Partia në pushtet zotohet t’i trajtojë me ligj të veçantë veteranët e UÇK-së

Veteranët e punëtorët duhet të ndahen dhe të trajtohen si kategori të veçanta përmes ligjeve. Deputetët të partisë në pushtet janë zotuar që së shpejti të hartojnë ligj të veçantë për veteranët. Ata, përkatësisht pensionet e tyre, nuk janë përfshirë në Ligjin për pagën minimale. Revolta e veteranëve është zbutur pasi ligji u dërgua në Kushtetuese nga opozita.

Deputetët e partisë në pushtet, Vetëvendosje, vlerësojnë se veteranët duhet të veçohen nga punëtorët dhe si të tillë duhet të trajtohen me ligj të veçantë.

Veteranët nuk janë përfshirë në Ligjin i ri për pagën minimale. Deri tash, pensioni i tyre ishte i lidhur me pagën minimale, që ishte 170 euro. Tash, paga minimale është rritur në 264 euro, por vetëm për punëtorët.

Deputeti Avni Dehari tha se Ligji për Pagën minimale i referohet kontributdhënësit dhe se ata që nuk e bëjnë dallimin, janë të manipuluar.

“Tjetër kategori janë punëtorët, tjetër kategori janë veteranët. Dhe ata duhet të trajtohen, do të trajtohen me patjetër edhe ata. Por, dikush edhe mund të mos i ketë të qarta, dikush mund edhe të manipulohet. Dikë e manipulojnë edhe për qëllime politike, gjë që nuk është në rregull, sepse problemi i tyre duhet me çdo kusht të trajtohet. Veteranët nuk duhet të lihen pas dore”, ka thënë Dehari.

Edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, u shpreh se do të bëjnë të pamundurën që veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të jetë i shpërblyer për kontributin.

“Kryeministri e ka potencuar disa herë se ne jemi të interesuar që të punojmë në atë drejtim, ta bëjmë ligjin sa më të mirë dhe ku veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të jetë edhe i përfaqësuar, edhe i shpërblyer për kontributin e jashtëzakonshëm, ligji që e kemi kaluar ka qenë Ligji për pagën minimale, nuk ka qenë ligji për veteranë. Janë dy çështje krejtësisht të ndryshme”, ka thënë Dugolli.

Ligji për Pagën minimale është dërguar në Kushtetuese nga opozita.

Organizatat e dala nga lufta patën paralajmëruar protesta e bllokim të punës së Kuvendit, por tashmë janë pajtuar të mos ndërmarrin asnjë hap deri sa të kthejë një përgjigje Kushtetuesja.

Më Shumë

Rahoveci shënon Ditën e Çlirimit, Latifi: Liria është amanet që duhet ruajtur

Të dielën e 14 qershorit, Komuna e Rahovecit ka shënuar Ditën e Çlirimit. Me këtë rast është organizuar edhe një seancë solemne në Kuvendin Komunal. Në...

Drejtoria e Bujqësisë në Rahovec vazhdon pastrimin e kanaleve të kullimit, punimet po zhvillohen në Fortesë

Drejtoria e Bujqësisë ka njoftuar se po vazhdon angazhimin e saj në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës bujqësore, me qëllim të krijimit të kushteve...

Lajmet e Fundit