14.7 C
Prizren
E diel, 21 Shtator, 2025

U promovua libri i Bekim Fehmiut

Perdet që zakonisht rrinë të lëshuara në skenën e madhe te Teatrit Kombëtar të Kosovës, kësaj radhe nuk ishin lëshuar fare. E mu në skenë tanimë veç ishin vendosur karriget, por jo për të parë ndonjë shfaqje apo performancë ose ndonjë koncert, por kësaj radhe në këtë skenë me një publik goxha të madh u promovua libri i aktorit të madh shqiptarë e tashmë të ndjerë Bekim Fehmiut.

“Shkëlqim dhe tmerr”, është pjesa e dytë e librit të Bekim Fehmiut, ku pjesa e parë përmbante jetën e tij personale, ndërsa pjesa e dytë e cila u promovua mesditën e së premtes flet për jetën e tij profesionale. Ky libër është një mundësi shumë e mirë për gjeneratat e reja, ata që duan ta njohin e të dinë më shumë për jetën dhe veprimtarinë e aktorit Bekim Fehmiut, pasi që, përmes këtyre botimeve do të dinë thuajse në saktësi atë që Bekimi ka bërë e përjetuar përgjatë viteve.

Të pranishëm për këtë promovim ishin familjarë, dashamirë dhe miq, të cilët e dëgjuan me vëmendje çdo fjalë që u tha, e çdo fjali që u lexua për Bekimi Fehmiun.

“Vetë vendi dhe koha në të cilën jetonte i kishin rezervuar atij përmbushjen e një misioni të madh në artin e shtatë, me të cilin art ngjashëm si titulli i librit të tij “Shkëlqim dhe tmerr”, si një gladiator i gadishullit ilirik do të identifikohej gjatë gjithë jetës së tij. Ai në vitet e fundit të jetës së tij na e la në dy vëllime dorëshkrimet e librit të tij “Shkëlqim dhe tmerr”, nëse pjesa e parë e këtij libri është saga e rinisë, fëmijërisë së hershme dhe familjes së tij, pjesa e dytë vjen si triler marramendës me krejt dritë hijet e jetës”, u shpreh regjisori Bekim Lumi i cili njëherësh ishte edhe lektor dhe korrektues i këtij libri.

Ky libër pjesë e bashkëpunimit në mes projektit “Mirëdita, dobar dan!” dhe Shtëpisë Botuese Samizdat B92. Ndërsa ndër të pranishmit në promovimin e sotëm ishte edhe drejtori i shtëpisë botuese Samizdat B92 Veran Matic, i cili tha para të pranishmëve se pas leximit të librit, ka filluar ta pëlqej jetën e Bekimit të fuqishëm, siç e quajti ai, dhe theksoi se jeta e tij është infektuese për të cilën nuk mund të flasësh shkurtimisht.

“Kam pasur fatin që të njoh një njeri të tillë. Pra përveç njerëzve që në mënyrë publike i kemi eksploratu, pra në atë kuptimin Trepça punon, Beogradi ndërton, kemi pasur në mesin e Beogradit, Prishtinës dhe Prizrenit në madhësi kulturore, shoqërore që i ka dhënë legjitimitet të keqes që nga viti 1976, kur ka qenë e qartë se e keqja fitoi kur Bekim Fehmiu vendosi që të ndërpres aktrimin dhe ndez ai plumbi që më vonë nuk u shkrep. Kam pasur rastin të punoj me të gjatë këtij viti dhe në pjesën e parë të biografisë “Shkëlqim dhe tmerr”, kur e kam lexuar dorëshkrimin kam parë se 95 për qind të gjërave nuk i kam ditur”, tha ndër të tjera Matic.

E krejt për fund përkthyesi i librit nga serbishtja në gjuhën shqipe, Anton Berishaj tha se është shumë i nderuar që iu dha rasti ta përkthej një libër të tillë me plot vlera. “Fillimisht e kisha pak kompleks të merrja një libër që qëndron në mesin e autobiografisë apo një ditari, por sidoqoftë shpresoj që kemi arritur ta bëjmë një përkthim korrekt”, u shpreh për fund Berishaj. Rikujtojmë se “Shkëlqim dhe tmerr”, do të promovohet edhe nesër në qytetin e Prizrenit në kinemanë DokuKino. /KultPlus.com/

Më Shumë

Pesë vite më parë, mbylli perden përgjithmonë aktori Adem Mikullovci

Më 15 shtator 2020, pikërisht sot para pesë viteve, vdiq aktori Adem Mikullovci. Ai iku për t’u përjetësuar gjithmonë përmes veprave që la pas...

2005 tiketa dhe 47 aksidente të regjistruara në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë evidentuar statistika të rëndësishme lidhur me trafikun dhe rendin publik. Gjatë kësaj periudhe...

Lajmet e Fundit