10.2 C
Prizren
E diel, 2 Shkurt, 2025

Sherife Luta, gruaja simbol e eksodit të Kosovës

Thonë se një fotografi vlen sa njëmijë fjalë. Është një moment i kapur nga aparati i fotografit boshnjak të agjencisë Reuters, Damir Sagolj, që e ktheu Sherife Lutën nga Kosova në simbolin e refugjatëve kosovarë të Bllacës së Maqedonisë 18 vite më parë.

Sherife Luta asokohe ishte 22 vjeçe dhe mbante në gji vajzën e saj 6-muajshe, Besën. Ditën e 8 marsit 1999, ajo ishte një grua që doli nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë në Kaçanik të Kosovës.

Bashkëshorti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare, së bashku me burrat e tjerë të rinj e të fuqishëm.

Ndërsa Sherifja, një nënë e re, e paveshur, me pelenën e vajzës në kokë, e pangrënë, në një mot të ftohtë e me dëborë, eci për afro një muaj të tërë në këmbë me mijëra banorë te tjerë që po përpiqeshin t’i shpëtonin luftës. Deri në datën 3 ose 4 prill, kur u shkrep dhe fotografia që hyri në histori.

Duke folur për herë të parë për një televizion shqiptar, protagonistet e fotografisë, Sherife dhe Besa Luta, kanë rrëfyer vështirësitë e atij rrugëtimi dhe habinë kur kanë parë foton.

“Pasi kishim ecur 24 orë pa ndërprerje, vajza ngriu dhe nuk qante më. Kishte ngrirë. Mendova që kishte vdekur. E mori kunata ime dhe e futi në furrë të sobës të një shtëpie në Bllacë.

Pas dhjetë minutash nisi të qante dhe refugjatët e tjerë nisën të duartrokisnin. Aty nisa të qaj. Kisha shumë emocione”, tregon e përlotur Sherife Luta.

Ajo tregon gjithashtu se si, gjatë eksodit, shumë njerëz i humbnin ndjenjat, rrinin ditë të tëra pa ngrënë, madje ka pasur dhe gra që kanë lindur maleve. Ato i janë mirënjohëse fotografit boshnjak.

“Do të donim ta takonim fotografin dhe ta falenderonim. Habitem si e ka kapur këtë foto që ka tronditur botën”, thotë Besa.

Përveç fotografisë, ata e ruajnë edhe sot e kësaj dite edhe batanijen që e mbështillte Besën atë ditë.

Më pas, pjesë e intervistës është bërë edhe kryefamiljari Mirvat Lutaj, invalid i luftës së Kosovës.

Ai tha se ishte shumë e vështirë të ndahej nga gruaja dhe nga vajza dhe thekson se lufta ka kosto dhe sakrifica. Pasi u ritakuan, në qershor, familja Lutaj e ndërtoi një shtëpi te re në Kaçanik të Vetër dhe u shtua edhe me dy djem.

Tashmë ato ditë të vështira mbijetese kanë mbetur pas. Vendin e ftohtësisë dhe frikës, e kanë zënë pranvera dhe paqja.

Më Shumë

Partizani fiton në Prizren

Partizani fitoi në Prizren ndaj Junior 06 Moni Bau me shifrat 70:83 (21:23, 8:15, 22:30, 19:15), në javën e gjashtë të Liga Unike Femrat. Derisa...

35 milionë euro për 22 kilometrat e para të rrugës Prizren-Tetovë

Punimet në rrugën Prizren-Tetovë u inspektuan nga ministri i Infrastrukturës i Kosovës Liburn, Aliu dhe ministri i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Aleksandër Nikoloski....

Lajmet e Fundit