Në dy solemnitete në Nashecin e Epërm dhe atë të Poshtëm, janë vënë gurthemelet e dy xhamive për besimtarët e këtij lokaliteti. Pjesë e ceremonive ishin zyrtarët më të lartë të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren dhe banorë të fshatit.
Iniciativa për ndërtimin e këtyre objekteve fetare ka rrjedhur nga banorët, ndërsa ajo është përkrahur edhe nga drejtuesit e KBI-së në Prizren.
Me këtë rast numri një i Bashkësisë Islame në Prizren, Lutfi ef. Ballëk, tha se vetëm ata që e kanë frikë dhe e besojnë Zotin, asnjëherë nuk hezitojnë për të dhënë kontributin e tyre meritor për ndërtimin e xhamive, dhe veçori e gjithë kësaj vijoi ai, është fakti se themelet po vendosen në muajin e bekuar të Ramazanit.
Edhe imami i këtij lokaliteti, Nezir Sahiti, ndjente kënaqësi me rastin e fillimit të punimeve në ndërtimin e këtyre xhamive, pasi objekti ku më herët xhemati kryente faljen, ka qenë në gjendje tejet të vështirë.
Përfaqësuesit e lagjeve, Besim Gutaj dhe Fehmi Krasniqi, në emër të banorëve të këtij lokaliteti falënderuan të gjithë ata që e kanë përkrahur iniciativën për ndërtimin e këtyre xhamive, dhe shprehen besimin se kjo mbështetje do të vijoj , dhe se namazi i Kurban Bajramit të radhës do të falet objekte të reja fetare në Nashec.
Sipas projektuesve të planeve për ndërtimin e xhamive, ndërtimin e secilit objekt ka koston e 50 mijë eurove pa minaret, dhe nëse mblidhen mjete të nevojshme materiale nga banorët dhe xhemati i komunës apo ndonjë donator, këto objekte do të pasurohen edhe me minare, njoftuan zyrtarë të KBI-së në Prizren.
Ndërkaq, ditën e dytë të Fitër Bajramit përurohet xhamia “Ymer Prizreni”, ndërsa ditën e tretë “Bilalli r.a” në lagjen “Tusuz”.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kreu i KBI-së në Prizren, Lutfi ef. Ballëk, i cili tha se në rrugën e tranzitit ku lidhet Petrova me qytetin e Prizrenit, pas dhënies së trollit në sipërfaqe prej rreth 500 metër katror të vëllezërve, Fikret e Fikrim Muriqi, ndërsa ndërtimin e tërësishëm të xhamisë e ka financuar bashkatdhetari, Urim Hoxhaj.
Ndërkaq, ditën e tretë të Fitër Bajramit me datën 19 korrik do të përurohet edhe xhamia “Bilalli r.a” ose siq njihet ndryshe “Xhamia e gurit” e cila është ndërtuar në dalje të lagjes “Tusuz” , ndërsa ndërtimin e këtij objekti e ka mundësuar po ashtu një bashkatdhetar tjetër me emrin, Bilall Likaj. /TV Prizreni/