7 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Shtyhet gjykimi për kanosjen e kryetarit të Prizrenit

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar për shkak të mungesës së të akuzuarit Shkëlqim Kryeziu, i cili së bashku me Faik Kryeziu po akuzohen se kanë kanosur kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj për shkak të një kontesti pronësor me komunën.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Kryeziu, gjykatësja Vjollca Buzhala tha se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim për të akuzuarin Shkëlqim Kryeziu.

Në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë është shtyrë, kurse seanca e radhës është caktuar të mbahet më 2 tetor 2023.

Gjykatësja Buzhala ka obliguar Prokurorinë që të pajisë me shkresa të lëndës palën e akuzuar dhe palën e dëmtuar, pasi mbrojtësi i të akuzuarit Faik Kryeziu, avokati Visar Vehapi deklaroi se i mbrojturi i tij për herë të dytë po e kërkon një gjë të tillë.

Ndryshe, i akuzuari Faik Kryeziu pas përfundimit të seancës, fillimisht ka refuzuar të nënshkruaj procesverbalin e gjykatës për shkak se kishte kërkuar përjashtimin e gjykatëses Buzhala, mirëpo një gjë të tillë ai e bëri pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Vehapi.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e marrë më 16 gusht 2023 nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, me të cilin kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e të pandehurit Faik Kryeziu për përjashtimin e gjykatës, për shkak dyshimit në objektivitetin e gjykatës meqenëse i dëmtuari, Shaqir Totaj mbanë pozitën e kryetarit të Komunës së Prizrenit.

Në vendim thuhet se, i akuzuari Kryeziu përjashtimin e kishte kërkuar në shqyrtimin fillestar më 10 gusht 2023, duke shtuar se e ka ndier vetën të ofenduar kur e ka dëgjuar gjyqtaren gjykuese duke biseduar me prokurorin e shtetit dhe duke i thënë se: “i akuzuari thekson se është i dëmtuar, por në fakt është i akuzuar sepse e ka bllokuar rrugën një kohë të gjatë.”

Sipas vendimit, kërkesa për përjashtim është e pa bazuar dhe se nga shkresat e lëndës penale, kërkesës për përjashtim dhe deklarimit të gjyqtares, kryetarja e gjykatës ka konstatuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore kuptim te nenit 38 të KPPRK-së, për përjashtimin e gjyqtarit nga kjo çështje penale sepse i akuzuari nuk e ka bazuar me asnjë provë dyshimin e tij në objektivitetin e gjyqtares dhe gjykatës, ku arsyeja e dhënë se i dëmtuari është kryetar i Komunës së Prizrenit nuk është rrethanë për përjashtimin e gjyqtares, pa e cekur asnjë provë tjetër që e mbështetë dyshimin e tij në objektivitetin e gjykatës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, më 28 shkurt 2023, ka ngritur aktakuze ndaj të akuzuarve Faik Kryeziu dhe Shkelqim Kryeziu. Sipas aktit akuzues, Faik Kryeziu më 6 qershor, 1 shtator dhe 18 tetor 2022 në Prizren, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit ka kanosur personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare dhe atë të dëmtuarin Shaqir Totaj – Kryetar i Komunës së Prizrenit për shkak të një kontesti pronësor me komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i njëjti përmes telefonit i kishte dërguar të dëmtuarit Totaj tekst të shkruar me përmbajtje kërcënuese se “je tuj lujt me nerva të mija, mos harro qe e ke premtua me zgjedh këtë çështje, kam me e ndjek këtë çështje deri ne Strasburg”, “…por mos harro se kështu me mua nuk të shkon, kurr skeni me mujt me ba si te don ti as ata hajnat e tjerë të qeverisë, keq shume ke ba qe me ke rrejt”, se “mos dil rren?….hajde preke token pra mase koka e komunës, pa ma kompensua si duhet jo ti po ska lind hala kerkush qe mundet me hy në tokë e ne shtëpi teme harroje”, me çka me këto veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij.

Për këto veprime, Faik Kryeziu po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragraf 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari Shkelqim Kryeziu thuhet se më 24 janar 2023 në Prizren, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit te ankthit, seriozisht e kanos personin zyrtar në lidhje me punën e tij zyrtare dhe ate te dëmtuarin Shaqir Totaj – Kryetar Komunës së Prizrenit, për shkak mosmarrëveshjeve paraprake ne lidhje me nje kontest pronësor me komunën e Prizrenit, ditën kritike përmes Hekuran Gashit i dërgon porosi djalit të të dëmtuarit Shaqir, me fjalët se “thuaj djalit të Kryetarit le ti thotë babes vet le të ndalet sepse “nëse ti nuk mi le rahat fëmijët e mijë unë nuk ta le rahat djalin tende”.

Për këto veprime, Shkëlqim Kryeziu po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 181 paragraf 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballë ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 

Më Shumë

Kurti: Po punohet për ngritjen e standardit të jetesës për romët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, deputeti Ergjan Galushi, morën pjesë në aktivitetet kulturore kushtuar gjuhës dhe kulturës Rome. Kryeministri...

Sot vranët dhe intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. IHK njofton se në mëngjes...

Lajmet e Fundit