2.4 C
Prizren
E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Çahet koalicioni në Prizren

Koalicioni Vetëvendosje, LDK dhe Nisma, po shkon drejt çarjes në Prizren. Mospajtimet e tyre kanë dal në pah në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.

Ajo u  bojkotua nga kuvendarët e LDK-së.

Kuvendari i LDK-së, Petrit Hoxhaj, tregon se subjekti i tij politik, do të vazhdojë bojkotimin e  seancës së  Kuvendit.

“LDK nuk merr pjesë në seancën e jashtëzakonshme te thirrur nga kryetari Mytaher Haskuka, derisa të konkretizohen të gjitha marrëveshjet paraprake për një bashkëqeverisje të mirëfilltë “, thotë Hoxhaj, shkruan “PrizrenPress”.

Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Artan Abrashi, thirri dje një seancë të jashtëzakonshme, ku si pikë e vetme e rendit të ditës ishte ‘shqyrtimi dhe miratimi i propozimit të nismës për bashkëpunim ndërkomunal ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe Komunës së Mamushës, në fushën e infrastrukturës rrugore’.

Seanca u bojkotuar nga partneri i koalicionit, LDK si dhe nga partitë opozitare. Në mungesë të kuorumit, ajo është shtyrë për një ditë tjetër.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë se bojkotuesit bllokuan votimin për donacionin MAPL-së.

“Për shkak të mospjesëmarrjes së një numri të madh të asambleistëve në Kuvend, Komuna jonë sot ka humbur një donacion në vlerë prej 350,000 Euro nga MAPL. Fjala është për projektin e ndërtimit të rrugës Smaç – Mamushë, ku përfitues kryesorë do të ishin qytetarët e rajonit të Anadrinit dhe tërë komunës Prizrenit”, shprehet Haskuka, shkruan “PrizrenPress”.

“Është krejtësisht e pakuptueshme që projektet infrastrukturore për të cilat komuna jonë ka aq shumë nevojë, të bojkotojnë vetë asamblistët e Prizrenit, të cilët mandatin e kanë marrë nga qytetarët”.

“Posaçërisht është e papranueshme sjellja e disa asamblistëve nga subjektet e koalicionit të cilët i janë bashkangjitur strategjisë opozitare”.

“As opozitarizmi e as interesat personale, në asnjë rast nuk guxojnë të jenë mbi interesat e qytetarëve të Komunës së Prizrenit”.

Shefi i GP-së së LDK-së, Haziz Hodaj thotë ndërkaq se, asnjëherë nuk i kanë bërë obstruksione vendimeve në interes të Komunës.

“Asnjëherë nuk i kemi bërë obstruksione vendimeve në interes të Komunës, pavarësisht pozitës që kemi pas në Kuvend, e as nuk do t’i bëjmë asnjëherë, por le ta harrojë secili që ne do të jemi patericë e çdo kujt e aq më tepër e atyre që kanë tendencë të kapin çdo gjë “, shprehet Hodaj./Blerim Çoçaj,  PrizrenPress.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit