Me një manifestim përkujtimor, në kompleksin e varrezave të martirëve në Korishë, janë përkujtuar 77 civilët e vrarë para 19 vitesh, të cilët ishin përdorur mburojë e gjallë nga serbët karshi sulmeve ajrore të Nato-s.
Pjesë e këtij tubimi ishin familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, banorë të Korishës dhe fshatrave përreth si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Në emër të Këshillit Organizativ të manifestimit, ka folur Rexhë Ukaj, i cili në mes tjerash tha se në këtë ditë para 19 vitesh, korishasit i kaploi tmerri i përgjakur pas kurthit që bënë armiqtë ndaj popullatës civile, duke shkaktuar dhjetëra të vrarë e të plagosur, në mesin e të cilëve të moshuar dhe fëmijë.
Ai gjithashtu kërkoi nga institucionet lokale, që sa më shpejtë të interevenojnë në rregullimin e projektit të Memorialit të Martirëve, i cili projekt ka dështuar disa herë, u shpreh i shqetësuar ai.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se krimet sikurse kjo që ka ndodhur në Korishë shumë pak janë të dokumentuara, dhe për këtë çështje duhet të angazhohemi të gjithë që autorët e krimeve të vihen para drejtësisë. Ai tha se Prizrenit i nevojitet një Muze ku do të bëhen të ditura të gjitha krimet gjakatare, por edhe të promovohet lufta e drejtë për Liri e UÇK-së.
Ai gjithashtu tha se do të angazhohet maksimalisht në realizimin e projektit të Memorialit të Martirëve në Korishë, dhe tregoi se paratë për këtë projekt janë marrë, dhe shprehu habinë pse një gjë e tillë nuk është përfunduar.
Ndërkaq, komandanti i UÇK-së së ish batalionit të dytë të Kabashit, Lulzim Kabashi, dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Korisha, Arbër Rexhaj, thanë se ishte gjaku i dëshmorëve, martirëve dhe viktimave të pafajshme , gjëja më e shtrenjtë që vuri gurthemelin e Lirisë së Kosovës.
Në emër të familjeve të martirëve të Korishë, ka folur Hasan Ahmetaj, i cili tha ngjarja e 13 Majit të vitit 1999 është pjesë e dhimbshme e historisë sonë. Pas fjalimeve dhe shfaqjes së një programi artistik nga nxënësit e shkollës “ Dëshmorët e Kabashit”, janë bërë homazhe dhe janë vendosur buqeta lulesh në varret e martirëve./tvprizreni.com/