14.5 C
Prizren
E martë, 22 Prill, 2025

Komunitetet jo-shumicë në Prizren kërkojnë publikimin e të dhënave mbi punësimin në sektorin publik

Anëtarët e Komitetit për Komunitete në Prizren prej kohësh insistojnë që organet përgjegjëse komunale të ofrojnë të dhëna lidhur me përqindjen e të punësuarve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në institucionet publike të pushtetit lokal.

Sipas tyre, përgjigjet për këtë çështje mungojnë ndonëse kërkesat janë parashtruar disa herë.

Ky shqetësim është paraqitur edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës, nga kryetari i këtij Komitetit, Ertan Simitçi, raporton Telegrafi.

“Është hera e pestë apo hera e gjashtë që si Komitet për Komunitete nga Komuna kërkojmë që të publikohen statistikat e përfaqësimit të komuniteteve shumicë dhe jo-shumicë. Po kërkojmë nga Komuna, nga Zyra e Kryetarit, apo dikasteri përgjegjës, që të publikohet të dhënat e përfaqësimit të komuniteteve shumicë dhe jo-shumicë, domethënë të shërbyesve civilë, se sa janë shqiptarë, sa janë boshnjakë, se janë turq, sa janë serbë apo të tjerë. Pra, kërkojmë përqindjen e punësimit të komuniteteve”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë çështje shefi i Njësisë për Komunikim me Publikun, Ymer Berisha ka theksuar se në qoftë se legjislacioni parasheh një gjë të tillë, atëherë këto të dhëna do të publikohen.

“Publikimi i dhënave nga përkatësia etnike. Unë për herë të parë po e dëgjoj, nuk e di ashtu a e lejon ligji apo nuk e lejon, pa e pyetur personin vetë se a dëshiron me ta publiku përkatësinë. Unë e mora porosinë, do të konsultohem ligjërisht cila është e vërteta. Në qoftë se ti ke të drejtë ligjore, ato publikohen. Vetëm normalisht na duhet ti pyesim se a pajtohen që ta bëjmë publike përkatësinë etnike”, ka deklaruar Berisha, raporton Telegrafi.

Të njëjtën kërkesë, kryesuesi i Komitetit, Ertan Simitçi e ka paraqitur edhe gjatë shpalosjes së raportit të punës për vitin 2024. Sipas tij, punësimi i komuniteteve jo-shumicë në institucionet publike, përkatësisht komunë dhe ndërmarrjet publike është veçuar si sfidë.

“Po ashtu, në takimin e fundit kemi marrë një rekomandim me vota unanime nga anëtarët e Komitetit për Komunitete, ashtu siç e thashë edhe më herët, se do të kërkojmë nga Zyra e Kryetarit edhe nga Zyra e Kryesuesit të Kuvendit që brenda afatit prej gjashtëdhjetë ditëve të sigurohet dhe publikohen të dhënat zyrtare sipas përfaqësimit të komuniteteve shumicë dhe jo-shumicë në nivel lokal, pasi që Ligji për zyrtarët publikë neni 10 na jep këtë të drejtë dhe këtë qasje”, ka thënë Simitçi, raporton Telegrafi.

Sipas tij, këto të dhëna i shërbejnë institucionit, por edhe pjesëtarëve të komuniteteve.

“Kjo pasqyre apo ky publikim shërben edhe për nevojat e Komunës, po edhe neve, pasi do të na mundësojë krijim dhe zhvillim të politikave të reja, me qëllim që të respektohen ligjet dhe të respektohet barazia apo përfaqësimi i barabartë i komuniteteve”, është shprehur Simitçi.

Dispozitat e Ligjit për zyrtarët publikë përkufizojnë se në nivelin komunal, plotësimi i numrit të vendeve të punës për pjesëtarët e komuniteteve duhet të bëhet në pajtim me përqindjen e popullatës në atë komunë. /Telegrafi/

Më Shumë

Sanohet në kohë rekord defekti i gypit në afërsi të objektit të KRU-së në Shatërvan

Një defekt në rrjetin e ujësjellësit, i cili ndodhi në afërsi të objektit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit "Hidroregjioni Jugor" në Shatërvan të Prizrenit,...

Kurti me ministra jep dorëheqje

Albin Kurti me ministra të vet kanë dhënë dorëheqje me shkrim drejtuar Kryetarit në mandat teknik të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca. "Për qëllim betimin...

Po të shkruaj…!

Lajmet e Fundit