministri
Aleksandar Jablanovic ka lindur dhe është rritur në Kosovë, por po sillet si të ketë ardhur nga Marsi. Është vështirë e besueshme për çdonjërin me mend në kokë se ai nuk po e ditka çfarë ka ndodhur në Gjakovë gjatë kohës së luftës. Pasi protestuesit në Gjakovë i quajti “egërsira”, ai vazhdoi me fyerje, duke thënë se nuk ka njohuri “për humbjet katastrofale që kanë ndodhur në Gjakovë gjatë bombardimeve të NATO’s”. Pra, Jablanovic jo që nuk ndien keqardhje dhe as kërkon falje për viktimat e Gjakovës, por tërthorazi për krimet që kanë ndodhur atje fajëson NATO’n.

Jablanovic është ministër në Qeverinë e Kosovës, pra pjesë e një kabineti qeveritar të një shteti që nuk e njeh dhe që e quan “Kosovë dhe Metohi”. Jablanovic është ministër që paguhet nga paratë e qytetarëve të Kosovës, mijëra nga të cilët u vranë e masakruan nga Serbia, shteti të cilin ai e përfaqëson brenda institucioneve kosovare.

I lindur para 34 vjetësh në Mitrovicë, Jablanovic vërtet ka qenë tinejxher në kohën e luftës së Kosovës, atëherë kur regjimi i Slobodan Milosevic’it zhbinte çdo gjë shqiptare. Që atëherë kanë kaluar 15 vjet dhe ai, nëse nuk ka ditur për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë, ka pasur mundësi të mësojë për to. Por, ish-deputeti i Aleksandar Vucic’it, tash ministër i Isa Mustafës, ka zgjedhur të sfidojë shtetin dhe qyterët të cilëve duhet t’iu shërbejë, ka zgjedhur të tallet me ne, me viktimat tona.

Ai thotë se nuk di çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, ndërkohë që vetë, ashtu si dhe babai i tij, është angazhuar që ta mbajë gjallë në Kosovë shtetin që ka kryer masakra të tmerrshme. Jo më larg se para dy-tre vjetësh, në postin e nënkryetarit të Kuvendit Komunal ilegal të Leposavicit ai vazhdonte të sfidojë rendin kushtetues dhe institucionet legale kosovare, ashtu siç po vazhdon ende. Por tash, përveç me bekimin e shefit të vërtetë Aleksandar Vucic, edhe me bekimin e shefit formal, Isa Mustafës.

Ai thotë se nuk di çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, ndërkohë që vetë, para pak më shumë se një viti, fliste me krenari për anëtarë të Listës Serbe që “kishin mbrojtur Serbinë” në Morinë, Gorozhup e Koshare.

* * *

Në postin e ministrit të Qeverisë së Kosovës, Jablanovic erdhi direkt nga posti i deputetit të Kuvendit të Serbisë, i dalë nga zgjedhjet e organizuara ilegalisht në Kosovë. Paraprakisht, ai kishte udhëhequr edhe Qendrën e Studentëve të “Universitetit të Prishtinës” me seli në Mitrovicën e Veriut, një institucion që ende vazhdon të funksionojë sipas ligjeve të Serbisë. Tash është në Prishtinë, në kryeqendrën e shtetit që nuk e njeh.

Aleksandar Jablanovic së pari ka fyer të gjithë qytetarët e vendit kur e ka përdorur termin “Kosovë dhe Metohi”. Së dyti, ai ka fyer protestuesit në Gjakovë duke i quajtur “egërsira”. Por, ai nuk e ka ndalur fyerjen dhe talljen duke u treguar hipokrit i pashoq dhe duke thënë se nuk ka njohuri për atë çfarë ka ndodhur në Gjakovë gjatë luftës.

Gjuha e përdorur nga Jablanovic është fashizëm i pastër. Me terma si ky, “egërsira”, regjimi i Milosevic’it i arsyetonte të gjitha krimet që i bënte ndaj shqiptarëve në Kosovë. Thoshte se po luftonte kundër “egërsirave”, i dëbonte “egërsirat”, kryente gjenocid kundër “egërsirave”.

Jablanovic e kthen diskursin fashist të regjimit serb tash, në shtetin e pavarur të Kosovës, si vartës i Isa Mustafës. Dhe për këtë nuk merr as qortimin më të vogël nga i pari i qeverisë. Madje, Mustafa bën thirrje që të ulen gjakrat, thua se dikush pa pikë arsye ka diçka kundër ministrit të tij. Në vend se, të paktën, ta qortojë publikisht atë që me fashizimin e tij ngre gjakrat, si dhe t’i bëjë thirrje për të kërkuar falje rreth deklaratave skandaloze, kryeministri minimizon gjithçka, nuk merret me thelbin e problemit dhe na flet në Facebook për gjëra triviale.

* * *

Isa Mustafa e ka gabim nëse mendon se mund ta arsyetojë dhe amnistojë Jablanovicin për deklaratat e tij. Ai gabon edhe nëse provon ta amnistojë zëvendësin e tij, Branimir Stojanovic, i cili Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë.

Më e paskta që Mustafa mund të bëjë është që t’ua tërheq vërejtjen publiksht dhe t’i detyrojë të kërkojnë falje për deklaratat e tyre. E drejtë do të ishte që t’i shkarkojë të dytë. Nëse ka guxim e fuqi.

Por, nëse nuk ka kurajo e forcë që t’i menaxhojë as ministrat e kabinetit të vet, atëherë si mund t’i besojmë se do ta menaxhojë gjithë vendin. Ose, le të thotë publikisht se ministrat serbë nuk i ka “në dorë”. Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të tallen dhe të fyhen nga askush. Për çdo veprim të tillë që kalon pa ndëshkim, përgjegjës është edhe Isa Mustafa. Sepse është kryeministër. /Gazeta Express/

Më Shumë

Arrestohen 18 persona në Prizren për skema piramidale dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës ka arrestuar tetëmbëdhjetë persona në Prizren, të dyshuar për përfshirje në “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm” si dhe...

Pensioni po i fyen e poshtron mësimdhënësit e viteve të ’90-a?!

Adem Gavazaj Mësimdhënësit që kanë punuar në vitet e '90-ta në arsimin paralel të Kosovës, tani po shpërblehen me pensione që i poshtërojnë dhe i...

Lajmet e Fundit