2.5 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Nën kufomën e një gruaje

pikturaaaaaaAjo ishte një grua e panjohur. Xhevdet Spahija nuk e di në vështrimin e saj e kishte hasur në ndonjë nga rrugicat e ngushta të Gjakovës, teksa shkonte për tek Ura e Drinit për të pikturuar.

Ajo mund të ketë qenë shqiptare, por ndoshta dhe serbe. Për vite me radhë, imazhi i saj i fashitej në mendje sa herë ulej përballë një telajoje për të pikturuar. Imazhi i saj, ashtu i ardhur nga e panjohura duke e torturuar me torturën që mund të kishte përjetuar poshtë asaj ure, mbi të cilën ai shkonte çdo ditë. “Nuk kam për ta harruar asnjëherë një ditë në Gjakovë, kur shkova të pikturoja peizazhin që shfaqej përtej Urës së Drinit. Teksa po vijoja të pikturoja, vjen policia dhe e rrethon urën. Poshtë urës ndodhej kufoma e një gruaje, e cila mund të kishte mbetur e vrarë gjatë luftës…”, thotë artisti nga Kosova, Xhevdet Spahija.

Ky ka qenë një moment i vështirë në jetën e piktorit, një moment që i rikthehej sërish për vite me radhë… “Pas luftës kam pikturuar tmerrin”, thotë ai. Prishja e shtëpive, humbja e njerëzve të njohur, aroma e barutit kanë lënë gjurmë në pikturën e Xhevdet Spahiut. Është një gjurmë e cila ndihet në gjithë krijimtarinë e artistëve nga Kosova të asaj periudhe, pasi nuk mund t’i shmangeshe realitetit. Nuk mund të pikturosh diçka të bukur, nëse ajo nuk është brenda teje. Lufta dogji gjithçka të bukur… Por kaq vite pas luftës së Kosovës, brengave dhe kujtimeve të trishta që mbart diku në kujtesë, Xhevdet Spahija duket se ka gjetur forcë për t’iu rikthyer momenteve të bukura.

Në ekspozitën personale që ka hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar prej dy ditësh, imazhet në mure tregojnë një tjetër botë brenda tij. Xhevdet Baraj i është rikthyer së bukurës, i bindur se arti duhet t’i dorëzohet vetëm asaj. Bri tablove që tregojnë peizazhet e pafundme të Pejës, Gjakovës, shfaqen një seri nudosh të realizuara prej tij në vite. “Pse mos të shndërrohet e bukura në art”, thotë ai, teksa të tregon femrat që fshehin fytyrat nën trupin e zhveshur. Trupi i një femre tregon jetën e saj… Xhevdet Spahija është munduar të japë personalitetin e çdonjërës në ravijëzimin e formave… Në fushën e blertë, një vajzë qëndron e zhveshur e kthyer me kurriz, për të fshehur fytyrën. Nga moria e tablove nudo, pjesa më e madhe e të cilave janë të imagjinuara, kjo është një situatë reale. Piktori tregon se fytyra e saj ishte po aq e bukur sa trupi dhe se në atë fushë të mbushur plot bar ajo qëndronte në sinkron me natyrën… Janë të pakta modelet në Kosovë, apo Shqipëri që e bëjnë të ditur identitetin e tyre duke u shfaqur me fytyrë.. Te një nudo e rëndësishme është trupi…Dhe me trupin e tyre këto vajza flasin më shumë sesa me vështrime…  “Ato janë kthyer me fytyrë në krahun e kundërt, pasi nuk duan të zbulojnë kush janë”, thotë ai.

Por dhe pse të fshehura ato reflektojnë paqe. Xhevdet Spahija e sheh nudon si një formë të lartë të pikturës. Në një kohë kur artistët sot janë të tërhequr nga arti abstrakt, ai vazhdon të endet në situata reale, i bindur se ato më shumë se abstraksioni tregojnë të vërtetat njerëzore. “Nuk mund të kalosh në abstraksion pa prekur realen”, thotë ai. Por femrat e rrëfyera prej tij nuk janë gjithmonë të lumtura… Përmes trupit të tyre të zhveshur ai do të tregojë gjithë tranzicionin e gjatë moral e shpirtëror të femrës në këto kohë shpesh të vështira, dhe të nxjerrë në pah dëshirat që ka secila prej tyre për t’u ndier e dashuruar. Kjo formë po kaq e vjetër sa dhe vetë njerëzimi i artit është parë si diçka e cila nuk përçon vlera për vetë mënyrën sesi ka qenë ndërtuar sistemi në Kosovë. Por Xhevdet Spahija ka guxuar, i bindur se përmes ngjyrave ai mund të shkelë dhe në zona të ndaluara. Në të gjitha këto tablo ai ndihet i lirë. I lirë, pasi përmes imagjinatës, ai ka mundur të takojë ato femra dhe t’i sjellë në telajo. Gjithë nudot e tij janë imagjinatë… Kjo është ekspozita e tetë e piktorit nga Gjakova. Në morinë e ekspozitave të hapura këto vite ai kujton më së miri atë të vitit 2007 në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë, ku ekspozoi bashkë me ambasadorin grek të asaj kohe në Prishtinë. Piktura ka lindur herët brenda tij, dhe në vite është rritur në koncept e formë.

Në punimet e prezantuara në ekspozitën e Muzeut Historik Kombëtar nuk mungojnë edhe peizazhet shqiptare si derdhja e Bunës, realizuar në pjesëmarrjen e Kolonisë së piktorëve mbarëshqiptar. Piktura e tij është e përqendruar në disa cikle dhe një vend të veçantë zënë legjendat shqiptare si “Kush e solli Doruntinën”. Pikturat i përkasin frymës surrealiste, ku dominojnë ngjyrat e ndezura, si e verdha, e kuqja, e kaltra etj. Në 64 punimet mbizotëron teknika e vajit, si dhe tematika shqiptare, krijuar herë në formë reale, por nuk mungon psikanaliza. Në aktivitetin e tij artistik, piktori Spahija ka përfaqësuar artistët shqiptarë në Bienalen e 5 Ndërkombëtare “Aortë Zgjimi Përjetësie”, ku merrnin pjesë përfaqësues nga 131 shtete. “E veçanta e punimeve të krijuesit Spahija është figuracioni dhe hapësira, disi të unifikuara, që janë joshëse në mes tragjikes dhe dramës, frymës dhe lëvizjes, shkërmoqjes në nivelin e lartë të surrealizmit”, shprehet  kritiku i artit, Ilir Muharremi.

Më Shumë

Kryeparlamentarja e Shqipërisë: Kam lindur në Tiranë por me shtëpi zemre jam nga Prishtina e Prizreni

Sot po mbahet seanca e përbashkët e kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë. Kryetarja e Kuvendit...

192 vjet nga lindja e prijësit ushtarak Haxhi Zeka

Haxhi Zekë Byberi, i njohur si Haxhi Zeka, ka qenë ndër organizatorët e Lidhjes së Prizrenit dhe përkrahës i krahut autonomist të saj, drejtues...

Lajmet e Fundit