0.4 C
Prizren
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Mbi luftën, Ramushin, drejtësinë dhe Europën!

ILIR KULLAILIR KULLA
Në vend të replikës me Fatos Lubonjën
E kam ndier veten të zhgënjyer si qytetar, si intelektual dhe si shqiptar me shkrimin e botuar dje në gazetën “Panorama” nga një intelektual shumë i çmuar i Shqipërisë së sotme si Fatos Lubonja. Që në adoleshencë jemi rritur me intelektualin Lubonja, i cili ka qenë emblemë sakrifice, vuajtjeje, opozitarizmi, persekutimi, qëndrestarie dhe rreshtimi për nga vërtetësia dhe e drejta. Pikërisht duke lexuar dje një qëndrim komplet të kundërt në raport me këto shtylla përbërëse të historisë së Lubonjës, është e domosdoshme t’i analizojmë të gjitha, një e nga një, në raport me ngjarjet, historitë, personazhet dhe realitetin e sotshëm.
* * *
Lufta popullit të Kosovës iu imponua nga makina shtetërore e dhunshme e Serbisë së atyre viteve, e cila ishte komplet e kundërta e shtetit të së drejtës, të tipit europian. Në një lloj mënyre, Serbisë dhe Milosheviçit i takon “merita” e krijimit të UÇK-së. Ajo lindi nga njerëzit e thjeshtë të Kosovës, nëpër fshatra, nëpër familje të persekutuara nga komunizmi jugosllav e më tej serbomadh që nga koha e Shaban Polluzhës e ndoshta dhe më parë. Nëse sot mund të themi që a ka pasur themelues ideator UÇK-ja, patjetër, e shumë madje, por në krye të tyre qëndron Adem Demaçi, i cili po ashtu si zoti Lubonja e kaloi rininë dhe jetën nëpër burgje, i ndrydhur pas hekurave si i burgosur i ndërgjegjes, asaj ndërgjegjeje kombëtare qytetare shqiptare, e cila kërkonte të drejtën e shkollimit në gjuhën e vet, të përfaqësimit, të të shprehurit, të lirisë dhe jo në emër të ultranacionalizmit, njëlloj si z. Lubonja. Adem Demaçi dhe shokët e tij të lëvizjes së ’68-s në Kosovë, ashtu si në të gjithë Europën, mbajtën në Kosovë flakën e lirisë të ndezur për brezat e mëvonshëm, ata që luftuan dhe e fituan lirinë.
* * *
Jugosllavia e pas Dejtonit ishte një Jugosllavi e cunguar, ishte Jugosllavia e Milosheviçit, ku kishte katër lloj qytetarësh, niveli i parë serbët “të përzgjedhurit” e Zotit që kishin lindur për të sunduar të tjerët. Malazezët, të cilët e dinin shumë mirë se një shkëputje me luftë nga Serbia do të thoshte shkatërrim dhe rrënim si në Bosnjë dhe ata ishin shumë të vegjël, kështu që ia vlente të vazhdonin të jetonin nën Serbi për shkak të detit dhe të 45% të popullsisë serbe, dhe jo për shkak të dashurisë mes tyre. Hungarezët e Vojvodinës, të cilët për shkak të pozitës gjeografike dhe industrive jugosllave kishin pozita të avantazhuara nga pikëpamja ekonomike dhe politike në krahasim me të tjerët, pavarësisht se ishin vetëm një krahinë autonome. Shqiptarët e Kosovës, të cilët pavarësisht se me numër qytetarësh ishin me shume se Mali i Zi e Vojvodina, bashkë ishin të dënuar të jetonin, nën aparteid të papërfaqësuar, nën dhunë të vazhdueshme të makinës ushtarake shtetërore. Mjafton të përmendim që armata më e madhe e Jugosllavisë të mbetur ishte e tëra e vendosur me trupa dhe mjete të rënda në mënyrë permanente në Kosovë, nën mungesën e drejtësisë që nga ajo e pronësisë e deri tek ajo e të folurit. Qëndresës historike paqësore të Rugovës dhe LDK-së iu përgjigjën me indiferencë të plotë dhe me dhunë sistematike shtetërore.
* * *
Në vitin 1997, ditën e protestave të studentëve, të udhëhequr nga Albin Kurti, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi, Bujar Dugolli etj., ishte në krye me studentët dhe një intelektual i shquar i asaj kohe, profesor Ejup Statovci, që u masakrua live nga forcat speciale të policisë serbe para kamerave të mbarë botës. E pra, Statovci e studentët të cilët një vit më pas do ishin të tërë në UÇK, ishin më paqësorë se vetë gandistët vetëm pak muaj para luftës. Më 28 nëntor të atij viti, në Drenicë tre njerëz dolën para kamerave me uniformën e UÇK-së, një ndër ta ishte nxënës 17-vjeçar, i cili paradite kishte qenë në shkollë. Emri i tij ishte Daut Haradinaj, vëllai i vogël i Luanit, që ishte vrarë atë vit në kufirin Shqipëri-Kosovë nga ushtria serbe, i Ramushit që kishte lënë Perëndimin e ishte kthyer të mbronte shtëpinë e vet, i Shkëlzenit që dy javë para se të përfundonte lufta u vra po ashtu nga ushtria serbe. Në mars të 1998-s ushtria serbe nuk masakroi vetëm familjen Jasharaj në Prekaz, por edhe familjen Haradinaj në Deçan. Të gjithë ata që u vranë ishin civilë, femra dhe fëmijë, kështu u krijua UÇK-ja, fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Një luftë që të imponohet është një luftë e drejtë, sepse me atë ruhet dinjiteti, identiteti, qytetaria, origjina, prona gjuha dhe liria; ky nuk është nacionalizëm, por patriotizëm.
* * *
Rusvelti e dinte shumë mirë se kur të hidhej bomba bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, nuk do të vritej Perandori japonez apo as komandantët e ushtrisë, por do të vriteshin shumë civilë, dhe një pjesë e madhe e tyre të pafajshëm. Por në emër të asaj bombe do t’i jepej fund një lufte, e cila mund të vazhdonte në Paqësor edhe për 20 vjet. Natyrisht, nuk mund të mendosh që lufta e Kosovës mund të ketë qenë një luftë ku janë zbatuar të gjitha konventat e të drejtat e njeriut, pasi çdo luftë është e pisët, por luftërat ku ushtria e shtetit lufton kundër qytetarëve të vet, pra lufta civile, është 10 herë më e pisët dhe e vështirë. Megjithatë, nën qiellin e Europës për shumë vite kjo u lejua në ish-Jugosllavi, deri kur “Pëllumbi i Paqes” së Dejtonit, Milosheviçi, nuk i theu hundët pikërisht nga ata fëmijët e katundarëve të Kosovës, bijtë e thjeshtë të popullit fukara, të cilët krijuan ushtrinë që na riktheu krenarinë qytetare e kombëtare: UÇK-në. Një ditë të bukur, në burgun e Shevingenit në Hagë, teksa Sllobodani ishte në ashensor, u gjend me Ramushin vetëm për vetëm dhe uli kokën teksa Ramushi i tha: “Eh zoti President, a ta merrte mendja ndonjëherë se një ditë do gjendeshe me mua këtu?”…. E pra, njëri u largua me arkivol nga aty, e tjetri u kthye dy herë i lirë dhe hero te njerëzit e vet. Por jo sepse gjoja ishin zhdukur dëshmitarët, por sepse në atë luftë kishte një humbës dhe një fitues, humbësit qëndruan me humbësit dhe fituesit me fituesit.
* * *
Kenedi i madh ka thënë: “Mos pyet ç’ka bërë atdheu yt për ty, por ç’ke bërë ti për atdheun tënd”. E pra, Kenedi nuk ishte nacionalist e ultranacionalist, ishte patriot, jetoi e vdiq si i tillë. Nëse një burokrate e shpifur dhe e dështuar si zonja Del Ponte, që në vend të shkruante libra duhej të bënte punën e vet si prokurore, për shumë vite kërkoi të na mbushte mendjen se Ramushi, Fatmir Limaj, Rustem Mustafa dhe e gjithë UÇK ishin kriminelë, për ta dhe për ata që mendojnë si Del Ponte ka vetëm një përgjigje: një popull i tërë nuk mund të jetë kriminel, liria nuk fitohet me pallavra, por me gjak e sakrifica.

Më Shumë

Totaj raporton për punën njëvjeçare, veçon gjithëpërfshirjen dhe përmbushjen e kritereve për Grantin e Performancës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj të hënën ka mbajtur takimin e dytë publik me qytetarët, me ç’rast para të pranishmëve ka raportuar...

Edhe Kosova ndalon mandarinat nga Shqipëria

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se po e monitoron situatën pasi Sistemi Evropian i sigurisë ushqimore ka ngritur alarm për ngarkesat me...

Lajmet e Fundit