7.9 C
Prizren
E hënë, 24 Shkurt, 2025

Ish-këshilltarja e Komunës së Prizrenit dënohet me 200 euro gjobë për mosraportim të pasurisë

 Samra Ilijazi, ish-këshilltare e Kuvendit Komunal në Prizren, tani deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është dënuar me 200 euro dënim me gjobë, pasi pranoi fajësinë për mosraportim të pasurisë.

Ilijazi ngarkohej se nuk kishte bërë deklarimin e pasurisë kur ishte në cilësinë e këshilltares Komunale në Prizren.

Aktgjykimi ndaj saj është shqiptuar të martën, nga gjykatësi Gani Kastrati, pasi e akuzuara Ilijazi, e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, e akuzuara Samra Ilijazi, po ashtu, është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 euro, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave.

E akuzuara Ilijazi, dënimin me gjobë prej 200 euro është e obliguar që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit dhe se nëse dënimi me gjobë nuk mund të paguhet, i njëjti mund të zëvendësohet me dënim me burgim, ashtu që për një ditë burgim do të llogaritet 20 euro.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, më 24 nëntor 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Samra Ilijazit – zyrtare e lartë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, nga 1 mars 2021 deri më 31 mars 2021, e akuzuara Samra Ilijazi në cilësi të zyrtarit të lartë publik, këshilltare e Asamblesë Komunale në Prizren, duke qenë e detyruar të bëjë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, edhe përkundër faktit që paraprakisht ishte njoftuar përmes e-mailit zyrtar më 3 mars 2021, e njëjta nuk ka bërë deklarimin e rregullt të pasurisë brenda afatit të paraparë ligjor dhe mosdeklarimin e pasurisë nuk ka mundur që ta arsyetojë.

Me këto veprime, e pandehura Samra Ilijazi, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndryshe, vepra penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, është vepër e cila hyn në kuadër të kapitullit “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Komuna e Suharekës nis procesin e vendosjes së numrave zyrtarë për adresat

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka njoftuar se prej ditës së enjte ka nisur vendosja e numrave në adresa, bazuar në të...

Vdes Bajram Qerkini

Është ndarë nga jeta, kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, Lajmin e kanë bërë me dije familja e tij, përmes një njoftimi...

Lajmet e Fundit