Arben Veselaj
(Duke e lexuar librin “Kur sunduesit grinden” nga Ismail Kadare, botoi “Onufri”, Tiranë 2018)
Brenda letërsisë së Kadaresë, ashtu siç ka një “korpus të romaneve osmane” ka dhe një “korpus sovjetik”, nga i cili kanë dalë shumë vepra që japin mesazhe të fuqishme përtej kufijve kohorë. E, brenda “korpusit sovjetik” libri më i ri “Kur sunduesit grinden”, pa dyshim se do të radhitet në Panteonin e kryeveprave të letërsisë antitotalitare.
Temën e madhe të letërsisë – opozicionin mes shtetit dhe individit, apo më ekzaktësisht marrëdhënien shkrimtari – diktatura, Ismail Kadare e ka trajtuar në shumë vepra të tij, por libri i fundit “Kur sunduesit grinden”, siç duket, ia ka dhënë vulën këtij opusi. As krejt tregim, as krejt ese, as krejt roman, por një meditim krejt i veçantë letrar, ky libër është një shkrirje midis gjinish letrare, i cili na shfaq një botë ku zhvillohet lufta e lashtë midis dy të kundërtave: lavdisë së shkrimtarëve, në njërën anë, dhe mizorisë së diktatorëve, në anën tjetër.
Kjo “sprovë” më e re e Kadaresë duket se i ka vënë në dilema edhe vet studiuesit e letërsisë pasi që ata nuk po arrijnë dot ta klasifikojnë dhe ta krahasojnë këtë vepër me asnjë model pararendës, jo vetëm në letrat shqipe. Vepra ngjan me një tregim hetuesie, por mund të lexohet edhe si biografi letrare; është sa përsiatje eseistike, po aq edhe një kronikë publicistike; do të thoshim diçka mes exegesis-it (të vërtetës historike) dhe diegesis-it (të vërtetës artistike).
Tek kjo vepër, si rrallë tek ndonjë tjetër, Kadareja na shfaqet me narracionin e tij të famshëm – alla kadareançe, kur linja rrëfimore e autorit-narrator dhe ajo e një rrëfimtari të dytë në sfond (të padukshmit, rrëfimtarit empirik), shkrihet në një dhe na jep një prozë unike letrare.
Kur sunduesit grinden” (me nëntitullin “Rreth misterit të telefonimin Stalin-Pastërnak”) të kujton romanet filozofike të shekullit XIX, por, sidoqoftë, mund të thuhet se modelit të kësaj vepre më së shumti i përafrohet tregimi “Ikja e Shtërgut” (1986) nga po ky autor. Njëjtë sikurse Pasternakun tek “Kur sunduesit grinden”, edhe tek tregimi “Ikja e Shtërgut” Kadareja sikur dëshiron ta ringjall së vdekurish figurën përtejkohore të shkrimtarit të mohuar – në rastin e dytë të poetit shqiptar, Lasgush Poradeci. Kadareja na shfaq Lasgushin e pavdekshëm, në të perënduar të jetës së tij, klasikun e gjallë të letërsisë shqipe, të cilin doktrina letrare dhe politike e realizmit socialist shqiptar e kishte nëpërkëmbur, duke e ekskomunikuar nga letërsia dhe lëçitur nga elita, si një relikt të tepërt që vinte nga “bota e vjetër”. Por ky ekskomunikim dhe kjo lëçitje nuk e zhbënin dot Lasgushin – përkundrazi, ai na shfaqet në letërsinë e Kadaresë edhe më madhështor “në vetminë e fildishtë”.
Me 13 versione rrëfimesh mbi njërën nga bisedat më të vështira të zhvilluara ndonjëherë mes një shkrimtari dhe një diktatori, ka bërë që Kadareja me veprën “Kur sunduesit grinden” t’i jap jo vetëm letërsisë shqipe por edhe asaj botërore një monument letrar me të cilin përjetësohet lavdia e shkrimtarëve të mëdhenj përball paranojës së sunduesve diktatorialë.
“E vërteta historike” dhe “e vërteta letrare” mes autorit-narrator (Ismail Kadaresë) dhe subjektit letrar (Boris Pasternakut) në këtë vepër, na jep trilerin më të saktë mbi ankthit e gjatë komunist. Ashtu si Boris Pasternaku, i cili s’kishte pranuar (guxuar) ta qaste nderimin që ia bënte bota Perëndimore më 1958 me çmimin Nobël (më 1958 shkrimtari frëng, Albert Camus e nominoi Boris Pasternakun për çmimin Nobel, por nga presionet e komunistëve sovjetikë ai refuzoi ta merrte atë), ashtu edhe Ismail Kadare, siç duket, e ka vuajtur shumë gjatë ankthin e të qenit shkrimtar botëror në Shqipërinë e kohës izolacionizmit komunist. Në pikun e regjimit të famëkeqit Stalin, Boris Pasternak konsiderohej poeti më i madh sovjetik.
Autor i disa veprave me poezi të cilat u thurnin himne komunistëve, askush nuk do të besonte se një ditë ai do ta shkruante një roman që synonte rrënimin e rendit komunist. Pasternaku shkroi romanin problematik “Doktor Zhivago” i cili me tone epike e autobiografike flet për mjekun-poet, ish-aristokratin, Yuri Zhivagon, jeta e të cilit shkatërrohet në kohën e Revolucionit Socialist. Mejku Zhivago është alter-egoja (vetja e dytë) e Pasternakut. Ashtu si personazhi, edhe vet autori i tij, ishin viktima të regjimit komunist sovjetik, që kishte përmbysur gjithçka nga shkëlqimi i vjetër rus. Por, në veprën e Kadaresë “Kur sunduesit grinden” nuk është subjekt kryevepra e Pastërnakut “Doktor Zhivago” – është telefonata që atij ia bëri Stalini në vitin e vështirë 1934, për ta komentuar arrestimin e mikut të tij poet, Osip Mandelshtam, për shkak të një poezie satirike ku përgojohej Stalini si “maloku i Kremlinit”. Udhëheqësi i proletariatit botëror e kishte telefonuar Pastërnakun për ta pyetur se ç’mendim kishte për Mandelshtamin. Kurrë nuk ishte kuptuar se si i ishte përgjigjur Pasternaku Stalinit për mikun e tij, por ajo që u kuptua – sot a atëherë, është se Stalini, në fund të fundit, nuk këmbëngulte në burgosjen as të Mandeshtamit e as të Pasternakut, por në poshtërimin e tyre. Ai s’e duronte lavdinë e shkrimtarëve, andaj synonte t’i nxiste ata në një luftë paranojash e pabesish, ashtu siç bënte vetë me “shokët e Revolucionit”, të cilët i vriste për çdo ditë.
Duke shtjelluar ankthin totalitarist në 13 versione, Kadareja pahetueshëm e shkanë lexuesin në ingranazhin e neveritshëm të mendimit kauzitar, të mendimit me unanimitet, të mendimit që privon individualitetin dhe spiritualitetin. Përgjigjja e Pastërnakut: “Ne jemi ndryshe, shoku Stalin, Mandelshtami shkruan në një rrymë tjetër”, si dhe kundërpërgjigja e menjëhershme e Stalinit: “Ti nuk qenka kurrfarë shoku, Pastërnak, ne bolshevikët e vjetër i mbronim shokët tanë”, na jep tablonë mbi tjetërsimin e detyrueshëm të shpirtit njerëzor.
Kadareja, siç duket, e ka gjetur tek figura e Patërnakut jo vetëm subjektin anti-totalitarian të letërsisë së tij, por edhe modelin jetësor e jetëshkrimor të shkrimtarit, nga pësimet e të cilit ai e ndërtoi vizionin për “bashkëjetesë” me diktaturën komuniste shqiptare.