4.8 C
Prizren
E diel, 17 Nëntor, 2024

Kushnini i Hasit, fshati i bukëpjekësve dhe traditës së lashtë

Fshati i parafundit në jugperëndim të Prizrenit është fshati Kushnin i Hasit, që ende ruan traditën. Veprimtari i hershëm të këtij fshati dhe njëherësh veteran i luftës së UÇK-së, Brahim Morina, është shprehur për “Kosova Sot” se në këtë fshat jetojnë 400 familje me mbi 3000 banorë.

“Është fshat kodrinor-malor, por me fusha të gjëra dhe pjellore, ka burimin e ujit të pijes, si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia më të mirin në rajon. Banorët jetojnë me tradita siç janë në gjithë rajonin e Hasit, por kohët e fundit vërehet një devijim nga traditat e vjetra”. Ka shtuar se megjithatë shumë nga ato thelbësoret ruhen me xhelozi.

Bujari e jashtëzakonshme ndërmjet banorëve

Ende në këtë fshat frymojnë dasmat e traditës dhe kanagjeqet, kurse rendi familjar respektohet.

“Fejesat dhe martesat e të rinjve me përqindje shumë të madhe bëhen përmes parapëlqimeve familjare që pasqyrojnë traditën e lashtë shqiptare, moshat gjithë ashtu respektohen në skajshmëri”, tregon plaku Asllan Morina.

Morina thekson se raportet ndërfqinjësore janë skajshmërisht të mira dhe ekziston bujari e jashtëzakonshme në mes të banorëve.

“Të ardhurat për familje bëhen kryesisht nga zanati i bukëpjekësit – zanat të cilin meshkujt nga mosha 18 e deri 60 vjeç e kryejnë me krenari, duke punuar nëpër të gjitha vendet e botës kryesisht në ato evropiane. Një fat i mirë vërehet vitet e fundit që rinia kanë filluar të arsimohet, duke mos pasur dallim gjinish, por që zanati i bukëpjekësit vërehet si pengesë për arsimimin e gjinisë mashkullore”, është shprehur ai. Shton se bujqësia është e zhvilluar në nivelin familjar, njëherësh mbi 90 për qind e familjeve kanë edhe bagëti të ndryshme për nevoja familjare.

Banorët i takojnë 100 për qind besimit fetar mysliman të rrugës së tarikatit besik Kaderi. Në fshat ekziston shkolla fillore 9- vjeçare, ndërsa ajo e mesme ndodhet 7 km larg, në fshatin Romajë, njëherësh ashtu është edhe ambulanca më e afërt e fshatit.

Fshati dha pesë dëshmorë

Brahim Morina pohon se shkolla posedon një infrastrukturë moderne dhe vlen të theksohet se, falë bashkëpunimit me DKA-në, e sidomos falë Drejtorisë së Arsimit dhe Komunës së Prizrenit, kanë arritur të investojnë afro 15,0000 euro.

“Jemi munduar që kjo shkollë pasi mban edhe emrin e dëshmorëve të jetë një institucion që krijon vlera arsimore për gjeneratat e ardhshme”, tregon për “Kosova Sot” Brahimi.

Ai shton se Kushnini i ka dhënë 5 dëshmorë atdheut dhe ishte korridori më i sigurt i luftës. Ai edhe vetë është veteran i luftës.

Fshati Kushnin i Hasit është një fshat me tradita të lashta të këtij rajoni. Atje është ruajtur si traditë e tërë ajo që dikur ishte përcjellë nga brezat e ndryshëm.

Ndërkaq, kuvendari nga Hasi, Gëzim Duraj, shpjegon se tani e shtatë vite vazhdimisht ka ngritur zërin që Hasit duhet t’i kthehet dinjiteti. Ai për “Kosova Sot” thekson se deri më tani hasjanët kanë dhënë kontribut me zejen e bukëpjekësit anekënd botës.

“Tash do të kthemi këtu të punojmë e përsëri të ndihmojmë me prodhimet tona”. Ai mendon se po vjen koha kur Hasi do të bëhet një pjesë e bukur e atdheut dhe rikthimi i banorëve rrit shpresat për gjallërim. (Kosova Sot)

Më Shumë

Përfshihet nga zjarri një shtëpi në Malishevë, nuk raportohet për të lënduar

Një shtëpi është përfshi nga zjarri të premten në Malishevë. Në raportin e policisë bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes përveç njësive relevante...

Latifi bën thirrje që të rishqyrtohet vendimi për refuzimin e projektit të Kooperativës Bujqësore “Krusha” të Fahrije Hotit

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka reaguar pas raportimit lidhur me vendimin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë për refuzimin e aplikimit...

Lajmet e Fundit