Izet Beqiri, miku i Ukë Rugovë, ka arritur të habisë autoritetet shtetërore italiane. Drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk besonin se mund të ndodhte ajo çfarë kishte ngjarë në qershor të vitit 2013.
Ndonëse drejtësia italiane për kohë të gjatë ka kërkuar burgosjen e Izet Beqirit, nëpërmjet Interpol-it, ai kishte arritur që të merrte vizë pikërisht nga ambasada italiane në Prishtinë. Nëpërmjet këtij veprimi, Beqiri po bëhej gati ta vizitonte Italinë nëpërmjet rrugëve ligjore. Këtë ia kishin mundësuar përfaqësuesit e shtetit italian në Prishtinë.
Beqiri, bazuar në dokumentet e autoriteteve italiane të siguruara nga Insajderi, ishte dënuar me 14 vjet burg në Itali për trafikim të drogës.
Për të ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtarë, por autoritetet italiane nuk kishin arritur ta kapnin.
Kur ish-ambasadori Giffoni ishte marrë në pyetje nga eprorët e tij, në qershor të 2014-es, ishte pyetur se si gjatë menaxhimit të tij kishte ndodhur që t’i miratohej kërkesa për vizë një të dënuari nga shteti italian.
Inspektorët e ardhur nga Roma në Prishtinë kishin gjetur se në sistemin elektronik të vizave figuronte emri i Giffonit si miratues i kërkesës për vizë, të bërë nga Izet Beqiri.
Giffoni ka mohuar para eprorëve të tij se e kishte bërë këtë veprim. I’a kishte lënë fajin Florian Petanit.
Giffoni ka pohuar se nuk ka kryer asnjëherë ndonjë operacion personal, nëpërmjet llogarisë së tij në sistemin elektronik të vizave.
Thoshte se shtypte fjalëkalimin në mëngjes, pas takimit të përditshëm të stafit. Këtë e bënte kur ishte në dijeni se në zyre nuk kishte zyrtarë tjerë të pranishëm që ishin të autorizuar për të nënshkruar vizat. Stafi, sipas tij, përdorte paswordin e tij për të dhënë vërtetimin përfundimtar për miratimin e vizës me nënshkrim të ambasadorit.
“…Kjo e fundit (vërtetimi përfundimtar në sistemin L-VIS) ishte një operacion që kurrë nuk kam bërë personalisht dhe që kurrë nuk do të isha në gjendje që teknikisht ta bëj “, ka pohuar Giffoni.
Lidhur me vizën e Izet Beqirit, mbrojta e Giffonit i kishte dërguar përgjigje me shkrim drejtuesve të MPJ-së në Itali.
“Petani ndoshta ka arritur të fus vjedhurazi dokumentacionin e paligjshëm ne L-VIS profilin e Shefit te Misionit , pastaj ka arritur ta përfundoj atë në një farë mënyre”, thuhej në këtë përgjigje.
Por, bazuar në gjetjet e inspektorëve italian viza për Ismet Beqirin kishte historinë e saj.
Ai kishte aplikuar dy herë në ambasadën italiane në Kosovë. Herën e parë ishte refuzuar.
“Më 17.06.2013, shtetasi kosovar Izet Beqiri ( i arrestuar nga autoriteti gjyqësor vendas 5 shkurtin e kaluar së bashku me z. Petanin dhe individë të tjerë, të akuzuar si pjesëtar te organizatës kriminale të udhëhequr nga Ukë I. Rugova) ka dorëzuar një kërkesë për vizë me ftesë në zyrën e vizave në ambasadën italiane në Prishtinë (që duket të jetë aplikimi i tij i parë në zyrën tonë). Menaxheri i departamentit te vizave, Z.Charalambopoulos, e mori përsipër këtë aplikim, megjithatë, ai kurrë nuk e ka lëshuar vizën në fjalë”, thuhet në raportin e inspektorëve italianë, të cilin e posedon Insajderi.
Duke parë që menaxheri i vizave nuk e kishte lëshuar vizën, dhjetë ditë më pas më 27 qershor të vitit 2013, Beqiri bën një aplikim të ri. Kësaj radhe për vizë turistike.
“Me atë rast dosja ishte trajtuar nga ambasadori Giffoni dhe i është lëshuar një vizë për 3 vite”, theksohet në raport.
Raporti i inspektorëve përveç që përshkruan të bëmat kriminale të Izet Beqirit, tregon se ai është kushëri i drejtpërdrejtë i Mentor Beqirit, një tjetër i dyshimtë për përfshirje në krim të organizuar.
Beqiri: Vizën e mora nëpërmjet rrugëve ligjore, nuk jam në dijeni se u kërkova nga Interpoli
Izet Beqiri, gjatë intervistimit në maj të vitit 2014, ishte pyetur nga hetuesit e EULEX-it se si kishte arritur të marrë vizë nga ambasada italiane dhe se me kënd ishte në kontakt për ta realizuar kërkesën e tij.
“Kam qenë në kontakt me Ukë Rugovën”, kishte thënë fillimisht Beqiri.
Kur i ishte shtruar pyetja se a ia kishte thënë pikërisht Ukë Rugovës aplikacionin për vizë, Beqiri kishte ndryshuar deklaratën. Kishte thënë se nuk i kujtohet se nëpërmjet kujt kishte shkuar procedura e aplikimit.
“E kam ditur se do të ma bësh këtë pyetje, por vërtet nuk e di nëse ia kam dhënë vëllait tim që e ka bërë në emër të kompanisë, vërtet nuk e di se si ka ndodhur kjo, mendoj se mund të gjendet nëse ishte përmes kompanisë apo ndërmjetësimit të Ukës”, kishte thënë Beqiri, duke shtuar se kjo mund të verifikohet në ambasadë, pasi që gjithçka kishte shkuar nëpërmjet rrugëve ligjore.
Beqiri, po ashtu, ishte pyetur se a ka ndonjë të kaluar penale. Ai kishte thënë se për aq sa ishte në dijeni nuk kishte të kaluar penale.
Por, hetuesit e EULEX-it e kishin përballur me një dokument të gjetur në shtëpinë e tij gjatë bastisjes së realizuar më 5 shkurt të vitit 2014.
Në një sirtar në dollapin e dhomës së gjumit, Beqiri e mbante një dokument. Ishte futur në një mbështjellës të kaltër. Sipas hetuesve, ai dokument ishte një kërkesë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. Kërkohej nga kjo Ministrit tërheqja e urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nëpërmjet Interpolit.
“Kjo është gjetur në shtëpinë time, kjo është e pamundur”, kishte pohuar Beqiri.
Kërkesa për tërheqje të urdhër-arrestit ishte ende pa nënshkrim, dhe Beqiri thoshte se nuk i kujtohej ky dokument. Madje, pohonte se nuk ishte në dijeni se Interpoli ishte duke e kërkuar. /Insajderi.com/