“Jam 35 vjeç, i martuar, kam dy fëmijë, jetoj në Ferizaj. Historia e jetës sime nuk ka tragjedi brenda saj, por ka shumë ndjenjë, dashuri, pasion, edhe pse në këtë moshë fati më sjell në jetën time që të njihem me një grua më të re se unë, e cila jetonte në diasporë dhe nga ajo kohë çdo gjë ndryshoi në jetën time”, shkruan për Portalin tonë, “Kosovarja”, Xh.
Nga plogështia, boshllëqet dhe vuajtjet që m’i kishte krijuar jeta deri në ato momente kur kam njohur këtë grua të diasporës, sikur gjithçka filloi gradualisht të shuhej dhe të ringjallej një jetë e re brenda meje, filloi gradualisht si një miqësi e mirë, e çiltër, e sinqertë dhe pa asnjë lloj interesi. Flisnim shumë për njëri-tjetrin, duke arritur deri në atë pikë sa po tregonim gjithë brengat dhe gjithë të fshehtat që nuk i kishim fol me asnjë njeri deri atëherë. Filloi të krijohej një simpati e dyanshme dhe çdo ditë e më shumë që kalonte, prania e njëri-tjetrit bëhej më e nevojshme, më e dashur dhe shumë drithëruese…
Edhe ajo ishte e martuar, siç jam edhe unë, dhe me një të kaluar shumë të hidhur dhe shumë të dhimbshme…
Por, po e lë pas të kaluarën dhe po flas për vazhdimin e historisë sime me këtë grua, që e kam njohur dhe që më ndryshoi gjithçka në jetën time… Flisnim shumë gjatë ditës në telefon, madje kishte ditë të veçanta që flisnim edhe 8-9 orë rresht dhe do duhej diçka shumë e rëndësishme që të na shkëpuste nga komunikimi… Dhe, ky komunikim vazhdon akoma, edhe sot e kësaj dite, por me një ndryshim se janë rralluar shumë orët. Ato janë kthyer në minuta dhe kjo jo për faj të saj, por jeta sjell ndryshime dhe si rrjedhojë është edhe pamundësia për t’u parë me njëri-tjetrin.
Thënë shkurt, u dashurova në këtë grua dhe çdo ditë e më shumë që kalonte lidhesha me të, për të mos dashur kurrë të zgjidhesha. Tash jeta ime mori tjetër kuptim, dita filloi të bëhej më e bukur, më e këndshme, zgjohesha me qëllimin që do shkoja në punë dhe do ndihesha afër saj, edhe sikur të mos ishte aty. Natën flija me mendimet për të… Mezi prisja të vinte e ta shikoja, të flisja e ta përqafoja, edhe pse nga largësia ia puthja buzët, ia prekja trupin.
Por, kur erdhi koha të takoheshim, çfarë të shihja: një femër e parregulluar, pa kurrfarë bukurie…
M’u rrëqeth trupi kur e pash… M’u turbullua shikimi. Iu afrova dhe ia zgjata dorën. I thash: “Unë jam shoku i personit që është dashur të të pres. Ai që nga mbrëmë ndodhet i shtrirë në spital”.
Kështu e sajova këtë gjë, aty për aty…
Ajo u step dhe më falënderoi që kisha dal t’i tregoja e të mos priste kot…
Ika prej saj dhe mësova shumë nga ai moment: Kurrë mos u jep në njeriun që nuk e njeh, që kurrë nuk e ke parë! Xh. /Kosovarja/