8.2 C
Prizren
E hënë, 3 Mars, 2025

Ballkani mposhtet nga Malisheva, titulli larg e më larg

11 pikë larg kreut të tabelës! Kaq është distanca mes Ballkanit dhe Dritës lidere pas humbjes së sotme që suharekasit e pësuan në Malishevë.

Skuadra vendase e Malishevës sot e mposhti kampionin në fuqi me rezutlat 3-1 (Arlind Veliu 23’, Drilon Hazrollaj 70’, Altin Aliu 90+1’ / Geralb Smajli 37’), për t’ia dhënë një tjetër goditje në luftën për mbrojtjen e titullit.

Një supergol i Arlind Veliut me të djathtën nga distanca në minutën e 23’ i dha Malishevës epërsinë, para se Geralb Smajli të barazonte në 1-1 rreth 14 minuta më vonë, gjithashtu me një gol nga distanca. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, pjesë gjatë të cilës me karton të kuq u përjashtua Bekim Isufi, kryetrajneri i Malishevës, për shkak të protestave ndaj gjyqtarëve.

Në vazhdim të ndeshjes gola nuk pati deri në minutën e 70’. Ishte zëvendësuesi Drilon Hazrollaj ai që pak pas inkuadrimit e gjeti rrjetën dhe ia dha skuadrës së tij përsëri epërsinë. Ky ishte goli i tetë sezonal për majtakun malishevas.

Në minutën e 87’, Bernard Karrica i Ballkanit u përjashtua me karton të kuq direkt për shkak të një ndërhyrjeje të rrezikshme, duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë në fushë dhe duke ia vështirësuar edhe më shumë gjasat për një barazim eventual.

Madje, ishte Malisheva ajo që e gjeti golin në kohën shtesë. Pas një kundërsulmi klasik, Altin Aliu shënoi për 3-1, rezultat me të cilin u mbyll ndeshja.

Tash, Ballkani mbetet 11 pikë larg Dritës, ndërkohë suharekasve tashmë iu është afruar shumë edhe Malisheva, që ndodhet vetëm dy pikë larg vendit të dytë.

Xhiron që vjen, Ballkani luan ndaj Prishtinës në Suharekë, kurse Malisheva i shkon Dukagjinit./topsporti/

Më Shumë

Lajmet e Fundit