Futbollisti danez, Christian Eriksen, është duke qëndruar ende jashtë fushave, që prej atakut kardiak që pësoi në ndeshjen e Kampionatit Evropian “Euro 2020”, që u zhvillua mes kombëtares së tij dhe Finlandës.
Rasti Eriksen-it së fundi është bërë edhe temë diskutimi në Asamblenë e Aksionarëve të klubit të Inter-it.
Drejtuesit e klubit zikaltër, janë duke kërkuar një dëmshpërblim nga UEFA, pasi që futbollisti i tyre u penalizua pikërisht në një ndeshje të organizuar nga qeveria evropiane e futbollit.
Sipas tyre, vlera e mesfushorit danez llogaritet të jetë rreth 19 milionë euro, shumë të cilën nuk do ta paguanin klubet tjera për shkak të situatës së krijuar.
“Vlera e Christian Eriksen ishte 18.3 milionë euro në qershor të këtij viti, ndërsa aktualisht futbollisti është ndalur për probleme shëndetësore që i ndodhën në Euro 2020.”
“Autoritetet shëndetësore në Itali nuk japin aprovimin që ai të luajë këtë sezon, por në kampionatet tjera Eriksen mund të aktivizohet.”
“Por duke parë situatën e krijuar, asnjë klub nuk mund të paguajë këtë shifër për futbollistin, gjë që UEFA duhet të përgjigjet financiarisht ndaj nesh”, thuhet mes tjerash në deklaratën e klubit të Inter-it.
Pavarësisht deklaratës, në kampin zikatlër shpresojnë ende që Eriksen mund të luajë pa defibrilatorin artificial që e ka të vendosur, pasi që në Serie A nuk lejohet të luhet futboll me të.
Por, në të kundërtën kampioni në fuqi i Italisë, shpreson ta shesë atë në një kampionat tjetër ku Eriksen mund të luajë me defibrilatorin e vendosur, në mënyrë që ata të lirohen nga paga e madhe që përfiton futbollisti.
Kujtojmë që Eriksen është pjesë e skuadrës së Inter-it, që nga janari i vitit të kaluar, kur u transferua nga skuadra e Tottenham-it për shumën e 27 milionë eurove.
Gjatë kësaj kohe në ekipin italian, ai ka luajtur për 54 ndeshje në të gjitha garat, ku ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar dy asistime.
/Albanianpost.com