7.8 C
Prizren
E diel, 27 Tetor, 2024

Kurti me paralajmërim: Milan Radoiçiq dhe grupi i tij paramilitar po riorganizohen, me mbështetjen e Serbisë dhe Rusisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook, ka paralajmëruar për një “riorganizim” të ri të në Rashkë të Serbisë, ngjashëm me lëvizjet paraprake që çuan në sulmin paramilitar e terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Ai ka thënë se kjo po bëhet me “me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.”

Kreu i qeverisë ka thënë se më 10 nëntor, kryeorganizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radoiq, ka organizuar një takim me 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.

“Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti më tej ka njoftuar se në këtë takim ishte pjesëmarrës edhe kryetari i ri i Listës Serbe, Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq, ku sipas Kurtit, është kërkuar “mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit”

“Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq. Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore.” – ka thënë Kurti

Kurti më tej i ka bërë thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe Bashkimit Evropian që të dalin me një raport zyrtar në të cilin aktet e agresionit i atribuohen grupit të Radojiqit.

“Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës. U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit.” – ka thënë Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti ka thënë se pavarësisht presionit ndërkombëtar, shteti serb ende nuk ka bërë tërheqjen e plotë të trupave dhe artilerisë pranë kufirit me shtetin e Kosovës.

“Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës. Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.” – tha ai.

Ai gjithashtu ka folur edhe për kërcënimet nga Serbia dhe Rusia në rajon, ku për këtë të fundit tha se “synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n”.

“Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit.” – tha ai.

Më Shumë

Derbi Bashkimi-Prishtina ndeshja më e shikuar e xhiros së gjashtë, me 2,500 shikues

Në total janë regjistruar 4 mijë e 750 shikues nga ndeshjet e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll. Primatin e ndeshjes më...

Albin Kurti: Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, vizitoi sot tri shtëpi tradicionale të restauruara në Prizren, duke theksuar...

Lajmet e Fundit