Mbrëmjen e së dielës, në rrjetet sociale, kanë qarkulluar disa fotografi në të cilat shihen turma të qytetareve dhe një grupi i organizuar i motoristëve, të grumbulluar në fshatin Brod të Komunës së Dragashit.
Edhe përkundër masave të marra nga institucionet shtetërorë ku parashihet ndalimi i grumbullimit të një numri të madh të njerëzve, si masë parandaluese ndaj pandemisë Covid-19, nuk ka pasur asnjë të arrestuar nga turmat në Brod.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, zyrtari për informim i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj ka thënë se zyrtarisht nuk ka asnjë të arrestuar për këtë rast.
“Këtë fundjavë në Komunën e Dragashit nuk kemi të lajmëruar asnjë rast, as të arrestuar, as të ndaluar. Gjendja ka qenë e qetë, nuk ka pasur ndonjë krim. Dje që janë shpërndarë disa fotografi të motoristëve duke bërë piknik në fshatin Brod, mirëpo ndonjë arrestim zyrtar nuk ka pasur, as për këtë rast e as për rastet e tjera”, ka thënë Osmanollaj.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, kryetari i Komunës se Dragashit, Shaban Shabani ka thënë se ka pasur disa lëvizje të pakontrolluara në Brod, mirëpo sipas tij kjo ka qenë gjatë orëve të ditës, në kohen kur lëvizja ka qenë e lirë.
“Me karantinimin e Prizrenit, jemi vetë karantinuar edhe ne, kjo është e kuptueshme për shkak të pozitës tonë gjeografike. Prej sot nuk lejohen hyrje-daljet. Dje vërtetë ka pasur disa lëvizje të pakontrolluara, mirëpo policia i ka shpërndarë ato”, ka thënë Shabani, duke shtuar se në komunën që ai e udhëheq janë dukë u respektuar me përpikëri udhëzimet për kufizimin e lëvizjes. /BetimipërDrejtësi