13.8 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren, i akuzuar për korrupsion

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi kryesor ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren Nijazi Kryeziu, i akuzuar për korrupsion.

Në këtë seancë përsëri u paraqit eksperti Agim Sheqiri, për të cilin prokurori Mehdi Sefa, nuk pati pyetje, ndërsa përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku, deklaroi se në fjalën përfundimtare, do të deklarohet nëse Komuna e Prizrenit e konsideron vetën të dëmtuar dhe eventualisht lartësinë e dëmit të shkaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Kujtim Kërveshi, se a mund të kryhet një pagesë në institucione publike, vetëm sipas autorizimit të zyrtarit publik, eksperti Sheqiri deklaroi se natyrisht që jo duke shtuar se një pagesë nuk bëhet vetëm me autorizim apo nënshkrim të autorizimit, po që i paraprinë një faturë dhe pas autorizimit ndiqen edhe procedura tjera, siç është procedura e shpenzimit dhe procedura e certifikimit.

Tutje eksperti deklaroi se këto procedura i kryejnë personat kompetent, të cilët janë të autorizuar nga ana e autoritetit kontraktues të Komunës.

Më tej eksperti deklaroi se për çdo shpenzim në institucionin publik për vlerën mbi 100 euro, duhet të ketë kontratë dhe faturë, ku pas pranimit të faturës bëhet autorizimi i mjeteve nga ana e personave autorizues, sipas rregullave duhet të jetë zyrtari kryesor administrativ.

image0 (5)

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, se a ka pasur kontratë të nënshkruar në këtë rast, eksperti deklaroi se  sigurisht që ka pasur kontratë të nënshkruar sepse përndryshe nuk mund të iniciohet procedura e pagesës.

Mbrojtësi i të akuzuarit, i kërkoi  trupit gjykues që nga Prokurori të pajiset me aktvendimin për ekspertizën e bërë nga eksperti, sepse një provë të tillë mbrojtja nuk ka pasur në dispozicion asnjëherë deri më tani dhe se kjo ka rëndësi të veçantë sepse ekspertiza flet për gjithë Komunën, ndërsa për të pandehurin është një shumë qindra fish më e vogël e pagesës se sa konstatimet në fillim të ekspertizës .

Pasi që prokurori i dorëzoi kopjen e aktvendimit, mbrojtësi i të akuzuarit i propozoi trupit gjykues që këtë ekspertizë ta veçoj nga shkresat e lëndës, sepse në bazë të këtij aktvendimi vërehet se Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar ekspertizë pas ngritjes së aktakuzës.

Duke iu përgjigju mbrojtjes, prokurori Sefa, deklaroi se  para ngritjes së aktakuzës, ka pasur një ekspertizë të përgjithësuar nga eksperti Agim Sheqiri për të gjitha Drejtorit në Komunën e Prizrenit, të cilat kanë nënshkruar kontrata me TV lokale për reklamim të punëve të Drejtorive të tyre, mirëpo në shqyrtimin e dytë të datës 19 nëntor 2019 gjykata me vendim ka obliguar prokurorin e shtetit që të siguroj ekspertizë financiare vetëm për veprimet e të akuzuarit Nijazi Kryeziu dhe se në këtë rast Prokuroria Themelore në Prizren është përmbajtur vendimit të gjykatës dhe nuk kemi bërë kurrfarë shkelje këtu vetëm se jemi përmbajtur vendimit dhe obligimit që kemi pranuar nga gjykata .

Pas këtij deklarimi të prokurorit, mbrojtësi i të akuzuarit, deklaroi se nuk e posedon aktvendimi për caktimin e ekspertit të ekspertizës bazë, të cilën e ka përmendur prokurori dhe se kërkon nga trupi gjykues që të obligoj prokurorin të i dorëzoi menjëherë.

Mirëpo prokurori Sefa, deklaroi se atë aktvendim për momentin nuk e ka në shkresat e lëndës.

Ndërsa mbrojtja, kërkoi nga trupi gjykues që këtë seancë ta shtyjë dhe të obligohet prokurori që në afat prej 3 dite, të siguroi aktvendim  e parë për caktimin e ekspertit Sheqiri.

Pas kësaj, trupi gjykues me kryetare Raima Elezin, morën vendim që seanca e sotme të ndërpritet dhe të obligohet prokurori që në afat prej 5 dite, të pajisë mbrojtjen me aktvendimin e kërkuar, ndërsa seanca e radhës u caktua të mbahet me 08.01.2021 në ora 10:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 tetor të këtij viti, Kryeziu ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë.

Kurse, muaj më parë, Kryeziu ishte shkarkuar edhe nga posti i tij si këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit, aty ku u bë gjuha standarde e njësuar

Sot u bënë 52 vjet kur hapi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në Kongresin e Drejtshkrimit të 20 nëntorit 1972 në Tiranë të...

22 nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Sot më 22 nëntor është Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u njësua në Kongresin e Manastirit. Kongresi i Manastirit u zhvillua mes...

Lajmet e Fundit