Është shëruar plotësisht.
Tash gëzon shëndet të mirë.
Lëndimet që dyshohet se i mori gjatë lindjes, nuk i ka më në trup.
Nëna e fëmijës, Xhylshen Krasniqi, është e lumtur që bebja e saj, gëzon shëndet të mirë.
“Jam shumë e lumtur dhe e gëzuar që fëmija më është shëruar “, shprehet ajo për “PrizrenPress”.
Xhylshen Krasniqi, në nëntor të viti të kaluar, lindi fëmijën e parë të gjinisë femërore, në Spitalin e Prizrenit.
Mirëpo, gëzimi i parë i saj, si nënë, u zbeh në momentin kur e kuptojë se fëmija ka pësuar lëndime.
Ajo edhe sot është e bindur se fëmija u lëndua gjatë lindjes.
“Prej se jam shtrirë në Repartin e Gjinekologjisë, nuk më kanë trajtuar mirë”.
“Nuk i di arsyet pse më kanë trajtuar aq keq”, tregon ajo.
Xhylshenja tregon për mënyrën se si e ka lindur fëmijën.
“Pasi e kanë parë se më është keqësuar gjendja, për të shpejtuar lindjen, mjeku ka filluar të më shtrydhë me forcë në bark”.
Ajo tregon se fillimisht nuk ka ditur asgjë.
“Kur kam kuptuar se fëmija ka pësuar lëndime, menjëherë kam dyshuar se ka pësuar gjatë lindjes, sepse deri në këtë ditë të gjitha kontrollet mjekësore që i kam bërë më kanë dal mirë”, tregon ajo.
Deri në ditën e lindjes, ajo tregon se vizitat mjekësore i ka bërë tek gjinekologia, Arbënore Zymberaj.
“Të gjitha vizitat mjekësore më kanë dalë mirë”, shprehet ajo.
Xhylshen Krasniqi, falënderon mjekët e Repartit të Neonatologjisë të Spitalit të Prizrenit, për trajtimin e mirë që ia kanë bërë fëmijës së saj.
“Falë Zotit nalt e dr. Blerim Krasniqit, si dhe mjekëve të tjerë të këtij reparti, sot fëmija im gëzon shëndet të mirë”, shprehet ajo.
Sipas saj, të gjithë mjekët e këtij reparti e kanë trajtuar mirë.
Në nëntor të vitit të kaluar, Xhylshenja, lajmëroi policin për rastin e fëmijës së saj.
Hetimet filluan ndaj një gjinekologu dhe stafit të tij të Repartit të Gjinekologjisë .
“Dy herë kam qenë në polici dhe kam treguar krejt çka kam përjetuar dhe së fëmija është lënduar gjatë lindjes, por më nuk e di se çfarë ka ndodhur me këtë rast”, tregon ajo.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaban Osmanollaj tha se ky rast pas hetimeve është mbyllur.
Sipas tij, policia nuk ka gjetur elemente të veprës penale.
“Policia e ka hetuar këtë rast dhe pasi ka marrë të gjitha deklaratat nuk ka gjetur elemente të veprës penale, prandaj është mbyllur me një raport të veçantë”, tha Osmanollaj./PrizrenPress.com/