“Fjalori i Gjuhës Shqipe” instalacioni më i ri në sheshin “Skënderbej” të Tiranës

“Fjalori i gjuhës shqipe” është instalacioni më i ri i vendosur në sheshin “Skënderbej” të Tiranës.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “po e përmbyllim Tetorin e Librit me një instalacion në sheshin “Skënderbej”, një libër gjigant, ndoshta më i rëndësishmi: “Fjalori i gjuhës shqipe”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë”.

“Ende gjatë montimit nisi të tërheqë vëmendjen e kalimtarëve, të cilët nisën të bëjnë fotografi para tij. Por, ai fjalor është edhe funksional. Përmes një monitori, bashkëlidhur me të, mund të kërkoni kuptimin e cilësdo fjalë të fjalorit. Një mesazh për të njohur dhe dashur gjuhën tonë”, shprehet Margariti.

“Fjalori i gjuhës shqipe” është fjalori më i madh shqip-shqip i botuar deri më sot. Ky fjalor është hartuar duke u mbështetur te “Fjalori…” i 1980-ës, ripunuar dhe përditësuar. Përmban rreth 35 000 fjalë, 7 000 njësi frazeologjike dhe mbi 100 000 kuptime, pra, leksiku aktiv i shqipes së sotme dhe një pjesë e rëndësishme e leksikut pasiv.

Fjalët në fjalor janë të vendosura sipas rendit alfabetik dhe sipas rendit të pjesëve të ligjëratës (emri, mbiemri, folja, ndajfolja…). Në të gjithë Fjalorin janë zbatuar rregullat e drejtshkrimit të miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Fjalori është i pajisur me shpjegime për mënyrën e përdorimit, shkurtimet që janë përdorur, treguesin alfabetik dhe një pasqyrë gramatikore. Ky fjalor është tepër i nevojshëm për bibliotekat e familjeve tona. / KultPlus.com

Më Shumë

Telex rikthehet në skenë pas më shumë se 15 vitesh në Prizren Rock & Blues Festival

Pas më shumë se 15 vitesh mungesë, grupi legjendar Telex rikthehet fuqishëm në skenë me vokalin unik të Sejat Jakupit. Një nga emrat që ka...

Kërkohet paraburgim për dy djemtë dhe nënën e tyre lidhur me vrasjen e 27-vjeçarit në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve në rastin e vrasjes së 27-vjeçarit...

Lajmet e Fundit