Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e gjashtë me kryetarët e komunave ka thënë se buxheti i komunave për vitin 2024 arrin 742 milionë euro.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se buxheti për sivjet është për gati 90 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin paraprak 2023, kurse për tri vite mandat buxheti vjetor i komunave është rritur për 195 milionë euro më shumë
“Granti i përgjithshëm për komuna për vitin 2024 kap vlerën 284.7 milionë euro, që është granti me vlerën më të madhe ndonjëherë. Komuna e Ferizajt dhe Gjakovës janë komunat me më së shumti projekte infrastruktore, kurse Obiliqi, Skenderaj, Rahovec janë renditur në top tre komunat përfituese nga granti i performances komunale që ndahet nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Kurti po ashtu ka thënë se do të ndërtohen katër strehimore për qentë endacakë – në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjilan. Ai u ka bërë thirrje për bashkëpunim në arritjen e objektivave në Strategjinë për Qentë Endacakë.
Kurit ka thënë se secila komunë sivjet e ka të paktën për 40% më të lartë buxhetin sesa para tre vitesh.
Ai i ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të mos kontribuojnë në keqinformim të qytetarëve për mbështetjen e nivelit qendror për atë lokal.
Gjithashtu, Kurti u ka kërkuar kryetarëve të komunave bashkëpunim sa i përket regjistrimit të
Kurse, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se buxheti për vitin 2024 për komunat është mbi 740 milionë euro.
Krasniqi ka theksuar se më 15 shkurt është hapur thirrja që komunat të raportojnë në sistemin për performancën e vitit 2023.
“I ftoj komunat të raportojnë dhe duhet të kemi parasysh në veçanti komunat të cilat nuk raportojnë se raportimi është obligim ligjor pavarësisht nëse ajo komunë kualifikohet për grantin e performancës ose jo. Për këto dy vite paraprake janë këto komuna që nuk kanë raportuar në sistemin e performancës komunale: në vitin 2021 Skenderaj, në vitin 2022 Ferizaj, Shtërpca, Novobërda, Kllokoti dhe katër komunat e veriut”, ka deklaruar Krasniqi.
Ministri ka theksuar se janë duke diskutuar që të ndryshohet ligji dhe të parashihen masa penalizuese për komunat që nuk kryejnë raportimin në këtë sistem.
“Jemi duke diskutuar me anëtarët e komisionit parlamentar përkatës që të bëjmë plotësim ndryshimin e ligjit dhe të parashihen masa penalizuese për komunat që nuk raportojnë në sistem”, ka deklaruar ai.
Krasniqi i bëri thirrje komunave gjithashtu që të aplikojnë në programin për financimin e projekteve infrastrukturore që është i hapur deri më 28 shkurt në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
Pas deklarimeve të Kurtit dhe Krasniqit mbledhja është mbyllur për mediat.