21.7 C
Prizren
E diel, 27 Korrik, 2025

Prej bjeshkës e pashë qysh digjet fshati

Poezi nga Gili Hoxhaj

Prej bjeshkës e pashë qysh digjet fshati,

qysh niset lufta

e qysh ndalet kanga.

Qysh u shpërndanë zogjtë prej krismave

kur para syve na e vodhën pranverën.

Tu e pa tymin që dilte prej shpisë,

mu duk’ që po ma djegë fmininë e djalit,

krenarinë e burrit,

e mundin e plakut që

ma s’kollitej,  por lutej për ata që si kish pranë.

S’kisha ba kurrë kaq hapa larg shpisë,

se çdo ditë

aty e kam tymos oxhakun

për t’i dhënë ngrohtësi shpisë,

e shije gjellës.

Atë ditë mendoja se a do t’i gjejmë të paktën themelet

e

ndoshta ata nga larg do ta paguajnë për neve biletën e kthimit.

Sa e vështirë ish me i pa ditët tua tu u djegë,

qysh hapat bahen  ma të randë

se pesha e çantave në shpinë,

e gjërave që doja t’i shpëtoja;

edhe

ajri ish ma i randë

se fëmija që e mbaja ngrykë.

Ai veç sa kish msu me ecë,

nuk i harroj

hapat e tij të parë  mbi rrugën e pasigurtë,

ato ditë kur dukej se të gjithë kishim harru qysh ecet.

S’kujtonim se kush ishim:

Shtegtarë të lirsë,

a të vdekjes.

Krejt ishim përmbledhur në një identiet,

e ashtu

rrugën e morëm bashkë,

disa i pamë të vdekur,

e disa i pamë tek vinin në jetë

pranë zjarrit të ndezur shpejtë.

Aty pranë, njërit ia vunë emrin Çlirimtar e tjetrit Atdhe,

duke shpresuar se do të ktheheshim në atdheun e çliruar,

por

A do të çlirohemi ndonjëherë nga ndjesia e tmerrshme e kujtimit?


Flinim ma pak se sa që flisnim,

plaku i shpisë ndezi të fundit cigare

derisa rrudhat ia bënë shikimin më të butë,

‘do ta ndërtojmë shtëpinë e re

mbi kujtimet e vjetra’,

Në fyt më janë pllakosur fjalët

që kurrë si kam përbi:

‘Shtëpinë e ndërtojmë

por dhomat me çka t’i mbushim’.

Më Shumë

Eda Vllaco, pianistja prizrenase fituese e “Nouvelles Étoiles” në Paris, përgatitet për recital në Romë më 16 gusht

Pianistja e njohur prizrenase, Eda Vllaco — emër i dalluar në muzikën klasike dhe fituese e shumë çmimeve në gara ndërkombëtare — ka triumfuar...

Aksident në Prizren, të përfshira së paku dy automjete

Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e së hënës në Prizren. Bazuar në pamjet që kanë dërguar lexues të Klankosova.tv, në aksident shihet se janë...

Lajmet e Fundit