2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Kosova dhe disa probleme të saj

Krasniqi-Jakup5-21Shkruan: Jakup Krasniqi

Kosova sigurisht që ka shumë probleme, të cilat është vështirë të numërohen që të gjitha. Por këtyre ditëve të nxehta vere janë shfaqur në formë të përsëritur, më të theksuar dhe gjithsesi janë shqetësuese dhe me të drejtë kanë ngjallur shqetësim tek qytetarët tanë.

Në këtë rast do t’i veçoja disa syresh:

1. Siguria dhe sundimi i ligjit në Kosovë

Siguria dhe sundimi i ligjit në Kosovë lë për të dëshiruar shumë, madje tepër shumë. Siguria edhe katërmbëdhjetë vjet pas luftës çlirimtare e pesë vjet pas pavarësisë vazhdon të jetë tepër e brishtë. Vazhdon të udhëhiqet nga njerëz që nuk janë aspak kompetentë e të përgjegjshëm për t’ju përshtatur rrethanave tona. Ky nivel i dobët i pasigurisë që kemi për jetën, për familjen, për punën dhe pasurinë vazhdon të stimulohet edhe nga mosveprimi e mosfunksionimi profesional dhe efikas i Sistemit të Drejtësisë, dhe këtu para së gjithash mendoj në Prokurorinë e Shtetit dhe në Gjykatat tona si mekanizmat më përgjegjës për sundimin e rendit e të ligjit. Shumë forma të krimeve deri dhe ato ordinere po mbesin të pazbardhura dhe për pasojë edhe të pandëshkuara. Pra, qytetarëve tanë, para çdo gjëje u duhet garancia për jetën, për familjen, për pronën, për lirinë e fjalës, të lëvizjes së njerëzve e të mallrave, të punës e të organizimit demokratik në përgjithësi. Kështu nuk ndërtohet shteti i se drejtës, kështu nuk mund të këtë drejtësi sociale dhe perspektivë për qytetarët. Kështu dhe duke u lënë hapësirë fundamentalizmave primitiv ngado që vijnë ato (edhe ato të stilit të DDB-ës), nuk mund të integrohemi në vlerat Veri-Atlantike. Ne duhet ta saktsojmë qartësisht nga duhet të shkojmë: aty ku ishte synimi ynë historik apo aty ku ishte imponimi historike. Ne kameleon nuk duhet të bëhemi as në raport me perëndimin e as me lindjen. Rruga e jonë e pa alternativë, është integrimi në institucionet Veri-Atlantike.

2. Privatizimi i Postës dhe Telekomit (Valës)

Për çështjen rreth privatizimit të Postës dhe Telekomit (Valës) të Kosovës me kohë i kam renditur një sërë parregullsish të argumentuara mirë ndaj të cilave është dashur të reagojnë të gjitha pushtetet përgjegjëse. Kjo nuk ka ndodhur, që do të thotë është keq, madje tepër keq për shetin tonë të ri. Kjo që po ndodh këtyre ditëve, me këtë vonesë alarmante të kontratës së privatizimit të Valës është një dëshmi më tepër se në këtë shitje ka pasur dhe ka parregullsi të shumta. Edhe ekspertët tanë të posttelekomit kanë përsëritur në kontinuitet vërejtjet e argumentuara, por ato vërejtje kanë hasur në veshë të shurdhër. Kush duhet të reagojë ndaj kësaj parregullsie, nëse jo qeveria si pronare e pasurisë së shtetit dhe prokurori i shtetit?!

Papërgjegjësia e të parëve të politikës sonë, paaftësia e tyre për të drejtuar vendin e porsadalë nga lufta e egër, moskomunikimi i atyre njerëzve për interesin kombëtar, mosafrimi i ekspertëve të lëmenjve përktës rreth vetës, u ka lënë hapësirë matrapazëve vendorë e ndërkombëtarë të shkatërrojnë ekonominë e vendit. Ata lejuan sundimin e krimit e të kaosit në segmentet kryesore të jetës në Kosovë. Prishtina, kryeqyteti ynë është shembulli më i keq i kaosit urban, por as qytetet tjera nuk mbesin prapa. Prishtina dhe Kosova duhet të ndryshojnë, por a mund ta ndryshojnë ata që e kanë sjellë këtë gjendje? Këta njerëz, krejt çka kanë pasur mundësi dhe kanë ditur e kanë treguar, këta nuk dinë as më shumë e as më mirë. E çka është edhe më keq, ata as nuk dojnë të bëjnë punë të mira për vendin. Ata gjithëçka kombëtare ia kanë nënshtruar interesave personale. Riciklimi i tyre në cilëndo formë do të thotë riciklim i krejt asaj që kemi përjetuar gjatë viteve të shkuara. Zgjedhja do të jetë vetëm duke ndjekur rrugë të reja qeverisëse.

3. Skandalet ministrore

Është shqetësuese edhe rritja e skandaleve të ndryshme në institucionet tona, si në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe, sidomos, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, aty ku është edhe pasaporta kryesore e përfaqësimit të Kosovës në botën e jashtme. Dikush ata njerëz i ka emëruar në ato pozita dhe për këtë duhet dhënë sa më parë dorëheqje, por si duket dorëheqja si akt moral është në shoqëritë që kanë përgjegjësi e moral. Tek ne përgjegjësia dhe morali vazhdojnë të jenë malli më deficitar që ka Kosova sot. Së paku këtë e kemi parë gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës. Shqetësuese është edhe mënyra sesi vendosen njerëzit në drejtimin e të ashtuquajturave Institucione të Pavarura Kushtetuese si dhe mënyre sesi funksionojnë ato. Shqetësuese është mendjelehtësia e pranimit të detyrave të larta shtetërore si dhe dhënia e atyre përgjegjësive shtetërore nga përfaqësuesit e “zgjedhur” të popullit. Kjo legjislaturë (mos u përsërittë më), i konfirmon më së miri këto që u thanë. Asnjë nga ato institucione nuk udhëhiqen nga drejtues të mirë dhe ekspertë, pra ashtu siç parashihet me ligje. Pse veprohet kështu? Si duket qëllimi është për të pasur të gjitha institucionet vetëm një “shef” që vranë e kthjell. Kjo praktikë e shëmtuar duhet të ndërpritet. Kështu, si kemi vepruar deri sot, nuk ndërtohet shteti i se drejtës që ishte dhe është aspiratë e brezave. Ky qelbëzim institucional duhet të nderpritet me votën e qytetarëve të Kosovës.

4. Edukimi dhe arsimi

Edukimi dhe arsimi vazhdon të jetë një problem serioz në republikën tonë. Edhe shfaqjet e mungesës së edukatës në familjet e politikanëve duhet marrë me shqetësim do të thoja tepër të madh. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për deliktet e kryera kundërvajtëse a penale, por edhe për shpejtësinë e avancimit me mjetet më moderne e tepër të kushtueshme, si dhe me posedimin e palejueshëm e të paarsyeshëm të armëve sikur ato të ishin lodra fëmijësh.

Mua personalisht me vjen keq për gjeneratën e re, e cila do të duhej të kishte preokupime të tjera për veten, për familjen, për kombin dhe për vendin, sesa të bëhen objekte sulmi me të drejtë apo pa të drejtë. Politikanët, prindër të këtyre fëmijëve duhet të reflektojnë seriozisht, pasi ata nuk mund të amnistohen nga papërgjegjësia e skandalet e madha që u kanë dalë në sipërfaqe. Ata duhet ta kuptojnë në plotni peshën e përgjegjësisë publike që kanë marrë, sido që e kanë marrë atë.

Madje ata duhet ta dinë se, marrja e medieve të ndryshme me fëmijët e tyre adoleshentë, është tek papërgjegjësia e tyre politike, tek skandalet e tyre të përsëritura e jo tek faji i adoleshentëve. Përgjegjësia publike kudo e ka koston e vet bukur të rëndë, as në Kosovë nuk do të duhej të ishte ndryshe. Gjithsesi, adoleshentët në një shoqëri të civilizuar nuk do të duhej të bëheshin target i medieve profesionale që ndiejnë një përgjegjësi publike edhe kur prindërit e tyre janë personalitete politike. Ato, mediet, duhet të jenë oponencë e politikës në përgjithësi e jo e adoleshencës e cila meriton një përkujdesje tjetër të mbarë shoqërisë sonë e sidomos të të gjitha niveleve të edukimit e të arsimit të organizuar publik. Në raste të tilla target sulmesh e kritikash mediale do të duhej bërë sistemi i edukimit tek ne, si ai publik e po ashtu edhe ai privat.

A kemi pyetur ndonjëherë: Si funksionon Agjencia e Akreditimit e Kosovës? Cila është përgjegjësia e drejtuesve të kësaj Agjencie? Si u vendosën ata njerëz aty dhe mbi bazën e cilave kritere? Kur dhe ku ata dhanë prova se mund t’u besohet një përgjegjësi e nivelit të tillë kombëtar e profesional të një rëndësie të veçantë?!

Jam i bindur se me mënyrën sesi e kemi trajtuar sistemin e arsimit në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti, vendit dhe popullit tonë ia kemi garantuar stagnimin e përjetshëm. Populli dhe rinia jonë nuk e meritojnë këtë ndëshkim që po ia bëjnë kapadainjtë e politikës së muskujve, apo ata të shekullit të shkuar. “Vizionin” e këtyre njerëzve e kemi provuar tashmë thuaja 15 vjet, i cili nuk na shpie askund, veç në gllabërimin e pasurisë publike e kombëtare. Shtetarë vizionarë i duhen këtij vendi dhe këtij populli. Unë besoj që njerëz të tillë ka populli ynë, por ai duhet t’i gjejë vetë ata. Vota e vjedhur, e blerë apo e shitur dhe asnjë formë tjetër inskenimi a injektimi nuk i sjellë ata në drejtimin e shtetit. Këtë e kemi parë, si gjatë këtyre viteve të pasluftës si dhe gjatë 100-vjeteshin të shqiptarëve.

Më Shumë

Rahoveci ndalon përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësirat publike

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se gjatë festave të fundvitit ka urdhëruar ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike...

Trajnime falas për tregun e punës në Prizren

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren, bashkë me ITI Pro Kosova, do të organizojnë trajnime falas për tregun e punës. Ky trajnim mbështetet nga...

Lajmet e Fundit