Apeli refuzon ankesën e “Burdushit” ndaj vendimit për refuzimin e kërkesës për shtyrjen e vuajtjes së dënimit

Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, kundër vendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin kishte refuzuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të dënimit prej 4 vite e gjashtë muaj burgim.

“Refuzohet, si e pabazuar ankesa e të dënuarit Hysri Peqani nga Prizreni, për shtyrjen e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burg, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ED.nr981/23, i datës 12.09.2023, vërtetohet”, thuhet në vendim.

Kryetari i Apelit, Valon Totaj, ka refuzuar kërkesën me arsyetimin se pretendimet e “Burdushit”, se është i sëmurë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore, nuk janë të mjaftueshme për shtyrje të dënimit.

“Në rastin konkret nga shkresat e lëndës, respektivisht nga Raporti mjekësor i datës 15.09.2023, nuk është vërtetuar se i dënuari vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë akute e cila edhe do të përbënë bazë për shtyre të ekzekutimit të dënimit”, thuhet në arsyetimin  e vendimit.

Po ashtu, në vendim thuhet se “i dënuari në rast të ndonjë komplikimi mund të marrë kujdesin e duhur dhe pa pagesë gjatë qëndrimit në burg”.

Paraprakisht “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se i dënuari Peqani nuk ka shkuar në vuajtje të dënimit për shkak të mbrojtja ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Mbrojtja e Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, kishte kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për 6 deri në 12 muaj.

Hysri Peqani më 10 janar 2023 ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, 42 mijë euro gjobë dhe ishte urdhëruar konfiskimi i pasurisë në vlerë mbi 2 milionë euro.

 

Këtë vendim, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar më 5 qershor 2023 për veprat penale: “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Mashtrim”, “Shpëlarje parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Procesi gjyqësor ndaj Burdushit ka zgjatur 2 vjet e 2 muaj, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 15 shtator 2020.

Në çështjen penale ndaj tij ishin dëgjuar një sërë dëshmitarësh, dëshmitë e të cilëve ishin ndaluar të publikoheshin deri në përfundimin e gjykimit, raporton betimiperdrejtesi.

Më Shumë

Prizren: Policia kap personin në kërkim – dërgohet në burg

Policia ka bërë të ditur se sot është lokalizuar dhe arrestuar një person në Prizren. Sipas policisë i njëjti ka qenë në kërkim pasi ishte...

Katër persona lëndohen në një aksident ku u përfshinë tri vetura në Malishevë

Katër persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident në Malishevë ku u përfshinë tri vetura. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin...

Lajmet e Fundit