10.9 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026

Në Prizren u ngjizën shtetet shqiptare

“Ne vetvetiu ndajmë një emocion të veçantë si familje, si unë ashtu edhe nëna ime dhe vëllai Armendi. Është kjo festë që i gëzohemi të gjithë prizrenasit dhe shqiptarët kudo që janë”, thotë Dafina Drini

Ballkani i ka dy shtete shqiptare, por që të dyja rrënjët i kanë në Prizren. Ymer Prizreni bashkë me burrat e tjerë të kombit më 1878 mbajtën Kuvendin e Prizrenit, që synonte autonominë shqiptare nga Perandoria Osmane. Në këtë tetëvjetor të pavarësisë ne takuam një nga trashëgimtaret e kësaj familjeje që bëri historinë. Është kjo Dafina Drini-Hoxha, e cila rrëfen për trungun familjar, për mbajtjen gjallë të frymës patriotike, për ndjenjat e saj dhe të familjes së saj me rastin e përvjetorit të tetë të shtetësisë së Kosovës.

Dafina Drini-Hoxha, stërmbesë e Ymer Prizrenit, shpjegon faktin se Ymer Prizreni kishte vetëm dy vajza, njëra prej tyre ka vdekur në Turqi dhe nuk ka lënë pasardhës e tjetra në Prizren, por nuk ka lindur fëmijë. Ne ishim në një vizitë në familjen Drini në prag të festës. Dafina Drini-Hoxha është e bija e Ahmet Drinit, i cili tani e një vit më parë është ndarë nga jeta. Ajo rrëfen e ka mbajtur shënime e për ato që i ka treguar babai i saj, Ahmeti.

“Ai na shpjegonte se ishte një burrë trupgjatë, me mollëza të qitura dhe mbi të gjithë ishte myderriz, që për kohën e tij ishte personalitet i shkolluar”, na tregon Dafina.

Kjo familje kishte shumë mësues të fesë që njiheshin atëherë si myderrizë, dhe krahas fesë ata mbollën edhe farën e atdhedashurisë. Por, kjo familje la gjurmë edhe në fusha të tjera. Kështu vëllai i Ymer Prizrenit ndërtoi penën e parë mbi Lumbardhë që mos të vërshohet qyteti.

Ky ishte Aliu dhe për këtë prizrenasit në shenjë nderimi këtë familje e quanin Aliu dhe po kështu me vite pastaj familja e barti këtë mbiemër. Kështu kjo familje ka bartur disa mbiemra gjatë dekadave. Ajo njihet edhe si familja Drini, për faktin se kishin çifligun e tyre në Nashec bri Drinit të Bardhë, mbiemër të cilin e mori në vitin 1945.

“Ishin ato kohë të ngjarjeve të furishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, rrëfen Dafina për kujtimet e familjes së saj.

Ajo rrëfen se Haxhi Ymer Prizreni ishte martizuar në Ulqin, kurse gruaja e tij, Fatimeja, me vajzat Ajshja dhe Shefkinazja ishin internuar në Izmir të Turqisë dhe pas gjashtë vitesh ishin kthyer sërish.

“Ajshja pas vdekjes së nënës dhe të shoqit ka jetuar e vetmuar në shtëpinë atërore, në mbikëqyrjen e gjyshit tim”, pohoi ajo./Kosova Sot/

Më Shumë

Në Bukosh përkujtohen dëshmorët e fshatit

Në fshatin Bukosh të Suharekës janë përkujtuar dëshmorët e rënë për lirinë e vendit, në një aktivitet ku morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe qytetarë. Kryetari...

Prizreni do të organizojë për herë të parë Festivalin e Kampingut, mbi 200 kamperë do të marrin pjesë

Prizreni pritet të shndërrohet në një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit aventurier në rajon, me organizimin për herë të parë të Festivalit...

Lajmet e Fundit