Me akademi përkujtimore, sot në fshatin Krushë të Madhe të Komunës së Rahovecit, u shënua 17- vjetori i 241 të vrarëve dhe të masakruarave nga forcat serbe, në këtë masakër nuk u kursyen as gratë, fëmijët dhe pleqtë.
Në akademinë përkujtimore, morën pjesë Idriz Vehapi, kryetar i Komunës së Rahovecit, Avdullah Hoti, Ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, zv. MKRS-së, Ramadan Hoti, nënkryetar i Komunës së Gjakovës, Vajdin Berisha, kryetar i OVL e UÇK-së në Rahovec, Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit qeveritar për të pagjetur, familjar të të rënëve, dhe deputet të Kuvendit të Kosovë.
Në emër të këshillit organizativ të fshatit Krushë e Madhe, fjalën e mori Selami Hoti, kryetar i këshillit fshatit i cili në fjalën e tij tha se sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar veprën sublime të Dëshmorëve dhe Martirëve Krushjan, të cilët para 17-viteve, ranë për të mos vdekur kurrë . Lirinë që e gëzojmë sot, është falë Krushjanëve që ranë në altarin e lirisë, këta janë meritorët, këta janë themeli, këta janë arsyeja dhe njëra nga vulat e pavarësisë së Kosovës, pavarësi e cila u vulos me gjak.
Kryetari i Komunës së Rahovecit Idriz Vehapi, në fjalën tha se muaji mars na sjellë në kujtesë ditët me të vështira të historisë sonë të re për të gjithë Kosovën, e sidomos për Komunën tonë , e cila fundin e muajit mars të vitit 1999 e përcolli më shumë dhimbje. Ky muaj , na rikthen emër për emër në kujtesë ata që nuk janë më mes nesh, ata me jetën e tyre vunë themelet e shtetit të Kosovës. Prandaj, jemi mbledhur sot përsëri, t?i kujtojmë së bashku djemtë dhe burrat e Krushës së Madhe.
Nga një fjalë rasti mbajtën edhe Ministri i Financave zAvdullah Hoti, Vajdin Berisha kryetar i OVL e UÇK-së dega në Rahovec dhe Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit qeveritar për të pagjetur.
Aktivitete përkujtimore në shënimin e 17-vjetorit të të vrarëve dhe të masakruarave, kanë vazhduar me hapjen e ekspozitës në Qendrën Rinore në Krushë të Madhe me foto nga masakra e bërë nga serbet në vitin 1999.
Kurse, sot në ora 17:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë shfaqet premiera e filmit dokumentar “Dëshmit e Heshtura” autor Prof Dr. Nusret Pllana, regjisor Luan Kryeziu.
Ndërsa me datë 27.03.2016 e diele ora 18:00 në Shtëpinë e Kulturës në Krushë e Madhe shfaqet filmi Dokumentar “Dëshmitë e Heshtura”.