Kërkesa e minoriteteve, për t’ua vazhduar mandatet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës edhe për dy mandate të tjera, ka ndarë pozitën dhe opozitën sa i përket kësaj çështje.
Partia më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ende nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar rreth vazhdimit të mandateve të rezervuara për minoritetet në Kuvendin e Kosovës.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë për “Epokën e re” se ky subjekt politik ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar, ndonëse ka shprehur mendimin e tij personal pro vazhdimit të këtyre mandateve edhe për një legjislaturë. “Deri më tash nuk ka pasur ndonjë debat në Kryesinë e PDK-së për atë se çfarë vendimi do të duhet të merret sa u takon vendeve të rezervuara. Unë mund të jap vetëm mendimin tim personal. Mendoj se të paktën edhe një mandat do të duhej të ketë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Mendoj se kjo i shërben interesit shtetëror të Kosovës që të gjitha komunitetet të integrohen jo vetëm në institucione, por të integrohen edhe në ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës. Por, në PDK deri më tash nuk ka pasur debat për një gjë të tillë”, është shprehur Hoxhaj. Ai ka treguar se një praktikë e tillë nuk është në dëm të Kosovës. “Pra, mendimi im është se do të jem në favor të saj që edhe një mandat të ketë vende të rezervuara. Besoj se kjo nuk e dëmton, përkundrazi e forcon fuqishëm interesin e Kosovës. Kosova është ndërtuar në tri parime themelore si shtet: demokracia, multienticiteti dhe sekularizmi, prandaj shtylla e një Kosove multietnike, përveç një akti të tillë, do të mbështetet edhe më tutje”, ka thënë Hoxhaj.
Mirëpo ndryshe mendojnë përfaqësuesit e partive opozitare për këtë çështje. Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Haki Demolli, ka thënë për “Epokën e re” se vazhdimi i mandateve të rezervuara për minoritete është diskriminues për shqiptarët. “Në parim jam kundër vazhdimit të mandateve të rezervuara. Edhe subjekti im politik është kundër vazhdimit të kësaj praktike. Në esencë çështjen e shtimit apo vazhdimit të mandateve të rezervuara e shoh si një çështje diskriminuese. Ndonëse në njërën anë ka një diskriminim pozitiv për minoritetet, në anën tjetër ka diskriminim për popullatën shumicë dhe për përfaqësuesit e tyre. Kjo popullatë, konkretisht shqiptarët, do të kenë një numër më të vogël të përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Demolli. Ai ka thënë se edhe në këtë rast duhet të veprohet ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës. “Pra, të jemi të qartë, ne jemi kundër vazhdimit të këtyre mandateve dhe ndryshimit të Kushtetutës në këtë drejtim. Tekefundit, kjo çështje është e rregulluar me dispozitat e Kushtetutës së Kosovës dhe parashihet që pas kalimit të dy legjislaturave të shkohet vetëm me vende të garantuara e jo me ato të rezervuara”, është shprehur Demolli.
Qëndrim edhe më të ashpër për këtë çështje ka Lëvizja Vetëvendosje!, e cila, qysh prej se është diskutuar për këtë çështje në takimet e liderëve, është shprehur kundër. Lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti, të dielën në mbledhjen e dymbëdhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve t’i thonë “jo” vazhdimit të mandateve të rezervuara. “Prej shkurtit të vitit 2013 vumë bazat e strategjisë për bllok opozitar që sërish hasi në vesh të shurdhër. Edhe sot u bëjmë thirrje subjekteve të tjera dhe të gjithë deputetëve. U thoni JO ulëseve të rezervuara sepse kështu i thoni PO demokracisë. U thoni JO çetnikëve të Listës Serbe sepse kështu i thoni PO Republikës dhe historisë së saj. I thoni JO qeverisë Thaçi sepse kështu i thoni PO popullit dhe ardhmërisë së fëmijëve tuaj”, ka thënë Kurti.
Edhe partia e Ramush Haradinajt nuk ka qartësuar nëse është pro apo kundër kësaj çështje. Anëtarja e Kryesisë së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka mohuar se ky subjekt politik të jetë pajtuar që minoriteteve t’u vazhdohet mandati i vendeve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. “AAK-ja dhe kryetari Haradinaj ka qëllimin, vizionin dhe platformën e qartë politike, që nuk ka të bëjë me njërin apo tjetrin subjekt politik dhe puna jonë nuk bëhet as për nevojat e njërit e as për dëshirat e tjetrit subjekt apo lider politik në Kosovë. AAK-ja nuk është dakorduar me askënd që minoritetet t’i kenë të rezervuara edhe për dy mandate ulëset në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kadaj-Bujupi për Epokën e re.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka thënë se ka marrë përkrahjen e shumicës së partive, në përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje!, për të vazhduar me ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Ai është shprehur se edhe dy mandate të legjislativit janë të domosdoshme për integrimin e komuniteteve. “Nuk po flas me emra konkretisht, por nga shumica e partive politike kemi marrë përkrahje, e cila ka qenë përkrahje korrekte dhe konkrete. Siç kemi thënë, që një integrim të jetë i fuqishëm, konsiderojmë se dy mandate janë të nevojshme”, ka thënë Rashiq.