Shfaqja e etheve hemorragjike të shkaktuara nga Nairovirus, që është anëtar i familjes së viruseve Bunyaviridae e që bartet nga rriqrat, në Kosovë po i mbush 60 vjet, ndërsa virusi është izoluar tek në vitin 1990. As më 2013 Qeveria e Kosovës dhe institucionet e shëndetit publik në vend nuk kanë arritur që ta frenojnë këtë virus e lëre më ta parandalojnë ose ta zhdukin fare. Qeveria ka dështuar për të krijuar strategjinë kombëtare të luftës anti virusit Krime-Kongo dhe për pasojë vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2013 vdiqën gjashtë qytetarë.
Tatjana Avsic-Zupanc, udhëheqëse e Institutit për Mikrobiologji dhe Imunologji në Universitetin e Lubjanës, që është qendër referente e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për diagnostikim dhe hulumtim të arbo –viruseve dhe viruseve që i shkaktojnë ethet hemorragjike krime-kongo. Ajo është gruaja që e ka izoluar virusin e ri të etheve hemorragjike në Kosovë më 1990 dhe që e ka quajtur “Kosova-Hoti” – sipas një viktime të rriqërave atëbotë.
Ethet hemorragjike krime-kongo shkaktohen nga infeksioni me virusin e bartur me rriqra, ku sëmundja se pari është zbuluar ne Crimea me 1944 dhe me vonë është gjetur edhe në Congo me 1969 nga e ka marrë edhe emrin. Përndryshe ethet hemorragjike në Kosovë janë paraqitur në vitin 1954, ku kanë ndodhur edhe rastet e para të vdekjeve.
Sipas infektologeve shpërthimet epidemike kanë qenë në vitet 1991, 1995, 2001, 2005.
Problemi më i madh është ai i identifikimit, nëse një person është pickuar nga rriqra. Rrezikshmëria më e lartë është kur pickon rriqra femër sepse lëshon një enzyme anestetike e cila eviton dhimbjen, dhe në ketë forme infektimi mund të zhvillohet pa qenë në dijeni se është pickuar nga rriqra.
Ky virus ka marrë përmasa endemike në disa rajone të vendit si Malishevë, Rahovec, Suharekë, Klinë, Gjakovë etj.
Tatjana Avsic-Zupanc problemin e etheve hemorragjike në Kosovë e bëri të njohur në arenën profesionale ndërkombëtare dhe hapi rrugë për bashkëpunim intensiv në drejtim të çrrënjosjes së kësaj sëmundjeje në Kosovë. Mirëpo 23 vjet më vonë, (2013) ajo sërish vjen në Kosovë dhe nuk sheh ndonjë përparim, ngase në këtë vit kanë vdekur gjashtë të infektuar nga ky virus. Katër raste në Malishevë, një në Rahovec dhe një në komunën e Gjakovës.
Kjo sëmundje, është bio-terroriste dhe virusi “Kosova Hoti”, është 99% i ngjashëm me virusin Drosdov në Rusi. Ky lloj rriqrash shumohet në prill, kurse mundësia e infektimit me ethe hemorragjike është e madhe deri në mesin muajit korrik..
Këtë virus e bartë një lloj i rriqrës së larme, e cila më parë nuk ka ekzistuar në rajonin tonë, andaj duhet të merren masa nga niveli qendror, për ta luftuar dhe gjetur shkaktarin dhe mënyrën e eliminimit të këtij virusi.
Prej marsit 2013 e deri më sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 2551 pickime nga rriqrat, ku gjithsej janë sëmurë 13 persona me ethe hemorragjike Krime-Kongo në tërë Kosovën.
Me fillimin e ngrohjes së motit filloi edhe rishfaqja rriqrave. Qytetarët e Malishevës dhe rrethinë dezinfektojnë edhe bagëtitë e tyre, në mënyrë që t’i shmangen rrezikut nga rriqrat e infektuara. Komuna e Malishevës ia ka dhënë tenderin një kompanie private, për t’i dezinfektuar më shumë se 30 zona endemike në Malishevë. Shuma e projektit për dezinfektim ka kushtuar më shumë se 5 mijë euro. Mirëpo kjo nuk mjaftoi që të mbrohej jeta e katër qytetarëve.
Komuna e Malishevës me një sipërfaqe prej 306.3 km2, me 44 vendbanime dhe me një popullsi rreth 70 mijë banorë është vendi me i rrezikuar nga ethet hemorragjike.
Rasti më i dhimbshëm vitin e kaluar ishte ai i vdekjes së nxënëses 16 vjeçare nga fshati Plloqicë e Malishevës, Albana Gashi. Rasti tjetër i fundit, që ka ndodh këtyre ditëve është ai i vdekjes se Muharrem Thaçi 31 vjeç nga Balinca e Malishevës nga i njëjti shkaktar.
Nga ana tjetër Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka deklaruar se pickimi qytetarëve nga rriqrat është në rënie. Sipas tyre, situata është stabile dhe nën kontroll dhe se të gjitha institucionet shëndetësore të cilat janë përgjegjëse për trajtimin e pickimit të rriqrave, i kanë kryer obligimet të cilat bien mbi to.
Porse gjashtë jetë njerëzish u shuan!?
Malisheva është zona më e rrezikuar nga pickimi i rriqërave, por as sivjet, megjthëse vdiqën katër persona, nuk është vërejtur ndonjë aktivitet i madh i nivelit qëndror të pushtetit.
Si për ironi, zyrtarë të IKSHP kanë deklaruar se edhe po të digjeshin tërë fushat, malet, njerëzit e kafshët, rriqrat do të shpëtonin!?Institucionet kompetente shtetërore, nuk qajnë shumë kokën për vdekjen e gjashtë personave në mungesë të trajtimit të duhur të kësaj shfaqjeje endemike që nga viti 1990, në ndërkohë që u bënë apel qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm kur t’i ekspozohen vendeve ku rriqrat janë prezent.
“Nëse qytetarët dëshirojnë të ruhen nga pickimi i rriqrave, le t’i mbulojnë pjesët e ekstremiteteve të poshtme. Vishni pantollone…” – kjo, sipas tyre është mjeti i vetëm efikas për t’iu shmangur pickimit të rriqrave!?.
Porse në komunën e Malishevës nuk kanë qenë të zdeshur mbi 1200 banorë që më 2013 janë pickuar. Prej tyre 45 janë dërguar në QKUK, ndërsa 12 prej pacientëve kanë rezultuar pozitiv me ethet hemoragjike, katër prej të cilëve, kanë ndërruar jetë, duke quar në 15-të numrin e të vdekurve nga kjo sëmundje që nga pas lufta në Malishevë.
Në Malishevë, është krijuar një situatë e rëndë, pas vdekjes edhe të personit të katërt nga ethet hemoragjike. Dita më kritike ka qenë ajo e 17 qershorit 2013, ku deri në mbrëmje, numri i të pickuarve nga rriqrat ka arritur në 75, kurse me 21 qershor kanë kërkuar ndihmë mjeksore 51 pacientë, 65 pacientë i janë nënshtruar analizave laboratorike.
Këto shifra vetvetiu flasin për nivelin e alarmit.
Ministria e shëndetësisë këtë vit ka ndarë një shumë prej 150 mijë eurove për këtë epidemi, gjë që është shumë minimale në krahasim me përmasat dhe gjendjen alarmante që është në Kosovë e posaçërisht në zonat endemike. Me kaq para jo vetëm që nuk do të arrihet të bëhet as dezinsektimi selektiv e lëre më që të blehen doza të ilaçit Ribavirinë, i cili është një bar eksperimental që si bar antiviral i jepet pacientit për forcimin e imunitetit.
Dezinsektimi selektiv që po aplikohet pothuajse çdo vit nuk është efektiv dhe është metodë e vjetruar, e sëkëndejmi e pa suksesshme për parandalimin e etheve hemorragjike krime-kongo, sepse bëhet dezinsektimi vetëm i atyre vendeve qe frekuentohen nga qytetarët, por jo edhe fushat, mali etj, e që në këto vende po ndodhin rastet më të shpeshta të pickimit të rriqrave.
Ekipet e Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës janë në terren nga marsi 2013 tërë kohën duke koordinuar aktivitetet e dezinsektimit selektiv në katër komuna (Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë.) Pos Ekipeve të Institutit, QKMF-ve komunale, Drejtorive të shëndetësisë në terren janë angazhuar 40 punëtor sezonal të mbuluar me rroga nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ku Instituti Kombëtar i ka trajnuar dhe furnizuar me material të nevojshëm, veshmbathje dhe mjete pune të siguruara nga Ministri i Shëndetësisë.
Në aspektin e kompetencave të aktiviteteve të mbytjes së rriqrave, kjo veprimtari i takon Ministrisë së Bujqësisë, Agjesionit të Ushqimit dhe Veterinës dhe Komunës së Malishevës.Komuna e Malishevës ka ndarë 60 mijë euro, është kryer faza e parë e dezinsketimit dhe është duke vazhduar faza e dytë, kjo është mundësia e vetme e komunës, kurse Ministria e Shëndetësisë nuk i ka mbështetur me as një cent.
Gjithashtu Qeveria do të duhej të urdhëronte ndonjë ekip ekspertësh të IKSHP që të eksperimentojnë vaksinën që përdoret për këtë dedikim në Argjentinë, njëkohësisht të gjurmonte për zbulimin e vaksinës kundër etheve hemorragjike krime-kongo në Kosovë. Ashiqare, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e merr me seriozitet ketë çështje, dhe kjo u dëshmua kur gjatë qershorit rriqërat u bënë temë edhe në Kuvendin e Kosovës porse pas zhurmës gjithçka pllakosi në heshtje.
Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ajo e Bujqësisë, e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe ajo e Ambientit duhet t’i bashkojnë forcat, paratë dhe njerëzit dhe të ndërtojnë një strategji kombëtare për parandalimin e kësaj sëmundjeje, që deri më sot ka marrë jetët e shumë njerëzve.
Në këto zona endemike, qendrat spitalore, ato të mjekësisë familjare, duhet të ndihmohen nga Prishtina me njerëz dhe para, me medikamente përkatëse dhe preparate dezinsektuese e dezinfektuese, duke filluar në mars, deri në shtator- tetor.
Zonat endemike në tërë Kosovën duhet të mbulohen nga ekipe mobile dezinsektimi e dezinfektimi (duhet të aplikohet spërkatja e përgjithshme me aeroplan); të ngrihen qendra mobile sezonale nga mjekë vullnetarë qoftë edhe duke kërkuar ndihmë nga organizatat “Mjekët pa kufij” dhe OBSH-ja, ekspertë epidemologë, etj..
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës duhet të ketë rendësi jetike jeta e qytetarëve ngase e drejta për trajtim adekuat shëndetësor është e drejtë themelore e njeriut.
Ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, e njeh të drejtën e shëndetësisë si të drejtë të njeriut. Në deklaratën Univerzale të të Drejtave të Njeriut, Neni 25, theksohet që çdokush ka të drejtë për një standard jetese të mjaftueshëm për shëndetin dhe mirëqenien. Kushtetuta e Republikës së Kosovës pohon angazhimet e Kosovës në Deklaratën Univerzale të të Drejtave të Njeriut, prandaj ajo e pranon të drejtën e shëndetësisë si të drejtë të njeriut.
60 vjet alarm, 23 vjet që nga izolimi i virusit dhe 14 vjet pas luftës e pesë vjet nga pavarësia e vendit, në shekullin 21, në Kosovë njerëzit ende vdesin nga rriqërat.
Për kë bie këmbana? – pyeste Ernest Hemingway në librin e tij me këtë titull ironik.Ai përdor frazën madhështore të filozofit të shekullit 17 John Donne, që në vitet 1930 shkaktonte dhimbje koke në çdo mledhje publike europiane, ku pyetja mbetej se cili popull e kishte radhën përballë fashizmit, nazizmit apo çdo lloj invazioni tjetër luftarak.
Por në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me shfajen e vdekjes nga agjensë bio-terrorisët dhe askush nuk po jep përgjegje ndaj alarmit. John Donne shkrunate: “Asnjë njeri nuk është një ishull i mbyllur në vetvete. (…)
Çdo vdekje njerëzore më pakëson, sepse unë bëj pjesë në njerëzimin. Dhe kështu mos të te shkojë kurrë në mendje të pyesesh për kë bie këmbana: Ajo bie per ty.”
(Autori është Menaxher Projekti në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI)