Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, tash i dërguari special i Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, në një intervistë në “Target” në RTK, ka thënë se Kosova nga e kaluara ka treguar një traditë të zbatimit të marrëveshjeve, dhe se Gjermania pret që kjo të ndodhë edhe me këto të fundit të arritura me Serbinë.“Ligji për amnisti ende nuk ka hyrë në fuqi, pasi është duke pritur proceduarat e Gjykatës Kushtetuese. Ai ligj duhet të hyjë në fuqi, pasi i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, dhe integrimit të serbëve të veriut. Ata nuk do të pranonin të integroheshin në institucionet e Kosovës, pasi do të kishin frikë se nesër mund të arrestoheshin, ta marrim shembull, për shkak se nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike, ose pse ato fatura i kanë paguar, por këtë e kanë bërë për ndërmarrjen elektroenergjetike të Serbisë”, ka thënë Reichel.
I pyetur për mundësinë e ndonjë marrëveshje të shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ambasadori gjerman ka thënë se Gjermania është plotësisht kundër ndryshimit të kufjeve, pasi kjo sipas tij, do të nxiste një proces zinxhir.
“Mund ta mendojmë Maqedoninë, Bosnjën, pra do të kishte pasoja të tmerrshme për gjithë rajonin”, theksoi ai.
Duke komentuar çështjen e shqiptarëve në Serbi dhe mundësin që kjo të jetë në agjendën e bisedimeve, që janë duke u zhvilluar në Bruksel, duke u dhënë atyre të drejta të përafërta me ato të serbëve të veriut, ambasadori Reichel, ka thënë se situata e shqiptarëve në Serbi, nuk është ndonjë problem serioz që duhet zgjidhur urgjentisht.
Sipas tij, situata në veri, është tjetër.
“Nuk jemi këtu për të hapur kutinë e pandorës, as në Serbi, Maqedoni apo Bosnje. Pakicat duhet të kenë të drejtat e tyre, dhe kjo do të sigurohet me procesin e integrimit, dhe integrimin në BE”, theksoi ai.
E për zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia, ambasadori gjerman ka thënë se kjo do të ndodhë patjetër, ose përndryshe, ky vend do të ngec në procesin e integrimit evropian. Ai ka thënë se Serbisë i është dhënë data e nisjes së negociatave për anëtarësim në BE, por negociatat nuk do të nisin pa zbatimin e marrëveshjeve.
“Ky nuk është vetëm vendim i Gjermanisë, por konsensus i të gjitha vendeve të BE-së. Ne presim nga Serbia që të përmbushë marrëveshjet dhe të arrijë marrëveshje tjera, siç është telekomunikacioni dhe energjia, e pastaj do të vendosim nëse do të fillojmë negociatat për anëtarësim”, ka thënë ambasadori Reichel.