1.7 C
Prizren
E diel, 18 Janar, 2026

Harrohet dëshmori Milaim Krasniqi

Familja e dëshmorit, Milaim Krasniqi nga fshati Pastasellë e Rahovecit, ndjehet e zhgënjyer me drejtuesit e shkollës së fshatit e cila mban emrin e dëshmorit, për mungesë të organizimit të ndonjë aktiviteti përkujtimor në ditën e rëniës së dëshmorit.

Familja Krasniqi nga Pastasella dhe të afërm të tyre, kishin vizituar vendin e rënies së birit të tyre, Milaimit, në Vrajakë të Rahovecit.

Por babai Isa dhe nëna Shemsia, përkundër se i mbante krenaria për të birin që ia falen lirisë së Kosovës, ishin të zhgënjyer se pa asnjë lloj aktiviteti, nuk po përkujtohej në 20 vjetorin e rënies djali i tyre dëshmor nga shkolla e fshatit, e cila mban emrin e tij.

Edhe vëllau i dëshmorit, Bashkimi, thotë të jetë i zhgënjyer me këtë veprim të drejtuesve të shkollës, pasi që pikërisht data e rënies së Milaimit dhe dëshmorëve të Vrajakës, është caktuar si fillimi i “Javës së Dëshmorëve të Komunës” në Rahovec.

Në anën tjetër, drejtori i shkollës , Destan Krasniqi, thotë të jenë mbajtur disa aktivitete në shkollë me nxënësit, por jo edhe ndonjë manifestim qendror i shënimit të Ditës së Shkollës që e mban me krenari emrin e dëshmorit, Milaim Krasniqi.

Ndryshe, vitin e kaluar me një manifestim përkujtimor, ishte bërë edhe zbulimi i bustit të dëshmorit në oborrin e shkollës së këtij fshati.

Dëshmori Milaim Krasniqi, kishte lënë luksin e perëndimit pas shpërthimit të luftës në Kosovë, duke iu bashkuar UÇK-së me ç’rast kishte rënë në altarin e Lirisë me 12 Maj të vitit 1998 në Vrajakë të Rahovecit./tvprizreni.com/

Më Shumë

Rrëshqitje gurësh dhe dheu bllokon aksin rrugor Krushevë–Restelicë në Dragash

Si pasojë e rrëshqitjes së gurëve dhe dheut, është bllokuar aksi rrugor nacional Krushevë–Restelicë, në komunën e Dragashit. Kompania kontraktore është nisur drejt lokacionit...

Behar Brenoli riemërohet drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Dragash

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka bërë të ditur se ka riemëruar Behar Brenolin në pozitën e drejtorit të Drejtorisë për Shëndetësi...

Lajmet e Fundit