13.1 C
Prizren
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Me këtë garniturë, nuk ka drejtësi në Kosovë

Nisur nga gjendja e tanishme në drejtësi, analistë dhe njohës të kësaj fushe kanë hedhur dyshimet e tyre për atë se sikur është ndërtuar një piramidë e korruptuar dhe e klanizuar në këtë sistem drejtësie, duke e vënë kështu seriozisht në rrezik funksionimin e shtetit të së drejtës në vend. Sipas tyre, kjo drejtësi e tanishme është rrezik veç të tjerash edhe për demokracinë dhe të drejtat e liritë e njeriut, ngase, siç thonë, gjërat e kalbura e kalbin njëra -tjetrën. Ndaj, është shtruar edhe çështja se përse nuk mund të ketë akoma një shtet të fortë dhe të mirëfilltë ligjor dhe as njerëz të guximshëm, me etikë e integritet profesional, por edhe të aftë për të zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit në mënyrë të plotë!?

Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për Gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sikur është ngritur piramida e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, duke u shtrirë gjithandej nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, duke e vënë seriozisht në rrezik funksionimin e shtetit të së drejtës në vend, derisa, sipas tij, me gjyqtarë e prokurorë të korruptuar edhe sistemi mund të quhet i kalbëzuar dhe që është shkatërrues për demokracinë dhe të drejtat e liritë e njeriut, e që kështu këto të drejta abuzohen dhe shkelen pakrahasimisht nga njerëzit e drejtësisë.

” Prandaj, mbase është imperative reforma apo “vettingu” që do ta pastronte drejtësinë nga të korruptuarit dhe kështu të ndërtohet në themel një gjykatë e prokurori me njerëz të guximshëm, me integritet e etikë profesionale, por të aftë për të zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit plotësisht, derisa në këtë funksion do të kishim shtet të fortë ligjor dhe të pavarur nga grupet e interesit, politika apo ndikimet oligarkike”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Shteti i qelbur nga koka

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani ka bërë një krahasim në këtë drejtim, duke thënë se sistemi i drejtësisë në secilin vend është sikurse shtylla vertebrore për trupin e njeriut, e nëse ndonjë unazë e vertebrorit është lënduar, trupi i njeriut nuk ndjehet i qetë, derisa lëndimet e mëtutjeshme shpien drejt paralizimit. ” Prandaj m’u duk kjo ngjashmëri e përshtatshme për të analizuar sistemin e drejtësisë, i cili është duke e bankrotuar shtetin e ri të Kosovës. Por, askush nuk mundet ta thotë cili qenka interesi i prokurorëve, gjyqtarëve dhe komplet sistemit për të udhëhequr drejt dështimit dhe humnerës”, ka theksuar ai. Së këndejmi, Dibrani thotë se nuk do dyshim se ky sistem drejtësie është duke prodhuar padrejtësi të mëdha, pasi është duke dështuar demokracinë dhe tregun e lirë, derisa, siç tha, ky sistem kaq i plogësht ka ndikuar drejtpërdrejt në nivelin arsimor dhe shëndetësor, madje deri në zonat e thella ku punon fshatari kosovar ky sistem ia ka prekur interesin, prandaj sa më herët që të vetëdijesohen qytetarët është më mirë, sepse asnjë qytetar nuk është i mbrojtur nga një drejtësi kaq e kalbur.

” Prandaj, shteti i Kosovës po qelbet nga koka, ndërsa shpëtimi i saj mund të vijë vetëm me masa të ndërhyrjes së jashtme. Ndërkaq, shteti ligjor funksionon në demokracitë e konsoliduara, të cilat nuk ia falin besimin askujt. Bëhen ligjet të cilat ia verifikojnë mandatin secilit, prandaj kemi afera më të pakta sesa në vendet postkomuniste dhe në ato vende që kanë pasur konflikte të hapura dhe luftëra, siç ka qenë rasti me Kosovën. Por, Kosova do të ecë drejt reformave kur sistemi i drejtësisë do t’i besohet një brezi tjetër, i cili, përveçse është i aftë, nuk vuan nga e kaluara përplot ingranazhe dhe nuk është pjesë e krimit dhe korrupsionit, po ashtu nuk është pjesë e dështimit kaq të madh”, theksoi për Gazetën “Kosova Sot” analisti Shefqet Dibrani.

Pa ndryshime politike nuk ka reformë

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu thotë se në këtë aspekt duhet të ketë një klasë të re politike, e cila do të iniciojë çështjen e një sistemi të ri gjyqësor të pastruar, të pakorruptuar etj., gjë që, sipas tij, ne akoma nuk e kemi.

” Kjo është arsyeja se përse ne nuk e kemi pra akoma një shtet të fortë ligjor dhe as njerëz të guximshëm, me etikë e integritet profesional, por edhe të aftë për të zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit në mënyrë të plotë. Përndryshe, kjo drejtësi e tanishme është rrezik, veç të tjerash, edhe për demokracinë dhe të drejtat e liritë e njeriut, ngase gjërat e kalbura e kalbin njëra- tjetrën”, potencoi për Gazetën “Kosova Sot”

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu. Profesori tjetër universitar, Mazllum Baraliu mendon se për ta ndryshuar dhe për ta reformuar në tërësi gjendjen në sistemin e drejtësisë është e nevojshme që të forcohen dhe avancohen mekanizmat dhe instrumentet e brendshme të kontrollit dhe të përgjegjësisë ndaj bartësve të funksioneve përkatëse të drejtësisë, në mënyrë që,sipas tij, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, pastaj inspektoratet, menaxhmentet e gjykatave dhe administrata të rrisin intensitetin e angazhimit dhe përgjegjësisë së tyre si dhe ngritjen e efikasitetit në kryerjen e punëve dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

Më Shumë

Lamtumirë mësuesit dhe poetit Agim Kastrati

Mbledhja komemorative për mësuesin dhe poetin Agim Kastrati u organizua dje nga shkolla "Fehmi Agani" në Turjakë të Malishevës. Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetari...

Tha ky, tha ai … gazetaria!

Virtyt Gacaferri Me magjistraturë nga Universiteti i Kardifit dhe me 20 vjet përvojë gazetarie në Kosovë dhe më gjerë, si dhe me tekste të përkthyera...

Lajmet e Fundit