20.8 C
Prizren
E mërkurë, 17 Shtator, 2025

Shkronjat prej plumbi u sollën me arka nga Tirana në Prizren

Behlul Jashari

Para 73 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë.

Pas shpalljes nga Kuvendi të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të cilën Rilindja e mbështeti fuqimisht edhe me redaksionalin në faqen e parë me titull “Fillim i së nesërmes”, në 5 Korrik Serbia shpalli suprimimin e institucionave kosovare – Kuvendit e Qeverisë dhe masat e dhunëshme për gazetën e vetme shqiptare të Kosovës.

Masat e dhunëshme të Serbisë u refuzuan fuqishëm dhe gazeta Rilindja nuk u ndal, doli të nesërmen me komentin në faqen e parë më titull “Okupim klasik”.

Regjimi okupues i Beogradit në Kosovë, në situatë shtetrrethimi ushtarako-policor që kishte vendosur, në 7 Gusht 1990 ndaloi dhe mbylli me dhunë gazetën Rilindja.

Por, gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua, vijoi me shkrimet e gazetarëve të saj nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përditshme e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik.

Si kryeredaktor i parë-themeluesi i gazetës “Bujku” , duke marrë e botuar që nga numri i parë informacionet e Agjencisë Telegrafike Shqiptare-ATSH, themeluam edhe bashkëpunimet e para të mediave Kosovë-Shqipëri. Zyra e telexit të gazetës, që ishte lidhja e vetme e mundëshme nga Prishtina në Tiranë në atë kohë, u bë edhe zyrë e korrespondenturës së ATSH që kur nisa raportimet nga dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë.

Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunëshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.

E rikthyer në Kosovë, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.

Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me mëse 40 numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa.

Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare. Në ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajamruar: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.

Pas komunikimeve me gazetën Rilindja, qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën e 12 Shkurtit 2014 drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila në vazhdimësi është në mbështetje të së drejtës së gazetës tradicionale të Kosovës e punëtorëve të saj.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës është nënshkruar marrëveshje në 29 Janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës.

Çështja e 20 përqindëshit pritet të zgjidhet pasi të hyjë në fuqi Ligji me ndryshime e plotësime për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i miratuar në parim në 26 janar 2018 në Kuvend të Kosovës, ku është thënë se, “përmes këtij Projektligji synohet të krijohet edhe një mekanizëm për shpronësimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që janë të nevojshme për sektorin publik” dhe se, “nëpërmjet këtij mekanizmi Qeveria e Kosovës si autoritet shpronësues do të paguajë 20 përqind të mjeteve financiare dedikuar për punëtorët përfitues të ndërmarrjeve shoqërore”.

Më Shumë

Zbulohen substanca narkotike në pikën kufitare në Vërmicë, i dyshuari dorëzohet në DHTN Prizren

Dogana e Kosovës njofton se më datë 11 shtator 2025, rreth orës 09:30, në pikën kufitare në Vërmicë, gjatë kontrolleve rutinore, zyrtarët doganorë në...

Në muajin korrik kanë vdekur 876 persona në Kosovë

Gjatë muajit korrik 2025, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 876 raste të vdekjeve, përfshirë ato të ndodhura brenda dhe jashtë vendit, sipas të dhënave...

Lajmet e Fundit