23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Vëllavrasja – Çfarë ka dështuar?

Ndodhi edhe vëllavrasja më e fundit. Kësaj here në kryeqytet, në një nga zonat më në zë.

Sa tronditëse aq edhe e dëgjuar.

Motivi i radhës i shkrepjes së armës kundrejt një anëtari të familjes, mendohet të jetë prona.

Në këtë garë të paepur shqiptare mes jetës dhe pronës, sërishmi kryesoi kjo e fundit.

Dhe ligji do të duhet të jetë arbitri.

Avokati Gedeon Dudushi tregon për Albanian Post se ligji është “goxha i rëndë” për krimet në familje.

“Pjesa më e rëndë është se gjykata nuk e jep gjykimin e shkurtuar që do të ulte 1/3-ën e dënimit që të arrinte maksimumi në 35 vite burgim”, sqaron ai.

Sipas avokatit, autori i vrasjes së dyfishtë, A. M., e ka “të sigurt burgimin e përjetshëm”.

Dhe për më tepër, “kjo kategori nuk përfiton nga asnjë amnisti që mund të bëhet në vite”.

Por për profesorin e kriminologjisë, Ervin Karamuço, ligji ka dështuar.

“Ligji për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare ka dështuar të mbrojë dhe parandalojë”, thotë ai për Albanian Post.

Përpos ligjit, edhe sistemi jo efiçent gjyqësor.

Ky i fundit, sipas profesorit, nuk ka shmangur mjaftueshëm rastet e vetëgjyqësive.

“Problemet e çrregullimeve dhe sëmundjeve mendore nuk trajtohen siç duhet. Posedimi ilegal i armëve të zjarrit vijon të jetë i konsiderueshëm në popullsi”, rendit ai.

Karamuço mbron fort tezën e vendosjes së standardeve të reja në këtë sferë. Sepse në të kundërt, rastet e vëllavrasjes s’do ndalen.

“Nëse nuk rregullohet sistemi i deterrencës institucionale me standarde dhe strategji bashkëkohore, e kemi të humbur luftën kundër tragjedive familjare”, paralajmëron ai.

Për të, metamorfoza e familjes si nocion tradicional, brenda një tranzicioni të gjatë problematikash shoqërore dhe institucionale, “ka shkaktuar një shpërfytyrim të elementëve shpirtëror, material, emocional dhe afektiv midis anëtarëve të saj”.

Sakaq, liston si shkaqe më frekuente të krimeve në familje: xhelozinë, pamjaftueshmërinë e mjeteve për jetesë, konsumin e alkoolit dhe drograve.

Gjithashtu edhe çështje të tjera të interesit material, si pronësia ose përkatësia pasurore.

Një tjetër ekspert i kriminalistikës, Artan Rexhepi, dallon për Albanian Post mungesën e informacionit për këto raste. Ose ashtu siç ai e quan, “informacion të cunguar”.

Prandaj dhe apelon për një menaxhim më të mirë të organeve ligjzbatuese dhe komunitetit.

Përveç rastit të fundit të Tiranës, ai përmend edhe rastin e mëparshëm të Lezhës, për të cilin thotë se ende s’dihet asgjë.

“Për të dyja rastet duhet gjetur nëse ka referime në polici nga prokurori dhe se nga cila palë janë bërë ato”, veçon ai.

Po ashtu ngre pyetjet se: “Me çfarë ritmi kanë ecur? A ka pasur favorizim të njërës palë? Apo thjesht zvarritje?”.

Rasti i Tiranës është thjesht më i fundit.

Një ditë më parë, Besnik Pjetri vrau ish-kunatin Gent Përjaku dhe ish-vjehrrin Pjeter Përjakun në Lezhë.

Në Lushnjë, djali mbyti babanë më datë 6 korrik.

Ditë më vonë, më datë 30 korrik, në Elbasan, Jetlira Elezi u vra nga bashkëshorti.

Kurse në Mallakastër, më 25 gusht, Mariglen Muhametaj vrau me sende të forta të atin 73-vjeçar.

 

Më Shumë

Sot zhvillohen ndeshjet e javës së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll

Sot do të luhet ndeshjes e javës së 32-të të Superligës së Kosovës në futboll. Janë paraparë të zhvillohen pesë ndeshje tejet interesante. Kampioni në fuqi...

‘Rrufe në qiell të hapur’, Bayern refuzohet edhe nga Ralf Rangnick

Ralf Rangnick thuhet se ka refuzuar mundësinë për të zëvendësuar Thomas Tuchel-in si trajner i Bayern Munich-ut, duke e lënë klubin të përpiqet për...

Lajmet e Fundit