Në seancën gjyqësore të së premtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, njëri nga tre të akuzuarit për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje, Burim Hundozi e ka pranuar fajësinë.
Ndërsa, të pafajshëm janë deklaruar dy të akuzuarit e tjerë, Haxhi Haxhimustafa dhe Vadet Ondozi.
Në këtë rast, ka qenë i akuzuar edhe Hysen Alisallahu, por për shkak se ai gjendet jashtë shtetit, tash e gjashtë vjet, procedura ndaj tij ishte veçuar.
Në këtë seancë, palët në procedurë kanë dhënë edhe fjalët e tyre përfundimtare, ku prokurorja Mone Syla, ka deklaruar se për të akuzuarit ka prova të mjaftueshme në shkresat e lëndës se kanë kryer veprën penale të vjedhjes në bashkëkryerje.
Sipas saj, duke u mbështetur edhe në deklaratën e të dëmtuarit Skender Hundozi, i cili thotë se të njëjtin aparat është e pamundur të lëvizet ose bartet nga një person, ajo ka kërkuar nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
I dëmtuari Skender Hundozi, ka thënë se mbështet deklaratën e prokurores Syla, ndërsa për dëmin do të parashtrojë kërkesën pasurore juridike në vlerë prej 1150 euro.
Pasi që i akuzuari Hundozi e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje për rastin që ka ndodhur, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Ndërsa, dy të akuzuarit e tjerë Haxhi Haxhimustafa dhe Vadet Ondozi, duke mohuar fajësinë, kanë kërkuar nga gjykata që të shpallen të pafajshëm.
Në këtë seancë, të akuzuarit janë marr në pyetje nga prokurorja Syla si dhe kanë dhënë edhe mbrojtjen e tyre.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Mone Syla, i akuzuari Burim Hundozi, ka thënë se kur ka ndodhur rasti, ka qenë së bashku me të akuzuarin Hysen Alisallahu.
“Në mbrëmje jam takuar me Hysenin kemi pirë tek lokali Randevu, më vonë kur kamarieri ka shkuar ne banjo, Hyseni ka hapur dritaren dhe e ka lanë të hapur e me vonë kur jemi kthyer tek lokali pasi që më par kemi qenë me një muzikë ‘live’, Hyseni ka hyrë dhe aparatin e cigareve e ka qitë për dritare dhe së bashku e kemi qitë në kerr dhe e kemi dërguar në vreshtë, ku e kemi hapur dhe kemi marr cigaret”, ka deklaruar i akuzuari Hundozi.
Prokurorja e ka pyetur të akuzuarin tjetër Haxhimustafa, se përse në prokurori i akuzuari Hundozi kishte përmendur edhe emrin e tij, ai ka thënë se ato çfarë ka deklaruar Hundozi, janë gënjeshtra.
“Në ditën kritike kam qenë në lokal, kemi pirë me Vadet Ondozin, por nuk kemi qenë bashkë me dy të akuzuarit tjerë. Unë nuk kam qenë për me vjedh, Burimi ditën e nesërme pas vjedhjes ka ardh në shitoren time me ka lutur për t’i blerë cigaret, por un nuk kam pranuar e për këtë ndoshta më ka akuzuar”, ka thënë i akuzuar Haxhimustafa.
Kurse, në shqyrtimin gjyqësor të së premtes, ka dhënë mbrojtjen e tij edhe i akuzuari Vadet Ondozi, i cili ka thënë se nuk e din pse është përfshirë në këtë rast, pasi që sipas tij, ai nuk është fajtor.
“Unë as në kohën kur ka ndodh vjedhja, por edhe tash unë nuk bisedoj me Burimin, pasi që kam pasur disa probleme me të, ndërsa për çfarë arsye më ka përfshirë në këtë rast i akuzuari është këtu pyeteni atë”, ka thënë ai.
Shpallja e aktgjykimit, është caktuar të bëhet më 26 nëntor 2018, në ora 10:00.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur më 10 qershor 2013, të pandehurit akuzohen për veprën penale vjedhje e rëndë në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit më 19 prill 2012, në bashkëkryerje me qëllim që vetit t’i sjellin përfitime pasurore të kundërligjshme, janë marr vesh ndërmjet vete dhe i kanë ndarë rolet, me ç’rast me forcë kanë hyrë në lokalin “Randevu”, pronë e të dëmtuarit Skender Hundozi nga Rahoveci.
Në aktakuzë thuhet se vjedhja ka ndodhur në atë mënyrë që Haxhi Haxhimustafa e ka hapur me force dritaren e lokalit, nëpërmjet saj kanë depërtuar brenda dhe kanë vjedhur aparatin e cigareve dhe një portofol me tre euro para të gatshme, e kanë bartur dhe dërguar në vendin e quajtur “Fusha e Tubës” dhe pastaj e kanë hapur me forcë dhe nga i njëjti kanë vjedhur 10 euro apoena metalike dhe 40 pako cigare të llojeve “Marlboro”, “Kent”, “Vinston”, të cilat i kanë ndarë në katër pjesë të barabarta dhe janë larguar në drejtim të panjohur.