Ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja do të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit, në gjykimin ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi.
Ky vendim u mor nga gjykatësja Ajser Skenderi, në seancën e mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, akuzohen se si persona përgjegjës, anëtarë të komisionit, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin e tyre, kështu duke i privuar nga kjo e drejtë familjet skamnore, të cilat sipas akuzës, i kanë plotësuar këto kritere.
Propozimi për dëgjimin e ish-kryetarit Muja, në cilësi të dëshmitarit, u bë nga mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Esat Gutaj, me arsyetimin e sqarimit të rrethanave, se kush i ka marrë ato vendime dhe kush i ka zbatuar .
Kërkesa në fjalë u kundërshtua nga mbrojtësja e të pandehurit Rexhepi, avokatja Bahrije Besimi.
“Ne nuk jemi kompetent të vendosim për ligjshmërinë e vendimeve, të cilat janë marrë në Asamblenë e atëhershme Komunale. Konsideroj se ato janë të ligjshme dhe anëtarët të cilët janë caktuar nga personat kompetent, për ndarjen e banesave, i kanë kryer detyrat sipas rregullativës dhe dispozitave ligjore, për çka edhe janë caktuar” , tha ajo.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Besim Koqinaj deklaroi se një vendim të tillë e lë në dorë të gjykatës, duke mos shtuar asgjë lidhur me kërkesën e avokatit Gutaj.
Kërkesa në fjalë u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Skenderi, e cila bëri të ditur se përpos ish-kryetarit Muja, në cilësi të dëshmitares do të dëgjohet edhe ish-drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Fahrije Bytyqi.
Përveç kësaj, në seancën e së enjtes, i akuzuari Shala i ka propozuar gjykatës që gjatë procedurës së provave, të administrohet si provë edhe vendimi për ri konfirmimin e vendimit të Kuvendit.
Ndryshe, në seancën e së enjtes ka munguar ka munguar përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, Selman Sokolaj, për të cilin gjykata ka fakte se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prezent në gjykatë nuk ishin as dëshmitaret Hamdije Ademaj dhe Gjyhere Maqkaj.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 16 dhjetor 2019, në ora 10:00.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 8 mars 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.
Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010, për përcaktimin e radhës së përparësisë për kategoritë e familjeve që mundë të përfitojnë nga programet e veçanta të banimit.
Në aktakuzë thuhet se me këtë rast aplikuesit nga radha e familjeve të dëshmorëve kanë përfituar 82 banesa, aplikuesit nga familjet e luftës së UÇK-së kanë përfituar pesë banesa, familjet e veteranëve të luftës dy banesa, ndërsa nga radhët e familjeve skamnore kanë përfituar vetëm tre banesa.
Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marr vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.
Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi