0.6 C
Prizren
E premte, 27 Dhjetor, 2024

30 ditë fushatë zgjedhore

Afishet e partivePartitë politike edhe në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do t’i kenë në dispozicion 30 ditë fushatë për ta shpalosur programin e tyre dhe për t’i kërkuar votat e qytetarëve për kandidatët për kryetarë komunash.

Rezultatet e punës trivjeçare të Komisionit për Reformë Zgjedhore nuk do të shijohen në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Sipas përfaqësuesve të partive politike, një gjë e tillë nuk do të mund të ndodhë për shkak të kohës së pamjaftueshme për t’u miratuar në Kuvendin e Kosovës ndryshimet e bëra në Ligjin e Zgjedhjeve, sipas të cilave, është paraparë përgjysmimi i fushatës zgjedhore nga 30 në 15 ditë.

Ish-kryetari i Komisionit për Reformë Zgjedhore, Haki Demolli, e ka vlerësuar të vështirë procesin e ndryshimit të kohëzgjatjes së fushatës zgjedhore. Demolli ka thënë për “Epokën e re” se nuk ka afat kohor të mjaftueshëm për ndryshimin e dispozitave ligjore. “Liderët politikë pas pushimit të mandatit të Komisionit për Reformë Zgjedhore u patën pajtuar që fushata të shkurtohet nga 30 në 15 ditë, meqë Kosova nuk është vend i madh dhe partitë politike mund ta shpalosin programin e tyre politik gjatë kësaj periudhe. Mirëpo, sipas të gjitha gjasave, edhe në këto zgjedhje fushata do të mbetet ashtu siç ka qenë. Edhe pse LDK-ja është që fushata elektorale të jetë më e shkurtër sesa 30 ditë, megjithatë nuk mendoj se ka afat kohor për ndryshimin e dispozitave ligjore”, ka thënë Demolli.

Edhe deputeti i PDK-së, njëherësh ish-anëtar i Komisionit për Reformë Zgjedhore, Behar Selimi, ka thënë se për shkak të procedurave do të jetë e pamundur të miratohen ndryshimet e bëra në Ligjin për Zgjedhjet. Megjithatë, ai ka thënë se legjislacioni aktual është mjaft i avancuar. “Nuk besoj se mund të arrijmë t’i bëjmë ndryshimet për shkaqe procedurale. Mendoj se nuk ka kohë. Prandaj në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit shkojmë me legjislacionin në fuqi, i cili është mjaft i avancuar”, ka deklaruar Selimi.

Ndërsa zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Erzen Vraniqi, ka thënë se në mungesë të vullnetit të partive politike zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të mbahen sipas ligjit të vjetër zgjedhor. Ai ka thënë se tani është shumë vonë për të bërë ndryshime, edhe pse Vetëvendosja që nga fillimi ka qenë që fushata të jetë 30 ditë. “Asnjë nga subjektet e tjera nuk ka pasur vullnet ta bëjë reformën e mirëfilltë zgjedhore, por të gjitha takimet kanë qenë sa për sy e faqe. Tani më nuk mund të ndryshohet asgjë, sepse është e përcaktuar që gjashtë muaj para zgjedhjeve nuk mund të preket ligji zgjedhor. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje! që në fillim ka qenë që fushata të zgjasë 30 ditë”, ka thënë Vraniqi.

Kurse deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka vlerësuar se 30 ditë fushatë janë të tepërta. Megjithatë, sipas saj, tani më kjo s’do të mund të ndryshohet. “Për çfarëdo ndryshimi tani është vonë kur, kemi parasysh se afatet ligjore nuk parashohin ndonjë ndryshim dy muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. Ligji për zgjedhjet duhet të ndryshohet të paktën gjashtë muaj para çdo afati zgjedhor në mënyrë që i njëjti të zbatohet dhe zgjedhjet të mbahen me ligj të ri. Prandaj konsideroj se tani është vonë për ndryshime dhe si rezultat gjithçka do të shkojë sipas ligjit aktual. 15 apo 30 ditë fushatë pak kanë rëndësi meqë në këtë vit zgjedhor fushata fillon më herët. Mendoj se 15 ditë fushatë do të jenë të mjaftueshme, por edhe në këto zgjedhje do të përballemi me 30 ditë fushatë”, ka deklaruar Kadaj-Bujupi.

Ndërsa deputetja e AKR-së, Myzejene Selmani, ka thënë se si për 15 ditë, po ashtu edhe për 30 ditë qytetarët do të jenë në gjendje të shohin se cili subjekt politik afron program më të mirë. Megjithatë, ajo ka thënë se më nuk ka kohë për t’u ndryshuar kohëzgjatja e fushatës elektorale. “Tek në javën e dytë të shtatorit mund të mbahet seanca e parë e Kuvendit të Kosovës, prandaj nuk e di se sa do të ketë kohë për ndryshimin e Ligjit për zgjedhje. Prandaj nuk jam optimiste që Ligji për zgjedhje me ndryshime të hyjë në fuqi para mbajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo, nëse programi është i qartë, si për 15 ditë, po ashtu edhe për 30 ditë qytetarët do të jenë në gjendje të shohin se cili subjekt politik afron program më të mirë”, ka deklaruar Selmani.

Më Shumë

Suhareka e refuzon kërkesën e Ballkanit që “Xhebrailat” të jenë në derbi

Tifozëri të tyre zyrtare nuk kanë. Por FC Suhareka po dëshiron që në derbin e qytetit, edhe Ballkani të luaj pa mbështetësit e tyre të...

Prizreni diskuton sfidat dhe objektivat në arsim për vitin e ri shkollor

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, zhvilluan sot një takim me drejtorët...

Lajmet e Fundit