0.8 C
Prizren
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Ekspertiza në rastin Dehari, GLPS kërkon që të hetohen të gjithë zyrtarët shtetëror përfshirë prokurorët, policët dhe mjekët ligjorë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) përmes një komunikate për media ka thënë se i konsideron serioze të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë sa i përket rrethanave të humbjes së jetës së Astrit Dehari, ish aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Fakti që institucionet e Kosovës nxituan të nxjerrin konkluzione që janë plotësisht në shpërputhje me të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë është tejet shqetësuese, dhe rast për hetim te thellë jo vetëm të rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit por edhe të vet prokurorëve, policëve e zyrtarëve tjerë shtetëror të Republikës sonë që me kaq shumë lehtësi e cilësuan rastin si Vetëvrasje”, thuhet në komunikatë.

GLPS thekson se të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë dëshmi që shteti i Kosovës i shkeli Astrit Deharit të drejtën në jetë, duke mos i dhënë mbrojtje minimale në kohën sa ai mbahej në paraburgim.

“Arsyeja e mbajtjes së tij në paraburgim – e cila shoqërohet me faktin që ai ishte aktivist i një partie politike në opozitë – e shton edhe më shumë përgjegjësinë e shtetit në raport me pasojën e prodhuar. Gjithashtu, dështimi i organeve të ndjekjes penale, dhe nxitimi i tyre në cilësimin e rastit, është tregues i një papërgjegjësie dhe qëllimit kriminal. Asgjë më shumë sesa një e vërtetë e validuar me fakte të mjekësisë ligjore nuk i duhej publikut dhe familjes Dehari, por mënyra si veproj Prokurori i Shtetit dhe njësitë tjera shtetërore e demonstruan pikërisht të kundërtën”, thuhet më tej në komunikatë.

Prandaj, GLPS kërkon që rrethi i hetimit të kësaj çështjeje të zgjerohet, duke përfshirë të gjithë zyrtarët shtetëror (përfshirë prokurorë, policë e mjekë ligjor) të cilët kontribuan në cilësimin e rastit dhe nxjerrjen e një konkluzioni hetimor që sot del të ketë qenë i pambështetur në fakte e prova shkencore e kriminalistike.

“Vetëm sjellja para drejtësisë e tërë zingjirit që e sollën këtë situatë mund të sanoj pasojën e krijuar. Thirrjet për hetim të rastit nga shtete të huaja nuk duhen të shërbejnë si metodë për heqje të përgjegjësisë, përkundrazi është koha që me asistencën e huaj prokurorë vendor të jenë ata që i dalin ballë krimit që ka ndodhur në këtë rast”, thuhet në komunikatën e GLPS-së.

GLPS gjithashtu konsideron që gjykatat relevante në Kosovë duhet të përcaktojnë përgjegjësinë shtetërore në rastin Dehari, duke gjetur prokurorinë e shtetit, sistemin gjyqësor dhe organet tjera të përgjegjshme për shkeljen e të drejtës në jetë të Astritit, gjë që garantohet me Nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Neglizhenca e qëllimshme ose paqëllimshme e organeve ekzekutive në raport me këtë rast, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, duhet sjellur para drejtësisë gjithashtu. Kosova nuk mund të lejoj që rastet e vrasjeve të konkludohen si vetëvrasje, dhe që kjo të bëhet përmes një sistemi të organizuar prokurorial e shtetëror”, thuhet mes tjerash në komunikatë. /Telegrafi/

Më Shumë

Malisheva merr një fitore të vlefshme ndaj Dukagjinit

Malisheva ka fituar me rezultat të ngushtë 2-1 në shtëpi ndaj Dukagjinit në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të në Albi Mall Superligën...

Dëshmitari Çadraku: Në Rahovec e Prizren të gjithë pjesëtarët e UDB-së kanë qenë shqiptarë

Dëshmitari Halil Çadraku foli të hënën në Hagë për rolin e tij si pjesë e G2-shit apo sektorit të Zbulim-Kundërzbulimit në Zonën Operative të...

Ikja nga vetmia

Lajmet e Fundit