26.9 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025

Kadare: Kam marrë më shumë se i kam dhënë Gjirokastrës

Në ditën e 80-vjetorit të lindjes, shkrimtari i shquar Ismail Kadare i shkruan nga Parisi një letër mallëngjyese zonjës Zamira Rami, kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës, qyteti i lindjes së njeriut të madh të letrave shqipe. “E nderuara zonja kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës, – e nis letrën e tij Kadare. – Në pamundësi për të qenë midis jush për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falënderimin tim, gjithë emocionin dhe pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj”.

Duke shprehur lidhjet e tij unike dhe krejt të veçanta me vendlindjen, e cila zë një vend të konsiderueshëm në krijimtarinë më të mirë të tij, në vazhdim ai nënvizon: “Mendoj se jam i besueshëm, – vazhdon letra e Kadaresë, – në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai”.

Duke vlerësuar faktin e drejtimit të qytetit me pamje origjinale mesjetare nga një personalitet dhe zonjë e nderuar e formatit të kohëve moderne, Kadare e konsideron këtë si një fakt befasues, të pazakontë dhe fatsjellës për të ardhmen e qytetit të lindjes. “Ju drejtoni bashkinë e qytetit që në adoleshencën time më ka pëlqyer ta quaj të çuditshëm. Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot”, shkruan ai në këtë letër me nota respekti dhe mallëngjimi.

Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, vazhdon letra, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. “Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat. Duke ju uruar gjithë të mirat, dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj”, e përfundon këtë letër të ngrohtë dhe krejt të pazakontë për natyrën e tij të përmbajtur, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, të cilën i ka dërguar kryetares së Bashkisë së Gjirokastrës. Letra është dërguar nga Parisi ku jeton dhe krijon Kadare dhe mban datën 25 janar 2016.

Në këtë përvjetor të lindjes së shkrimtarit, Ismail Kadare, kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami e ka shpallur vitin 2016 si “Viti i Kadaresë” dhe për këtë është parashikuar një kalendar ngjarjesh dhe eventesh kulturore që nisi dje të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistët, me synimin për t’u kthyer vendlindjen dhe shtëpinë e Kadaresë në një qendër muzeore dhe kulturore. Shtëpia e Kadaresë që pas restaurimit u përurua dje, do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore, etj.

“Shtëpia Kadare” është jo thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeore dhe kulturore, por mëton të tregojë krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, që në vazhdimësi mund të ndiqet nga bashki të tjera të Shqipërisë. “Shtëpia Kadare” do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetit, duke zhvendosur aktivitete të metropolit drejt qytetit historik, duke shtuar numrin e vizitorëve dhe si rrjedhojë, duke ndihmuar në zhvillim të turizmit. Për realizimin e këtyre synimeve është arritur edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për rijetëzimin e qendrës së re “Shtëpia Kadare”. Në bashkëpunim me intelektualët dhe gazetarët e qytetit, bashkia organizoi dje veprimtarinë “Gjirokastra lexon Kadarenë” që shënoi fillimin e zinxhirit të aktiviteteve në kuadër të ditëlindjes së shkrimtarit, konceptuar si një lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike. Një maratonë leximi në një qytet që na bashkon të gjithëve, fëmijë, të rinj, të moshuar, qytetarë të përhershëm dhe qytetarë vizitorë të vlerave të trashëgimisë dhe kulturës. Ditëlindja e 80 e shkrimtarit të mirënjohur, Ismail Kadare u kthye dje në një festë të vërtetë, duke prekur të gjitha shenjat e shkruara nga vetë shkrimtari në librat e tij, ideuar si një ngjarje që afron rrëfimin e shkrimtarit për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut.

Më Shumë

Nxënësit nga Novobërda vizitojnë asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren

Nxënësit e SHFMU “Asdreni” nga Komuna e Novobërdës kanë marrë pjesë në vizitën me karakter edukativ të realizuar nga organizata joqeveritare EC Ma Ndryshe...

Zyrtare: Ballkani përforcohet me mbrojtësin kroat Ivica Batarelo

Ballkani ka zyrtarizuar përforcimin më të ri për sezonin e ri dhe bëhet fjalë për mbrojtësin kroat Ivica Batarelo. Batarelo është 27-vjeçar dhe ka një...

Lajmet e Fundit