2.6 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Tadeusz Mazowiecki – ndahet nga jeta një europian i madh

Tadeusz MazowieckiKryeministri i parë antikomunist i Polonisë, Tadeusz Mazowiecki, ka ndërruar jetë. Një europian i madh, babai i pajtimit mes Gjermanisë e Polonisë, një kërkues i palodhur i dialogut.

Kalendari i takimeve të Tadeusz Mazowieckit ishte i mbushur plot. Ai nuk duhej të mungonte në asnjë festim të 25 vjetorit të transformimit të madh në Europën Qendrore dhe Lindore. Por tanimë ai mungon.

Merita e Tadeusz Mazowiecki – ndryshim pa gjakderdhje

Në Poloni Mazowiecki konsiderohet si njëri nga baballarët e lirisë polake dhe pavarësisë së saj. “Të bëjmë të pamundurën të mundur”, kjo ka qenë motoja e Mazowieckit. Si këshilltar i sindikatave “Solidarnosc” ishte ai, që i detyroi palët të ulen në “tavolinën e rrumbullakët”. Në këtë forum të ri u mundësua dialogu mes pushtetmbajtësve dhe opozitarëve. Ky ishte sinjali i ndryshimit në Poloni, i mundësuar vetëm pas kompromiseve të shumta. Gjëja e më e dhimbshme për Tadeusz Mazowieckin dhe opozitën: Për të mundësuar zgjedhjet e lira, opozitarët duhej t’u premtonin komunistëve, që edhe në rast të fitores, ata do ta ndanin bashkë pushtetin. Opozita fitoi dhe Tadeusz Mazowiecki u zgjodh kryeministër. Por falë këtyre kompromiseve u ndërrua pushteti pa gjakderdhje në vitin 1989. “Në intervistën e tij të parë me Deutsche Welle-n Tadeusz Mazowiecki u shpreh se ai “donte të instalonte sistemin demokratik pa gjakderdhje”. “Ne ishim të parët në Europë dhe shembull për të tjerët.”

Çështja e kufijve – gurthemeli

Pas ndërrimit paqësor të sistemit në Poloni suksesi i arritur në marrëdhëniet me Gjermaninë konsiderohet si suksesi më i madh i Tadeusz Mazowieckit. Kjo falë kontaktit të tij intensiv me kancelarin e atëhershëm, Helmut Kohl, i cili mori udhë me meshën e përbashkët simbolike të pajtimit të organizuar në Kresau. Me këtë pajtim mes dy fqinjëve miqësia Poloni Gjermani fitoi një përmasë të re. Para së gjithash Polonia donte që Gjermania të njihte përfundimisht kufirin Oder-Neiße. Tadeusz Mazowiecki kujton pas disa vitesh: “Isha i mendimit se ishte e drejta e Gjermanisë të ribashkohej, por në të njëjtën kohë unë duhej të tregoja kujdes që të zgjidhej një çështje ekzsitenciale për Poloninë dhe kjo ishte çështja e kufirit.”

Helmut Kohl për shkak të gjendjes së brendshme politike donte ta shtynte zgjidhjen e çështjes së kufirit. Ishte merita e Tadeusz Mazowieckit, që kjo çështje u zgjidh në marrëveshjen “2 plus katër”. “Pa këtë marrëveshje nuk do të ishim afruar kaq shpejt”, u shpreh Mazowiecki vite më vonë.

Ballkani – një përvojë e hidhur

Pas një viti e gjysmë si kryeministër Tadeusz Mazowiecki kandidoi për postin e presidentit në vitin 1990 dhe humbi. Më pas ai dha dorëheqjen. Në vitin 1992 ai mori sërish një rol shumë të rëndësishëm në ish-Jugosllavi. Si i dërguar i Kombeve të Bashkuara ai duhej të raportonte për gjendjen e të drejtave të njeriut. Masakra e Srebrenicës, ku trupat serbo-boshnjake vranë në verën e 1995 8000 boshnjakë, e deziluzionoi Tadeusz Mazowieckin. “Në një intervistë me Deutsche Wellen ai kujton: “Kisha përgatitur disa raportime të mëparshme dhe kisha paralajmëruar për situatën. Por nuk u bë asgjë, bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmori asnjë hap, dhe kur tragjedia ndodhi, mua vetëm më mbetej të jepja dorëheqjen dhe me këtë të fokusoja opinionin tek kjo çështje.”

Për Tadeusz Mazowieckin është thënë se ai ka qenë një “romantik polak”. Por romantika e tij ishte e lidhur me pragmatizmin. Në çdo situatë ai kërkonte dialogun dhe zgjidhjen. Të bënte të pamundurën të mundur me mjetet, që dispononte, kjo ishte deviza e tij. Ai kontribuoi mjaft për Poloninë dhe Europën. Të hënën në moshën 86 vjeçare Tadeusz Mazowiecki ndërroi jetë në Varshavë./DW/

Më Shumë

Muharremaj: Mungesa e energjisë elektrike në Komunën e Suharekës duhet të evitohet

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj pas pranimit të ankesave nga qytetarët ka reaguar lidhur me mungesën e furnizimit të rregullt me energji...

Kurti: Po punohet për ngritjen e standardit të jetesës për romët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, deputeti Ergjan Galushi, morën pjesë në aktivitetet kulturore kushtuar gjuhës dhe kulturës Rome. Kryeministri...

Lajmet e Fundit