Njohës të rrethanave të fushës së drejtësisë e shtetë- sisë i kanë sugjeruar klasës politike në pushtet që të marrin mësim nga vëllezërit tanë përtej kufirit, me marrëveshjen e arritur ndërmjet pozitës dhe opozitës, që ka të bëjë me reformimin e plotë dhe pavarësimin e Gjyqësorit nga politika. Sipas tyre, vetëm atëherë do të hiqej gati tërësisht ndikimi politik në drejtësi. Kësisoj është shtruar edhe pyetja se pse Qeveria, Kuvendi dhe subjektet e tjera parlamentare nuk po fillojnë punën për miratimin e një reforme të drejtë- sisë edhe tek ne në Kosovë, të ngjashme me atë që do të votohet në Shqipëri? Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se tek ne shqiptarët për t’u hequr ndikimet dhe intervenimet duhet një kohë e gjatë, po ashtu duhet emancipim dhe arritje standardesh, por, të paktën, sipas tij, në këtë drejtim, ka mundësi që të krijohen struktura profesionale, të cilat më shumë se çdo interes apo ndikim, shikojnë aspektin profesional dhe kodin e punës.
“Sa u përket emërimeve në Gjyqësor, Prokurori dhe në sistemin e drejtësisë, kjo duhet të bëhet sa më shpejt, nëse ia duam të mirën këtij vendi, dhe nëse duam të integrohemi në strukturat e Bashkimit Evropian, përndryshe ky ndikim kaq i ashpër politik dhe kaq i tejdukshëm, nuk lë shumë për të shpresuar, derisa Kosova në vazhdimësi është përballur me një sistem drejtësie dhe me formën institucionale nga më të rafinuarat që i kanë pasur vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.
Tri pushtetet e inkriminuara
Më tej, Dibrani ka nënvizuar se jemi të vetëdijshëm se pa një reformë rrënjësore ky standard nuk do të arrihet, sepse, siç tha, standardet e larta janë të lidhura me kulturën e punës, me arritjet në mësimdhënie dhe shumë faktorë tjerë, që e bëjnë një popull dhe një shoqëri më të kulturuar e më të emancipuar dhe afër standardeve evropiane. “Megjithatë nëse kasta politike nuk ka vullnet për ta bërë një reformë rrënjësore në sistemin e drejtë- sisë, ashtu siç nuk patën vullnet as në Shqipëri, do të jenë amerikanët ata, të cilët mendojnë se duhet dora e tyre e fortë, nëse dëshirojmë që shqiptarët të marrin vendime të vështira”, u shpreh ai. Dibrani ka shtuar se Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca, përbëjnë trion tragjike të Kosovës, ngase, sipas tij, këto tri dikastere udhëhiqen nga tre njerëzit më të përfolur për krim dhe kriminalitet, derisa në anën tjetër, siç tha, askush nuk di ta thotë dhe nuk ka asnjë shpjegim se pse populli po i voton. “Ndërsa për një reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë pa ndërhyrjen e SHBA-së as të mos shpresojmë se do të ndodhë, por kemi shumë arsye për të besuar në pragmatizmin amerikan, i cili është treguar shumë i suksesshëm”, është shprehur analisti Shefqet Dibrani../kosova sot/