25 C
Prizren
E martë, 22 Korrik, 2025

Mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit, Bedri Bytyçi

Në shqyrtimin gjyqësor ndaj katër të akuzuarve për tjetërsim të pronës komunale, gjykata ka administruar disa prova të propozuara nga ana e mbrojtjes. Gjatë kësaj procedure, çështjen penale ndaj të akuzuarve e ka cilësuar si të paqëndrueshme avokati Florin Vërtopi, i cili në këtë rast e mbron të pandehurin, Bedri Bytyqin. Sipas tij, në këtë rast ende nuk ka palë të dëmtuar, i cili është një ndër elementet kryesore për ngritjen e një aktakuze. Vërtopi tha se nuk ka palë të dëmtuar pa vendosur Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në lidhje me padinë ndaj vendimit të Komunës së Prizrenit,  e ushtruar nga i akuzuari tjetër Faton Hoxha.

Gjatë kësaj seance të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, mbrojtësit kanë propozuar që të administrohen vendimet e lëshuara nga të akuzuarit Bedri Bytyqi si Drejtor i Inspektoratit, dhe Bashkim Krasniqit, si Inspektor i Ndërtimit në Komunën e Prizrenit, për rrëzimin e objektit të bashkë-akuzuarit, Faton Hoxha.

Sipas mbrojtjes, çështja e konkluzioneve të lëshuara nga Komuna e Prizrenit, për rrënimin e objektit në fjalë, ende nuk ka arritur fuqinë e ekzekutimit, pasi që të njëjtat janë goditur me ankesa dhe për këtë çështje është bërë edhe një padi në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prandaj, avokati Florin Vërtopi ka thënë se nëse Departamenti Administrativ, vendos që për pronën në fjalë, i akuzuari Faton Hoxha, të paguajë vlerën e saj, atëherë në këtë rast nuk do të ketë palë të dëmtuar e si rrjedhojë edhe çështje penale.

Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, ka aprovuar kërkesat e mbrojtjes për administrimin e vendimeve në fjalë, duke ndërprerë shqyrtimin gjyqësor, i cili u caktua për datën 15 shkurt 2017, duke filluar nga ora 10:00.

Në seancën e radhës, pritet që të akuzuarit të fillojnë mbrojtjen e tyre dhe të jepen fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa i akuzuari, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Poashtu i akuzuari Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Shërbime laboratorike dhe radiologjike në Prizren edhe të shtunave për mërgimtarët

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, shërbimet laboratorike dhe radiologjike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) do...

Prodhimet vendore nuk paguajnë mundin e fermerëve të Rahovecit

Thatësia dhe mungesa e ujit për vaditje kanë ndikuar negativisht në prodhimin bujqësor në Rahovec këtë sezon, sidomos në kulturat perimore. Edhe pse ka...

Lajmet e Fundit