Besnik Latifi nga qyteti i Vushtrrisë që u arrestua nga Policia e Kosovës nën dyshimin për terrorizëm ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në fillim të themelimit të kësaj lëvizjeje.
Latifi është arrestuar bashkë me 4 të dyshuar të tjerë në afërsi të Liqenit të Badovcit ku në veturën që po udhëtonin ishin gjetur flamuj dhe maska me mbishenjën e organizatës terroriste ISIS, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Indeksonline merr vesh se Besnik Latifi nga Vushtrria ka qenë aktivist i Vetëvendosjes nga 2005 deri më 2009.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frasher Krasniqi ka thënë për Indeksonline se një Besnik Latifi figuron në databazën e kësaj lëvizjeje, mirëpo nuk janë të sigurt a është i njëjti.
“Besnik Latifi nuk është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në databazën tonë e kemi një të dhënë që një Besnik Latifi ka dhënë dorëheqje në vitin 2009 nga Vetëvendosja, nuk e di nëse është i njëjti, por nuk është aktivist i Vetëvendosjes. Nuk e di a është i njëjti”, ka thënë Krasniqi.
Në një komunikatë të Vetëvendosjes të vitit 2006 tregohet se më 2006, Latifi ishte arrestuar derisa po protestonte me aktivistët e kësaj lëvizjeje.
Besnik Latifi ishte arrestuar më 31 tetor të vitit 2006 në Mitrovicë për të kundërshtimit të Grupit Negociator, raporton Indeksonline.
Në një njoftim të vitit 2006 të Vetëvendosjes shkruan: “Sot në orën 11:00 në qytetin e Mitrovicës disa anëtarë të Grupit Negociator të Kosovës kishin ardhur për ta mashtruar popullin lidhur me planet e dëmshme që po zbatojnë në kurriz të Kosovës. Meqë ky tubim ishte paralajmëruar si i hapur, aktivistët e VETËVENDOSJE!-s shkuan për t’i sqaruar qytetarët për këtë mashtrim. Por, me të arritur atje, ata u ndaluan prej policëve të SHPK-së. Aktivistëve jo vetëm që iu ndalua të hynin, por ata madje edhe u arrestuan. Të arrestuarit janë Jeton Ademi, Bujar Voca, Besnik Latifi e Valon Ademi. Ata u mbajtën në stacionin e policisë prej orës 11:00 deri në 13:45 kur anëtarët e Grupit Negociator përfunduan mashtrimet. Në ditët e ardhshme pritet intensifikimi i fushatës së Grupit Negociator për mashtrimin e popullit. Ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”.
Po ashtu një ish aktivist i Vetëvendosjes ka postuar në Facebook një fotografi të Latifit ku shkruan se ka qenë aktivist./Indeksonline/