Ambasadorja e Holandës në Kukës: Turizmi në Shqipëri po merr një hov të madh zhvillimi

Në kuadër të “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, Bashkia Kukës organizoi një aktivitet në Muzeun Etnografik të qytetit me synim promovimin e vlerave, ndërgjegjësimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore si pjesë integrale e identitetit tonë.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Dewi Van de Werd e cila përgëzoi iniciativën e Bashkisë Kukës për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe turizmit dhe nënvizoi se turizmi në Shqipëri, po merr një hov të madh zhvillimi.

Luan Përzhita, Drejtues i Institutit të Arkeologjisë duke theksuar rëndësinë e zonës së Kukësit në arkeologji e trashëgimi kulturore, për të pranishmit në aktivitet bëri një përmbledhje të historikut të qytetit të Kukësit dhe zonave të pellgut të Drinave.

“Duhet të ndjehemi krenar për ato që kemi trashëguar. Tani është momenti që edhe të tjerët të dinë rëndësinë e kësaj zone” u shpreh Përzhita.

Duke falenderuar pjesëmarrësit në këtë aktivitet Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu në fjalën e tij tha se promovimi i vlerave dhe trashëgimisë kulturore është një ndër prioritetet e Bashkisë edhe si pjesë e strategjisë për zhvillimin e turizmit.

“Duhet të bëjmë të pamundurën që turistët ti mbajmë sa më gjatë në Kukës dhe ti njohim ata jo vetëm me bukuritë natyrore por edhe me ato çfarë ne kemi trashëguar, qoftë me Kalanë e Pecës, Kalanë e Gradishtës, Muzeun apo Tumat Ilire në Çinamakë.” / KultPlus.com

 

Më Shumë

Tragjike, vdes polici pasi goditet nga vetura në pikën kufitare të Morinës

Ka humbur jetën Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pasojë e një aksidenti trafiku. Lajmi...

Universiteti i Prishtinës hap konkursin për pranimin e studentëve për vitin akademik 2026/2027

Universiteti i Prishtinës ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve në nivelin baçelor dhe master për vitin akademik...

Lajmet e Fundit